Pranimet e reja në PS: Shqipëria ka nevojë për shpresat dhe energjinë e gjeneratës më të re

Jakup B. GJOÇA

Kryeministri Rama në Lezhë: Shqipëria ka nevojë për shpresat, energjinë, e zemërgjerësinë e të gjeneratës më të re

Sigal

Protesta në Lezhë: Rilindja na ka vrarë shpresën. 79 % e të rinjve duan të lënë Shqipërinë

Dje kryeministri Rama u takua me të rinjtë në Lezhë, në kuadër të fushatës të pranimeve të reja në PS. Kryeministri Rama u tha të rinjve në takim, se Shqipëria ka nevojë për shpresat, energjitë e zemërgjerësinë e të rinjve, duke aluduar ndaj një sondazhi të publikuar një ditë më parë nga GALLUP, ku theksonte se 79 % e të rinjve duan të largohen nga Shqipëria.

 

Rama: PS-ja në proces ripërtëritje

 

Falënderoj të gjithë ata, të cilët sot janë këtu për të kurorëzuar, si të thuash, atë procesin e përfshirjes në Partinë Socialiste, si pjesë e forumit, por edhe për të marrë kartën e anëtarësisë në Partinë Socialiste, duke qenë i bindur që ajo që tha Lindita është, jo vetëm e vërtetë, por është dhe një shtysë e rëndësishme për të çuar më tej këtë proces ripërtëritjeje, pasi Partia Socialiste edhe në këtë qark, edhe në këtë bashki, ka nevojë të ripërtërihet në vazhdimësi. Ka nevojë që të ketë gjithmonë e më shumë përmasën e ëndrrave dhe të shpresave të gjeneratës më të re, ka nevojë të ketë energjinë dhe zemërgjerësinë e më të rinjve, pasi në shumë zona, në shumë qendra, vuan nga mbyllja dhe nga një lloj vjetërsimi, për shkak të mbylljes. Ne duhet ta çajmë së bashku këtë formë rrethimi që i bëhet strukturave të Partisë këtu apo atje, si rezultat i refuzimit për të parë përtej mureve dhe si rezultat i moskuptimit të një nevoje themelore që Partia të reflektoje shoqërinë, që partia të reflektojë atë që është shoqëria sot dhe pastaj duke reflektuar, të rrezatojë vizion dhe të rrezatojë forcë qëllimesh të përbashkëta për të ardhmen. Shumëkush thotë me kollajllëk që “nuk merrem me politikë”, “nuk dua të di për politikën”, “nuk dua t’i dëgjoj as emrin” dhe gënjen veten, sepse politika nuk është diçka së cilës ti mund t’i shpëtosh, askund, edhe në vendin ku jeton, edhe matanë vendit ku jeton, ti nuk i shpëton dot, sepse politika merret me ty, merresh apo nuk merresh ti me të dhe sa më pak njerëz të merren me politikën, aq më shumë rrezikojnë të vuajnë për shkak të vendimeve të gabuara dhe veprimeve të dëmshme që politika mund të bëjë kur mbetet në dorën e shumë pak njerëzve.

Rama: Politika ka bërë dhe të këqija të mëdha

Nëse politika nuk e çan kokën për atë shërbim, ti nuk e merr kurrë, e ti thua, “hë mo, se këta janë të gjithë njësoj”. Jo mo, nuk janë të gjithë njësoj. As në pyll nuk janë të gjithë njësoj. As brenda të njëjtës specie, nuk janë të gjithë njësoj. Edhe delet që duken njësoj, po t’i shohësh me kujdes, janë të gjitha ndryshe, jo më njerëzit dhe jo më pastaj kur vjen puna te dallimet që njerëzit kanë në idetë. Më vjen shumë mirë, që jam këtu për të folur me një grup njerëzish që i përkasin një gjenerate tjetër dhe që bëhen pjesë e PS, bëhen pjesë e rrugës sonë të përbashkët. Unë kam shumë besim që ne kemi mundësi të bëjmë shumë më tepër sesa kemi bërë. Natyrisht, hap pas hapi. Një gjë të fundit kam. Nëse sot ne kemi një brez 30-vjetarësh që paguan koston e mungesës së reformave që duhet të ishin bërë qysh në vitet ’90, ne nuk mundet dot që fëmijëve të sotëm t’ju bëjmë të njëjtën gjë. Reformat që ne bëjmë sot janë baza e asaj që do të jetë Shqipëria nesër.