Presidenti Ilir Meta dekreton tre ligjet e miratuara nga Kuvendi, ja për çfarë bëhet fjalë

439
Sigal

Presidenti Ilir Meta, ka dekretuar sot me shpallje tre ligje të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë. Një prej ligjeve ka të bëjë me ratifikimin e protokollit ndryshues të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës për shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal. Kurse një tjetër ligj, ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Europian, në lidhje me Programin Vjetor Kombëtar për Shqipërinë për vitin 2019, në kuadër të instrumentit të asistencës së paraanëtarësimit,

Njoftimi i plotë nga Presidenca

Presidenti Meta me Dekretin nr.11969 datë 18.02.2021, ka shpallur ligjin nr. 12/2021 “Për ratifikimin e protokollit ndryshues të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal, ratifikuar me ligjin nr. 62/2014”.

Përmes këtij ligji ratifikohen disa ndryshime në marrëveshjen, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës me qëllim shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat e mbi kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal, duke eliminuar hapësirat për evazion fiskal apo shmangies tatimore.

Gjithashtu synohet unifikimi i dispozitave të marrëveshjes me formulimet standarte të OECD-së të bëra në vitin 2014, lidhur me shkëmbimin e informacionit duke bërë të mundur lejimin e autoriteteve tatimore që të shkëmbejnë informacionet e nevojshme për zbatimin e dispozitave të saj.

Presidenti Meta me Dekretin nr. 11970 datë 18.02.2021, ka shpallur ligjin nr. 13/2021 “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Europian në lidhje me Programin Vjetor Kombëtar për Shqipërinë për vitin 2019, në kuadër të instrumentit të asistencës së paraanëtarësimit (IPA II)”.

Nënshkrimi dhe Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje financiare dhe përmbushja e procedurave të nevojshme ligjore do të mundësojë zbatimin e marrëveshjes së financimit për programin e veprimit IPA 2019 për Shqipërinë, duke konkretizuar më tej bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, në kuadër të procesit të integrimit.

Programi vjetor i vitit 2019 do të mbështesë përfshirjen sociale dhe programi vjetor “BE për përfshirjen sociale” ka si qëllim të kontribuojë në forcimin e përfshirjes sociale, duke rritur mbulimin, përfshirjen dhe efektivitetin e shërbimeve të kujdesit social, dispozitat e edukimit gjithëpërfshirës dhe mundësitë e punësimit.

Programi vjetor i veprimit mbështet popullsinë në risk varfërie dhe të përjashtuarit socialë, duke përfshirë qytetarët me paaftësi fizike dhe minoritetet.

Presidenti Meta me Dekretin nr. 11971 datë 18.02.2021, ka shpallur ligjin nr. 14/2021 “Për ratifikimin e protokollit ndryshues të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin, e nënshkruar në Tiranë më 14 janar 2009, ratifikuar me ligjin nr. 10094, datë 12.3.2009”.

Qëllimi i ligjit është ratifikimi i ndryshimeve të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin, e nënshkruar në Tiranë më 14 janar 2009, ratifikuar me ligjin nr.10094, datë 12.3.2009.

Ratifikimi i këtij protokolli luan një rol të rëndësishëm në kompleksin e faktorëve që garantojnë, favorizojnë dhe stimulojnë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare, ku shtetet shkëmbejnë informacione dhe bashkëpunojnë për parandalimin e evazionit fiskal nga tatimpaguesit që kanë aktivitet në të dyja vendet

Marrëveshja e amenduar, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut, për eleminimin e tatimeve të dyfishta dhe parandalimin e evazionit fiskal krijon një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve apo personave juridikë shqiptarë apo luksemburgas, të cilët kanë aktivitete biznesi apo të ardhura të tjera që janë objekt i legjislacioneve tatimore të të dyja shteteve.