“ Preke publikun atje ku i dhemb, që të të ndjejë”

881
Sigal

INTERVISTA/ Flet “Artist i Merituar”, Astrit Çerma: “Misioni i artit është të pasurojë shpirtërisht njerëzit”

Astrit Çerma, “Artisti i Merituar”, ka luajtur në 70 role në teatër dhe në kinema dhe ka shkruar mbi 200 skeçe, dramën  “ Hakmarrja” në 1976, komedinë” Qytetrrethimi”, në 1998, ka botuar libër me esse, tregime, poezi, por, që të jepnim portretin artistik të Astrit Çermës, në vend të parathënies biografike, po japim poezinë e tij.

Me SPIRO DUNIN
(Dhe me të tjerët natyrisht)

Le te pimë…
Te ngrihet sipari,
Te ulet sipari,
Aq sa katërkëndeshi i skenës,

Të zbuloi shpirtin tonë,
Sakatosur nga koha.

Atë shpirtë,
Që dikur e dikur,
Shumë ditë dhe shumë net më parë,
Ka qenë shpirti i të gjithëve.
Po s’u kthyem humbasim vetveten,
Humbasim ardhjen dhe ikjen…
Ohhhh…
Shpirti ka disa labirinte
Qe askush nuk i di,
S’duhet ti dije,
Labirinte të siparit të skenës

Ku e qeshura lehtësoi të qarën,
Ku e qara ndolli të qeshurën.
Shkundini portat e kujtesës,
Në s’hapen,ju lutem,mos i shqyeni,
Shqyeria të shqyen
Siç po na shqyen…
E kaluara nuk na tremb,
Ata që kanë trembur le të tremben.
Le të pimë:
Çdo gllënjkë një shfryrje,
Çdo shfryrje një dhimbje,
Shfryrja për atë që s’na mundi dot,
Dhimbje për këtë që se mundim dot…

 – Jeta jonë kulturore, përse është varfëruar? Përse ne tregojmë sot më pak interes për filmin, për teatrin, për librin? Dikur kishim idhuj personazhe nga filmi, nga teatri, nga libri. Përse këta personazhe për ne sot janë në mos të huaj, të shpërfillshëm për ne?

– Ne tregojmë pak interes për filmin, teatrin, librin, sepse filmi, teatri, libri (e te tjera), nuk tregojnë interes për ne. Bile, në shumë e shumë raste as kanë të bëjnë fare me ne. Në fushën tonë të artit, (edhe në të tjera fusha) po përsëritet  fenomeni i dikurshëm. Pushteti sotëm po bëhet më i rrezikshëm, sesa ai i djeshmi. Të “paaftët e përgjegjshëm” të asaj kohe, janë zëvendësuar dhe po zëvendësohen me “të paaftët e pa përgjegjshëm”, të kësaj kohe. Ky fenomen po e kalb artin dhe kulturën, sepse, duam apo s’duam, hallkat lidhëse të artit në përgjithësi dhe të artistit në veçanti, përpara se të përcillen tek publiku, filtrojnë në hallkat e pushtetit. Ai lidh dhe zgjidh qesen, jo vetëm të rrogave, por edhe të marrëdhënieve të artit dhe kulturës i duhen të shtyjnë përpara. Lexova një dramë para ca kohës. Vetëm në skenën e parë “mallkohesh”e shkuara 36 herë me nofkën “shtriga diktature”, dhe lëvdohej e sotmja 42 herë me sloganin ‘”lumë ne për këtë demokraci”. Të mos e përmend, pastaj, fjalën “liri”. Më propozoi dikush te vija e të luaja në një dramë, ku personazhe ishin Hitleri, Frojdi dhe një kameriere!!!..Lidhi po deshe hallet, problemet, temat dhe idetë që kanë këta tre personazhe me hallet, problemet, temat dhe idetë që kanë tre milionë shqiptarët… Më ‘93 vura në skenë komedinë e Dario Fo-së  “Njeriu me frak dhe njeriu lakuriq”. Natën e premierës, kur dola jashtë, më prisnin 5 nga ato “gangot” e Elbasanit. Më ftuan për kafe. – O byrazer- më tha “kapua”,- e do troç? Kur pamë atë  “njeriun lakuriq”, tek reklama, thamë me vete: “Hë. Plasi peshku edhe në  teatër”. Mirëpo sot, kur e pamë, na doli ndryshe…Ne jemi këta që jemi, po…Kemi edhe ne familje, nana, gra, motra, kushërira…Duan të dalin se u mykën në shtëpi, po, ku t’i çosh? Kinemaja ka mbetur, po,atje të mbyt p…i, apo s’i thonë,  nime seksi…Ty të faleminderit shumë po, për nesër i duam nja 30 copë bileta… Dhe atë shfaqje, si dhe te të tjera, e kishin në repertorin aktiv deri në ’98,  kur u largova…

