Presidenti Ilir Meta mban ligjëratë në Qendrën e Analizave Politike Evropiane në Uashington DC: Referendumi në Maqedoni, pavarësia e Kosovës, procesi i Berlinit, TAP dhe kufijtë e Ballkanit

518
Sigal

Ballkani është një punë ende e papërfunduar

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, i Ftuar Nderi në “CEPA”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë vizitës së tij në Uashington D.C mbajti një ligjëratë si i Ftuar Nderi i Qendrës së Analizave Politike Evropiane (CEPA) në Universitetin “John Hopkins”. Në aktivitet ishin të pranishëm diplomatë, ambasadorë, analistë dhe studiues politikë diplomatë, studentë etj., Gjatë ligjëratës së tij, Presidenti Meta paraqiti këndvështrimin e tij mbi realitetin politik, ekonomik dhe social të rajonit tonë.

Vëzhgime të hollësishme mbi Ballkanin

Të japësh një ide apo vëzhgime të hollësishme për Ballkanin është gjithmonë sipërmarrje sfiduese. Kur flitet për Ballkanin, duhet t’i referohesh patjetër së tashmes, por pa lënë mënjanë gjithashtu e pa humbur kurrë nga vëmendja kontekstin e së kaluarës së tij. Vëzhgimi mbi Ballkanin fillon me një fjali kyçe, të cilin nuk e has edhe aq shpesh: Ballkani është një punë ende e papërfunduar. Me tre zhvillime të rëndësishme që po ndodhin në të në vazhdimësi, si dhe me procese të hapura integruese në NATO dhe në Bashkimin Evropian, Ballkani mbetet ende një punë e papërfunduar.

Ngjarjet më të spikatura në këtë rajon në epokën pas mbarimit të Luftës së Ftohtë

Prania e NATO-s, perspektiva evropiane që iu ofrua rajonit si dhe angazhimi ndaj një bashkëpunimi ekonomik rajonal mes vendeve të tij. Dua të theksoj faktin se ndërhyrja e NATO-s dhe veçanërisht përfshirja e SHBA-së, dhe ajo e mëvonshme e BE-së, ishin jetësore për Ballkanin atëherë, siç janë domethënëse e të lidhura me të edhe tani. Ishte kjo përfshirje vendimtare dhe e vendosur, e cila shpëtoi Ballkanin nga shndërrimi i tij në Lindjen e Mesme të Evropës. Arkitektura e sigurisë u mbështet nga proceset e integrimit evropian, për t’ia ankoruar plotësisht dhe me vendosmëri këtë rajon vlerave dhe standardeve perëndimore. Me zhvillimin e përparimin e këtyre proceseve, shqiptarët u shfaqën si një faktor i fortë stabilizues në rajon, duke jetuar në pesë shtete dhe në territore ngjitur me njëri-tjetrin.

Rajoni ynë e ka ndryshuar mozaikun e vet pas pavarësisë së Kosovës

Shqiptarët në Maqedoni u bënë një faktor përbërës e kushtetues; në Malin e Zi ata kanë qenë një faktor kyç i domosdoshëm që ai vend të ruajë e të mbajë drejtimin për në NATO dhe të ecë përgjatë rrugëtimit evropian. Më lejoni të theksoj se faktori shqiptar ka qenë dhe vazhdon të jetë një katalizator jetik për ta zgjeruar hapësirën e kufijve të NATO-s dhe BE-së në këtë rajon, pasi NATO-ja dhe BE-ja mbeten bazat e qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor. Teksa rajoni po hyn në fazën e vet të konsolidimit – me Kroacinë, Shqipërinë, Malin e Zi vende anëtare të NATO-s dhe me shpresën se së shpejti edhe Maqedonia do të bëhet e tillë – me Kroacinë si një anëtare të BE-së dhe me Serbinë dhe Malin e Zi që po negociojnë kapitujt e futjes së tyre në BE, për cilat shpresohet do të ndiqen së shpejti edhe nga Shqipëria e Maqedonia; me marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit dhe proceset përkatëse me Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën, që po ndodhin sakaq – si dhe me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian që po hyjnë në fazat e tyre përfundimtare – nevojiten përpjekje dhe vëmendje shtesë për ta përmbushur punën ende të papërfunduar në Ballkan. Mendoj se propozimi më i fundit për të hapur një debat të ri mbi atë çfarë do të përbënte një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kohë e çuar dëm, në kuptimin më të mirë të fjalës, si dhe do të përbënte çelësin e hapjes së Kutisë së Pandorës, në kuptimin më të keq të saj.

Rezultati i referendumit në Maqedoni duhet të shërbejë si një sinjal zgjimi

Rezultati i referendumit në Maqedoni duhet të shërbejë si një sinjal zgjimi duke na rikujtuar se edhe marrëveshjet më të mira të mundshme e me mbështetje të qartë dhe të gjerë ndërkombëtare, nuk janë edhe aq të lehta për t’u zbatuar në një kontekst të ndërlikuar. Shpresoj se edhe kjo marrëveshje do të gjejë rrugën e saj në Parlamentin maqedonas dhe do t’i hapë Maqedonisë dyert për në NATO dhe BE. Nga ana e vet, NATO-ja, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të vazhdojnë mbështetjen e tyre për Maqedoninë, duke mundësuar e siguruar suksesin e një investimi afatgjatë për stabilitetin e atij vendi dhe të rajonit.

Rëndësia strategjike e TAP

Po përballemi me sfida serioze, në veçanti me emigrimin e rinisë dhe punësimin e të rinjve tanë. Në këtë drejtim, na duhet të bëjmë më shumë për të thithur investime të huaja në rajon përmes projekteve strategjike konkrete në energji, të infrastrukturës, të prodhimit me dorë të mallrave, turizmit dhe sektorit të shërbimeve. Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP-i) është një nga projektet më të rëndësishme gjeo-strategjike në fushën e energjisë për të gjithë rajonin dhe më gjerë. Ky investim e tejkalon vlerën 1 miliard dollarë vetëm në Shqipëri.

Procesi i Berlinit

Bashkimi Evropian ka qenë instrumental në rritjen e këtij bashkëpunimi, përmes mekanizmave të ndryshëm, mes të cilëve më i fundit është Procesi i Berlinit. Procesi i Berlinit, pavarësisht se nuk shërben si zëvendësim i zgjerimit të BE-së, ndërtoi një platformë të projekteve ambicioze ndër-rajonale në drejtim të lidhjes dhe ndërveprimit.

Sfida më e madhe emigracioni i paligjshëm, sidomos ai për Mesdheun

Këto dukuri kërkojnë përpjekje të përbashkëta për të mbrojtur civilët, gratë dhe fëmijët, por gjithashtu ato kanë nevojë për një bashkërendim edhe më të fuqishëm për të luftuar emigrimin e paligjshëm, trafikun e drogave dhe terrorizmit ndërkombëtar, të cilat rrezikojnë të gjithë rajonin dhe sjellin pasiguri dhe paqëndrueshmëri në vendet tona.