PL mbledh Komitetin Drejtues, Meta: Kuvendi është rrëmbyer nga qeveria, veprimtaria e opozitës e kufizuar me ligje të posaçme e përjashtime

22
Sigal

Partia e Lirisë ka zhvilluar ditën e sotme Mbledhjen e Komitetit Drejtues, ndërsa kryetari i kësaj force politike Ilir Meta ka deklaruar se Shqipëria sot është kthyer në narkoshtet.

Sipas tij llogaridhënia është asgjësuar dhe Kuvendi është rrëmbyer nga qeveria duke kufizuar me ligje të posaçme e përjashtime veprimtarinë e përfaqësuesve të zgjedhur të opozitës.

Meta theksoi se ky “degradim demokratik ka prodhuar edhe rrënim ekonomik dhe shpopullim dramatik të vendit”.

“Shqipëria sot është një narkoshtet, ku:

– Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë rrëmbyer nga mafia në pushtet;
– Ku sistemi i kontrollit dhe balancave nuk ekziston për shkak të kapjes së shtetit;
-Ku llogaridhënia është asgjësuar;
– Kuvendi siç e shikoni është rrëmbyer nga Qeveria dhe veprimtaria politike e përfaqësuesve të zgjedhur të opozitës në Kuvend dhe pushtet vendor është kufizuar me ligje të posaçme dhe përjashtime;
– Ku Opozita “emërohet” me vendime gjykatash dhe drejtuesit e saj realë arrestohen, izolohen, kërcënohen dhe shantazhohen;
– Ku drejtësia është kapur në mënyrë mafioze dhe funksionon me regji duke bërë goditje selektive sipas interesit politik të ditës së Kryeministrit dhe në shërbim të agjendave elektorale të tij.
Dhe natyrisht që ky degradim demokratik ka prodhuar rrënim ekonomik dhe shpopullim dramatik të vendit.
Sipas INSTAT, nga viti 2011 deri në vitin 2021 mesatarisht 41 mijë qytetarë kanë emigruar çdo vit.
Në 10 nga 12 Qarqet e Shqipërisë kemi një zbrazje demografike.
Ndaj edhe të dhënat e Censusit se sa shqiptarë kanë mbetur në Shqipëri po mbahen sekret.
Të dhënat e EUROSTAT-it bëjnë të ditur se rreth 78% e totalit të aplikimeve për azil, janë nën moshën 34 vjeç, pra forca më aktive e vendit dhe shoqërisë.
Ky nivel kaq i lartë i migrimit potencial, vërehet edhe në universitetet e vendit ku thuajse 79% e rinisë universitare dëshiron të emigrojë pas studimeve”, u shpreh Meta.