Presidenca shqiptare: Turp dhe e papranueshme parulla pardje në “Selman Stërmasi”

433
Sigal

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, e ka cilësuar të papranueshëm sjelljen e tifozëve të partizanit një ditë më parë në stadium, gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu. I pyetur nga gazetarët për banderolën e shpalosur dje në stadium, e cila lidhej me ngjarjen e Bularatit, ku mbeti i vrarë 35-vjeçari grek, Blushi thekson se presidenti Meta, kërkon hetim dhe transparencë të ngjarjes. ‘Presidenti i Republikës, SH.T.Z Meta, vlerëson rëndësinë e hetimeve transparente e shteruese dhe shpreh bindjen e thellë se kjo është një ngjarje e izoluar, e cila nuk mund të zbehë miqësinë shqiptaro-greke. Minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi do vazhdojnë të jenë ura solide të këtyre marrëdhënieve dhe kësaj miqësie. Presidenti Meta vlerëson qëndrimet e ministres së Kulturës së Greqisë lidhur me ngjarjen dhe u bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive. Në të njëjtën kohë Presidenti Meta thekson se parulla e shfaqur dje në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi” gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu është, jo vetëm e papranueshme, por thellësisht e dënueshme. Një parullë e tillë antisportive dhe raciste është edhe një fyerje për korifenjtë e futbollit shqiptar që nderuan fanellën e ekipit tonë kombëtar duke pasur kombësinë greke. Sidoqoftë këto ngjarje të izoluara duhet të na shërbejnë si një kambanë alarmi për të parandaluar dhe frenuar që në gjenezë pasojat e gjuhës së urrejtjes mes popujve tanë’, deklaroi zëdhënësi i Presidencës Tedi Blushi.