Presidenti Begaj: Asambleja e Përgjithshme e OKB është moment i rëndësishëm për bashkëpunimin ndërkombëtar

6
Sigal

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, prof.dr. Bajram Begaj, i cili ndodhet në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kryesimin e delegacionit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, që  merr pjesë në javën e punimeve të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara tha përmes një reagimi të hënën se “Asambleja e Përgjithshme e OKB është një moment i rëndësishëm për bashkëpunimin ndërkombëtar. “Java e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB po fillon. Ky është një moment i rëndësishëm për bashkëpunimin ndërkombëtar, mbushur me takime bilaterale dhe diskutime me liderë të tjerë botërorë”. Presidenti i Shqipërisë është pjesë së bashku me kryetarët e shteteve të 193 vendeve anëtare të OKB-së në këtë sesion. Presidenti shqiptar do të mbajë fjalën, në cilësi kombëtare, në Debatin  e Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në 21 shtator 2023, ndërsa pritet të marrë pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm, i cili do të mbahet në Nju Jork, në vigjilje të Sesionit të 78-të të AP të OKB. Edhe në këtë forum, Presidenti do të mbajë fjalën, në emër të Shqipërisë, në Segmentin e dedikuar të Dialogut të Udhëheqësve, përkrah kryetarëve të delegacioneve zyrtare  të vendeve të tjera.