– Përse me ne shqiptarët ndodh varfëria e jetës kulturore? Mos vallë, nuk ndjejmë (ose e ndjejmë shumë pak) nevojën e brendshme që të pasurohemi shpirtërisht?

– Për mendimin tim, ne kemi një publik të mrekullueshëm, që, pavarësisht varfërisë materiale të herëpashershme, ka ditur si ta ushqejë gjithnjë pasurinë shpirtërore. Dhe, sidomos, artistikisht. Por publiku, ka kërkesat e tij. Kur ti si krijues shkëputesh nga kërkesat e tij edhe ai, publiku, shkëputet nga ti. Pseudoartista kanë zaptuar skenat, ekranet dhe auditorët në dy drejtime. Së pari, duke tundur fort flamurin në drejtim “të shkrirjes” me publikun, kanë lëshuar banalitetin, imoralitetin në të gjitha drejtimet. Mos flas pastaj për thjeshtëzimet, deri në amatorizëm. Së dyti, po, duke tundur fort flamurin në drejtim të “daljes nga korniza”, kanë ftuar në skenë modernen, absurden, e turli lloj-izmash. Dihet, kur një artist e çon veten në nivelin e publikut, ai ka marr fund. Ama, edhe kur një artist e kapërcen fare publikun, s’vlen për askënd. Kur morëm pjesë në një festival në Asti të Italisë, përherë të parë, m’u dha rasti të  shoh dy aktorë të zhvishen fare lakuriq në skenë. Dy personazhe:. Një prostitutë, figurativisht e pastër nga jashtë (lahej vazhdimisht) por e pistë nga brenda, (shpirtërisht) dhe një grua shtëpiake, e pistë nga jashtë (nuk lahej kurrë), por e pastër nga brenda. Pastronin njëra tjetrën. Një regji e mrekullueshme dhe me dy aktorë të mrekullueshëm, me një interpretim të mrekullueshëm , gërshetuar brenda temës dhe idesë, që e mbulonte lakuriqësinë. Por, mbi të gjitha, me një publik të mrekullueshëm me një nivel të tillë, që e ushqente shfaqjen. A i kemi në këto?..Sidomos publikun. Sepse, edhe publiku ka nivelin e tij, kërkesat e tij.

Mos vallë, nuk ndjejmë(ose e ndjejmë shumë pak)nevojën e brendshme që të pasurohemi shpirtërisht?

