Presidenti Begaj pret homologen nga Hungaria: Mirënjohje për mbështetjen që i keni dhënë Shqipërisë në rrugëtimin europian

102
Sigal

Presidenti Bajram Begaj ka pritur sot homologen nga Hungaria. Në konferencën për shtyp, Begaj tha se i ka shprehur mirënjohjen Novak për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit.

Fjala e plotë e Presidentit Begaj:

Sot, kisha nderin të mikprisja në Tiranë, në një vizitë shtetërore, Presidenten e një vendi me të cilin ndajmë histori e vlera të përbashkëta, Presidenten e Hungarisë, zonjën Katalin Novak.

Zhvilluam një bisedë të gjatë e shumë miqësore, duke u fokusuar tek bashkëpunimi dypalësh, procesi i integrimit evropian të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe tek zhvillimet aktuale në rajonin tonë, si dhe zhvillimet gjeopolitike që ndikojnë në rajon.

Që në fillim i shpreha Presidentes Novak keqardhjen për ushtarët hungarezë të lënduar përpara dy ditësh në Veri të Kosovës, nga protestuesit serbë të keqpërdorur për të provokuar tension dhe vënë në pikëpyetje marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Vlerësova marrëdhëniet shumë të mira, historike e tradicionalisht miqësore midis dy vendeve e dy popujve tanë. Pavarësisht se formalisht kemi hyrë në 100-vjetorin e dytë të këtyre marrëdhënieve diplomatike, ato datojnë të paktën që nga mesjeta.

Ishin heronjtë kombëtarë të dy vendeve tona, Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe Janosh Huniadi, të cilët hodhën bazat e një partneriteti strategjik dhe aleance midis dy popujve. Kjo miqësi u konsolidua edhe përmes lidhjes mbretërore të krijuar nga martesa, 85 vjet më parë, mes Mbretit Zog dhe Konteshës Geraldinë Appony, që ndryshe njihej edhe si “Trëndafili i Bardhë i Hungarisë” apo “Mbretëresha e Shqiptarëve”.

Hungaria e ka mbështetur në mënyrë të pakushtëzuar integrimin e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Në mënyrë të veçantë e falënderova miken hungareze për mbështetjen në kuadër të Konferencës së Parë Ndërqeveritare në korrik të vitit të shkuar dhe shpreha besimin se brenda këtij viti, falë edhe mbështetjes hungareze do të bëhet e mundur mbajtja e takimit të dytë.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, vlerësova angazhimin e madh të Hungarisë për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe kontributin e gjatë me trupa ushtarake në Kosovë, në kuadër të misionit të KFOR-it.

Nënvizova rëndësinë gjeopolitike që ka rajoni i Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kushtet e reja gjeopolitike, ku aktorë keqdashës, kërkojnë destabilizimin e tij, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek rëndësia që ka mbështetja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe mbështetja e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe atë në Këshillin e Evropës.

Hungaria është prezente në rajonin tonë me investime, por edhe me mbështetje politike dhe teknike, e realizuar kjo edhe në kuadër të bashkëpunimit me Grupin e Vishegradit, duke dhënë një ndihmesë të vyer për funksionimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, sipas modelit të Fondit të Vishegradit.

Në fund, por jo për nga rëndësia, vlerësuam edhe bashkëpunimin shumë të mirë në kuadër të organizatave ndërkombëtare, e reflektuar kjo edhe në mbështetjen e kandidaturave reciproke, në këto organizata.

Vlerësova në këtë kuadër, mbështetjen që Hungaria i dha kandidaturës së Shqipërisë për të qenë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjatë periudhës 2022-2023.

E falënderoj edhe njëherë Presidenten Novak për pranimin e ftesës dhe i uroj vijim sa më të këndshëm të vizitës në Shqipëri, së bashku me delegacionin që ajo kryeson.