Presidenti Bujar Nishani mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

428
Sigal

TIRANE- Presidenti Bujar Nishani mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të disktuar dokumentin e ri të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të vendit pasi dokumenti aktual është i hartuar dhe miratuar përpara anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe më saktë para 10 vitesh nga qeveria e drejtuar nga Fatos Nano. Në tryezën e rrumbullakët për të disktuar për strategjinë e re të sigurisë kombëtare, në krah të djathtë të Presidentit Nishani, pas kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta  ishte ulur Lulzim Basha, kreu i PD-së. Ndërsa në krah të majtë të kreut të shtetit ishte ulur kryeministri Edi Rama.  Presidenti Nishani argumentoi ftesën ndaj kreut të opozitës për ta bërë gjithëpërfshirës çështjen e sigurisë që s’ka lidhje me rrezikun akut por me procesin e një hartimi të një dokumenti për sigurinë kombëtare. “Siguria Kombëtare, si koncept i gjerë, është gjithçka që kontribuon për mbrojtjen e kombit, si e tillë siguri kombëtare janë edhe mirëedukimi, sjellja qytetare, shkollimi zbatimi i ligjit, marrëdhënie pozitë- opozitë, siguria kombëtare e përcaktuar dhe institucionalizuar. Mbledhja e sotme nuk ka lidhje me një rrezik akut por me procesin e hartimit të një dokumenti që do të shtrijë efektet në vitet e ardhshme.  Kam ftuar edhe kreun e opozitës zotin Lulzim  Basha. E falenderoj dhe them se mirëpres kontributin e tij. Duke lutur mirëkuptimin dhe angazhimin tuaj me qëllim për të shndërruar në një këshill  aktiv. Ju lus të bëjmë çështë e mundur të ndajmë këndvështrime sa më të përafërta, dhe përafrimi i sistemit tonë të sigurisë me vendet e NATO-s.”- tha Nishani. Të pranishëm janë kryetari i Kuvendit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, ministri për Marrëdhëniet me Pushtetin Vendor Bled Çuçi, ministri i Financave Shkëlqim Cani, ministri i Transportit Edmond Haxhinasto, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Jeronim Baze, drejtori i SHISH Visho Ajazi Lika, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi, Kryeprokurori Adriatik Llalla edhe kreu i PD-Së Lulzim Basha. Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare e cila zhvillohet në ambientet e Presidencës, nisi rreth orës  10:30 minuta dhe pas fjalës së Nishanit vazhdon me dyer të mbyllura.

NISHANI “BASHKON” RAMËN, BASHËN DHE AJAZIN E SHISH-IT 
“Takimi pritet të jetë i tensionuar, jo vetëm për shkak të ftesës për pjesëmarrje të kreut të PD-së dhe të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, por dhe për shkak të situatës së sigurisë në vend, moskomunikimit ndërinstitucional dhe konkretisht mosdhënies së informacioneve të SHISH për veprat e terrorit, pa përjashtuar dhe ndonjë përplasje për përgjimet që Visho Ajazi ka bërë ndaj policisë, politikanëve e ministrave. “- shkruante sot Shqiptarja.com (print) Nga pikëpamja ligjore  ftesën dërguar Bashës, ai e argumentoi se ligji parashikon të drejtën e Presidentit, si kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që përveç anëtarëve, në varësi të rendit të ditës të ftojë edhe ministra që s’janë anëtarë Këshilli, kryetarë komisionesh kuvendore e drejtuesish institucionesh. Për Nishanin, kjo do jetë mbledhja më e rëndësishme në 10 vitet e fundit, e kjo është një arsye pse është i ftuar edhe Basha, që ka shprehur qëndrimin, se situata e krimit në vend është përkeqësuar muajt e fundit.Shqiptarja.com paralajmëron një debat të garantuar, që mund të ngrejë së tepërmi “sentimentin” e takimit, për shkak të ngjarjeve të fundit me epiqendër kreun e SHISH Visho Ajazi Lika, i cili në vend që të informonte për situatën e krimit dhe akteve terroriste në vend, shpërndante qarkore në drejtoritë rajonale për përgjimin e drejtuesve të rinj të Policisë së Shtetit, por dhe përgjimin e kreut të Sigurisë në Kuvend, Braho, drejtuesve të Doganave dhe Tatimeve, si dhe ministrave kryesorë.