– Në shtator të ‘97 shkruajta komedinë “Qytet-rrethimi” dhe e vura në skenë në teatrin tonë të Elbasanit. Ishte një komedi për atë tragjedi që, në një farë mase, akoma e përjetonim. Në ato net, kur kishe frikë të nxirrje hundën përjashta, çuditërisht shfaqja s’kishte nevojë as për “reklamë”. Për çdo natë, biletat shiteshin që në mëngjes. Dhe vetëm falënderime e falënderime nga publiku. Vrisja mendjen , përse e ndjekin kaq shumë? Komedia? Tema? Vënia në skenë? Loja e aktorëve? Situatat, dialogët dhe batutat komike? Këto po, por, ishte edhe diçka tjetër. Një spektator ma thotë ashtu fluturimthi: “Qeshim me aktorët, Astrit, por qeshim edhe veten, sepse këtu më pak edhe atje më shumë, ato situata të komedisë, i kemi kaluar edhe ne…Qeshim edhe lehtësohemi, nga “ai budallallëk” që kaluam, shpëlahemi, pastrohemi dhe shplodhemi shpirtërisht nga ajo marrëzi e frikshme që përjetuam”…Preke publikun atje ku i dhemb, që të të  ndjejë….Thuhet,  se “Diktatura investoi për artin e kulturën, që të helmonte me ideologjinë e mbrapshtë të saj, sidomos rininë”. Dakord. Po ti moj zonja Demokraci, ç’bëre dhe ç’bën? Ku investon ti? Çfarë investon ti? Për kë investon ti? Historia e artit na rrëfen se në fund të fundit: “Arti është edukim”. Çfarë edukon është tjetër gjë. Hidhini një sy historisë të tij, edhe ai, i ashtuquajturi “art për art” ka shtratin e tij, ku një masë e tërë, apo një pjesë e vogël e publikut, ka shtrirë hapin. Edukimin nga arti e ndajnë shushunjat e artit. Një artisti, publiku, i’a fal deri në një farë mase: “Çfarë bën? Si e bën? Dhe sa e bën”, por, nuk mund ta falë të mos e dijë  “Pse e bën?”…Dhe kur s’di, pse e bën,,nuk e di as për kë e bën…Ç’të ndjej publiku!…

– Jetoni në një shoqëri të zhvilluar kapitaliste. Doja t’ju pyesja: Mos vallë është sistemi kapitalist ai që e zhvesh njeriun nga interesat për t’u pasuruar shpirtërisht?

– Nuk mund ta besoj. Por, që t’i përgjigjesh, deri në një farë mase drejt kësaj pyetje, unë mendoj se, në një farë mënyre, duhet ta përjetësosh këtë “shoqëri kapitaliste” me tërë vëllimin e saj, gjë që, për ne,t ë ardhurit, është shumë vështirë Aq më keq për ne, që kemi gëlltitur aq shumë nga komunizmi enveristo-stalinist. Por, një e vërtetë është më se e vërtetë: Arti këtu zien edhe vlon me të gjitha potencat, në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat…Për çfarë? Natyrisht, për pasurimin shpirtëror, të njerëzve… Ky është misioni i tij…

– Që i vogël, ëndrra e juaj ishte të bëheshit aktor?

– Ne ishim 7 fëmijë, që rrokulliseshim njëri pas tjetrit, që të mbushnin barkun me bukë. Ka pasur fëmijë, që ëndërronin të veçantën, unë i kam ëndërruar të gjitha, sepse,përjashto dashurin e prindërve, të motrave e të vëllezërve, të gjitha më kanë munguar. Fillimisht, kam pikturuar. Kopjoja, gjithmonë, duke i zmadhuar, çgjeja, por, sidomos portrete. Në atë kohë, 7-8 vjeç, dhurata më shtrenjtë më është bërë nga një ruse. Ishin familje specialistësh rusë të uzinën së naftës në Cërrik. Një pako lapsash me 18 ngjyra. Edhe lexoja shumë. Në shtëpinë tonë, përjashto nënën dhe babën, që kishinhalle, si të na rrisnin, të gjithë lexonim. Megjithëse, që kur isha 12 vjeç, kam luajtur në pjesën me një akt, shkruar, (ndofta gaboj ) S.Frashëri: “Abetarja”. E mbaj mend edhe emrin e rolit, Mitrua. Unë asnjëherë nuk i’a kam pohuar të tjerëve dhe as vetes se “dua të bëhem aktor”, por edhe në “tetëvjeçaren”, në Cërrik, edhe në tekniken në Tiranë, edhe gjatë një viti që punova në fonderi po në Cërrik, para se të veja në Institutin e Lartë të Arteve, nuk i jam ndarë skenës…

– Erdhi rastësisht qasja juaj në botën e filmit.

– Kam bindje të plotë që “qasjen” jo vetëm tek filmi, por edhe në fusha të tjera dhe jo vetëm të artit,t ë gjithë, e kanë patur…rastësisht. Aaaa,..Se kë quajnë “rast” pastaj, është tjetër punë. Grupi i filmit “Brazda” që shkonte të xhironte në Korçë, qëndroi për një kafe në Elbasan. Unë, rastësisht hyra në kafenenë, ku në një tavoline ishte regjisori i filmit Kristaq Dhamo dhe Demir Hyskia.- Ja, – tha Demiri, duke më treguar mua,- Goxha aktor të rinj…Merri, o Kristaq.,- E marr,- tha Kristaqi, – se më duhet për një rol të vogël, po a e lejoni ju të teatrit?…- E rregullojmë atë punë,- tha Demiri. Dhe e rregulloi. Mbas një jave shkova në Korçë, por..prapë rasti…Pero Gjezi, që do të luante ndihmëstraktorist Zenelin, kishte fituar konkursin dhe do të fillonte Institutin, ndaj duhej zëvendësuar. Më propozoi ish shoku i kursit, “traktoristi” Pandi Siku dhe unë mora rolin e Peros. E desh rasti që asistent tek filmi “Në fillim të verës” të ishte Esat Mysliu. Ai kërkoi, që mbas 10 kinoprovave me aktorë të ndryshëm, të isha edhe unë i 11-ti..Unë fitova…

Sa janë shkëputur shqiptarët nga mentaliteti i asaj ideologjie komuniste dhe sa përpiqen që të emancipohen me kulturën e vërtet demokratike?

-.Unë kam bindjen se nuk ka pasur përmbysje komunizmi dhe nuk ka. Ka vetëm retushim. Le ta bëj, qoftë edhe secili, një hesap, ashtu, fluturimthi dhe do të shohë se do të përballet vetëm me ish-komunist, me pinjoll komunistësh, me zagarë, lakej dhe spiun…Vini re fjalimet e diskutimet e kryeministrit, ministrave, deputeteve, politikaneve, emisionet e lajmeve, intervistat, debatet, kritikat e librave ose të shfaqjeve, tekstet e mësimdhënieve, pyetjet e provimeve…A nuk të duken sikur kanë buruar nga përtypja e ripërtypja dhe shtrydhja e cikleve nga “format e edukimit”, që zhvillonte vazhdimisht dhe me trysni partia e dikurshme? Qoftë me humbje dhe qoftë pa humbje, që të shkëputesh nga e kaluara, duhet t’i lash hesapet me të, ndryshe, ajo të ndjek nga pas dhe nuk të lë të bësh cap. Një nga “hesapet e qëruara” ishte hapja e dosjeve. Nuk u hapën. Pse…Hë…..Nuk u hapën, që të hapen kur duhen mbyllur disa hesape ,dhe të mbyllen kur duhen hapur disa hesape. Ky është “hesapi”që politikanët, partiakët, qeveritarët, zyrtarët dhe off comp. tjerrin dhe çtjerrin nëpër tribuna, podiume edhe tryeza për njëri tjetrin, ky është, fatkeqësisht, edhe “hesapi” që intelektual, të arsimuar, të nderuar, të persekutuar, të punësuar dhe të papunë, injorantë dhe me kulturë, more edhe brenda edhe jashtë vendit, tjerrim dhe çtjerrim për njeri tjetrin, nëpër auditorë, studio, zyra, shtëpira, kafene, rrugë edhe sheshe…Jashtë këtij “hesapi”, guxo dhe dil po ta mbajti…Psikiatria është pak…

– Kur përditë, duke u ngritur çdo mëngjes e deri sa erret, kemi bërë slogan “duam të vemi në Europë”, me sjelljen tonë, si shtet, si shoqëri, sa kontribuojmë në këtë dëshirë që shprehim?

– Të gjithë kombet dhe shtetet precipitojnë nga e kaluara e tyre atë humus që i ushqen drejt civilizimit. Tek ne, në këto 100 vjet pavarësi, të gjitha qeveritë tona, njëra pas tjetrës ,fatkeqësisht, kanë fshirë njëra tjetrën me nam e me nishan. Çdo pushtet i ri që vjen, gjëja e parë që bën ,zhduk çdo gjurmë të paraardhësve, more, edhe lodrat e kalamajve. Shkohet kështu në Europë? Ja,shkove, po ku do të qëndrosh? Si do të qëndrosh? Ku e ke shpirtin publik? Misionin? Idealin? Ndershmërinë? Kemi mbetur lakuriq në rrugën drejt Europës. E keqja është se edhe kur duam të vishemi, duam-s’duam, ose do të blejmë në dyqanet majtas rrugës, ose djathtas rrugës. Bleve majtas, je armik për të djathtët. Bleve djathtas, je armik për të majtët…Për çfarë të na dojë Europa? Eeee? Për muze…?

– Si mbyllje hë për hë për politikën?

– Si mbyllje?…Ja, një vjershë shkruar para disa vitesh: Ç’mbeti nga komunizmi e gëlltitën komunistët/Lakuriq kurvërojmë me demokracinë/

Gjysma tundin vidhet pragjeve të botë/

Gjysma “lopthi”e ngre Shqipërinë…

– Cila është përshtypja që të shprehin amerikanët për Shqipërinë?

– Një pjesë e mirë e amerikanëve nuk dinë ku është Alaska e jo më të dinë për Shqipërinë. Kur i themi se jemi nga Albania, – Ooo Alabama. Okej,okej…-të përgjigjen. Amerika është një vend me hapësira të çuditshme, ku të gjithë janë të barabartë. Por, të barabartat varet si kërkon, si i përvetëson dhe si i zbaton. Shteti ku jetoj, Masscustes,  me qendër Bostonin,mund të thuash me plot gojën “gëlon”nga shqiptarët, të qëkurshëm dhe të ardhur. Ka kohë që parlamenti i shtetit, 28 Nëntorin e ka konfirmuar zyrtarisht festë kombëtare të shqiptarëve. Ngrihet flamuri në Boston në çdo 28 nëntor në pranin tonë dhe të personaliteteve amerikane. Në shkolla për fëmijët shqiptarë është ditë pushimi. Në çdo institucion ke të drejtën e përkthyesit për gjuhën anëtare…

– Cili është Astrit Çerma tashmë larg artit, larg roleve?

– Ai që ka qenë. Tit Çerma. I lindur Elbasanas. I shartuar Cërrikas. Edhe “burimi” edhe “rrjedha” nuk ma kanë ushqyer tjetërsimin në çfarëdo lloj pozicioni që jam vënë. Kam mbetur ai që jam, sepse unë asnjëherë nuk kam qenë “Titan”. Më ka pëlqyer të jem gjithmonë i barabartë me të barabartët. Dhe,kam ndjerë gjithmonë kënaqësi, një kënaqësi pa “bujë e zumra”, një kënaqësi që edhe të tjerët i ka mbushur me besim. “I pari”, ‘I madhi”, “Titani”, (siç i kam njohur unë disa biçima) më kanë krijuar mendimin, se kanë diçka prej kafshe: në mos pangopeshin, pa tjetër lakminë…Ndoshta dhe kam vepruar gabim, sepse,jo vetëm disa tipa, por,edhe institucione, e donin portën surratit…

I mbani mend emocionet e rolit të parë? Mund të na i rikujtoni?
Roli i parë ku?..Isha studente, por njëkohësisht edhe aktor i emëruar, me rrogë, në “Teatrin e të Rinjve”, që krijoi i madhi Kujtim Spahivogli tek Instituti i Lartë i Arteve. Aty, për herë të parë, ndjeva “peshën” e një roli dhe emocionet e tij. Ishte drama e Kiço Blushit “Midis dy njerëzve” me regji të Kujtimit. Kisha një nga tre rolet kryesore, “burrin A”. Pothuajse çdo natë, kur mbaronte shfaqja dhe përshëndesnim publikun nga salla dëgjoja një thirrje të gëzuar: – Të lumtë, o Titi i Dejës…Kështu më thërrisnin dhe më thërrasin cërrikasit, me emrin e nanës…

Keni dështuar në ndonjë rol?

– Në  kinematografi, me “rolin e parë”, kam dështuar. Ishim studentë dhe shkonim figurantë në filma “për një dorë pare”. Hysen Hakani tek filmi “Njësiti gueril” më filmoi një portret. Si roje tek prerja e dritave në burg. Kur doli filmi më kishin hequr fare… Tek Zeneli i “Brazdave” ishim pothuajse të gjithë aktorë të rinj, që filmoheshim për herë të parë dhe pothuajse të gjithë nuk i dinim “hilet”e xhirimit, që kryesisht ngjallin emocione. Pastaj, filmi u xhirua në Vlorë. Me bukurinë e saj dhe me “bukuritë e tjera”, me rininë tonë dhe me emrin “aktor filmi” kishim të tjera…emocione. Në teatrin “Skampa”, ku fillova punën më ‘93-shin, rolin e parë e pata tek drama e Serafin Fankut “4 nga armata” vënë në skenë nga Xhelal Bilali, ku zëvendësova një aktor në rolin e Palit. Natën e parë, kur dola në skenë, për bela, brezi më shthuret nga beli dhe salla qeshi. E humba paksa toruan, po…vazhdova. Ishte një skenë, ku bashkë me gruan shkonim për të uruar për ditëlindje dhe për dhuratën grindeshim, si e si t’ia linim njëri- tjetrit në dorë. Më në fund, më mbetej mua. Rënkova: “Ehh…Ma la, se ma laaa…”Salla shpërtheu me të qeshura e duartrokitje…Jo emocione, po…Ishte kontakti i parë me spektatorin e mrekullueshëm elbasanas.
– Çfarë është talenti? Lind apo kultivohet?
–  Talenti? Hë. Çështje mase. Deri në çmasë shpirtin e zhyt tek e rëndomta, për të zbuluar aty hyjnoren”. Në këtë botë, ndryshe nga gjallesat e tjera, njeriu ka privilegjin e madh të lind i talentuar.

 Heshtja më tërbonte:

– Ka një diçka gjithnjë përtej një diçkaje. Ka…Ndryshe s’do të kishte kuptim asgjë. Ka një gëzim përtej gëzimit;një vuajtje përtej vuajtjes;një dashuri përtej dashurisë,një jetë përtej jetës…Patjetër…Ç’kuptim do të kishte?!..Hidhja vështrimin sa andej e këndej por,nuk gjeja dhe nuk gjëja një fytyrë,pa le një shpirt ku të zbrazja klithmën… Do të plasë…Ashtu siç plas një vozë me vere…Njeriu ka nevojë të shpërthej ndryshe…Përtej:asgjë…E dhe me përtej:asgjë…Klithma e heshtjes sime po më tërbonte:- Edhe Krishtin e shitën dhe e blen?!.Pa tjetër…Vetëm engjëjt janë engjëj… Ne, jemi të mirë ose të këqij-një raport që del nga të kundërtat e kohës dhe mjedisit kur jetojmë…Klithma…Jo unë…Klithi diçka përtej meje…- Nëse kam lindur në një kohë tjetër është faji i të tjerëve…Nëse nuk e jetoj këtë kohë është faji im…Klitha!…Po,kush më dëgjojë?!.. Ndoshta përtej…
Shqipëria është në rrugën e duhur të progresit të saj?

– Me sa di unë, popujt në vendet e tjera, historikisht, në rrugën e tyre, drejt progresit, studiojnë me fakte nga vinë, analizojnë me fakte ku janë, dhe përcaktojnë, po me fakte, ku do të shkojnë. Ne kemi metodën tonë. Mallkojmë me parulla rrugën nga kemi ardhur, zbukurojmë me parulla atë ku jemi dhe himnizojmë, po me parulla, atë ku do të vemi. Le,  pastaj, nga sa marrim vesh nëpërmjet gazetave, radiove, T.V-ve dhe më the e të thashë, rrugët në vendin tonë që para projektimit e kanë “dragulakun” e korrupsionit brenda, le pastaj të tjera e të tjera…Edhe kjo “rruga e progresit” nuk besoj t’i ketë “këllqet” e duhura për të çarë përpara…

– Ju faleminderit?!