Petrit Vasili: Kryeministri ka bërë një thirrje që nuk është dëgjuar në 70 vite

533
Sigal
Fushata është në fazën e fundit të saj dhe drejtuesit e partive kryesore janë duke u dhënë dorën e fundit takimeve dhe mitingjeve me qytetarët.

Këtë të mërkurë, përballë Sokol Ballës ishte kreu i LSI-së, Petrit Vasili.

Kjo fushatë do të mbahet mend për përballjen e fortë të LSI-së me PS-në, ose më saktë mes LSI-së dhe Edi Ramës dhe përfaqësuesve të tij në qeveri. Pyetja e parë për Petrit Vasilin lidhej me padinë e dërguar në prokurori nga forca politike që ai drejton ndaj Kryeministrit Edi Rama.

“Kemi bërë vetëm detyrën dhe është detyrimi ynë që të mos i mungojmë detyrimit ligjor pasi në sytë e publikut, qartazi Kryeministri ka bërë një thirrje që nuk është dëgjuar në 70 vite, kur i kërkoi Policisë së Shtetit që ajo të bëhet pjesë e fushatës zgjedhore. Kjo thirrje e pashembullt motivohej vetëm nga një arsye, ajo e rezultatit elektoral dëshpërues të Edi Ramës, që e imponon atë që të dhunojë institucionet e këtij vendi dhe të bëjë një thirrje të tillë, për të cilën pati edhe një ndjesë, që është e padëgjuar sepse ne jemi në një kohë kur kemi një task forcë shumë të rreptë, në limitet e një gestapoje, që po ndëshkon ashpër sipas ligjit zyrtarë të niveleve të ulta për një foto në takime elektorale dhe Kryeministri i vendit bën një thirrje të tillë që nuk mund të jetë një ndjesë pasi bëhet fjalë për dy standarde, një drejtësi për njeriun e thjeshtë dhe një për Kryeministrin”, tha Vasili. 

Kreu i LSI-së e quajti “këmbanë alarmi” deklaratën e Ramës. 

“Kjo është një këmbanë alarmi që shteti mund të transformohet po të jetë në duar të këqija si ky, mund të bëhet gjithçka vetëm e vetëm që ky të realizojë egoizmat politike”, shtoi ai. 

Pikërisht me këtë deklaratë të Kryeministrit, Petrit Vasili justifikoi edhe thirrjen e Ilir Metës për “armatosjen e qytetarëve”.

“Zoti Meta përdori në mënyrë të qartë, një mënyrë të foluri popullore për t’i vënë në dukje opinionit publik gjendjen e pasigurisë së jashtëzakonshme që krijoi Edi Rama me deklaratën e tij. Ishte shumë e qartë, mënyra, konteksti që Meta i tha ato fjalë, që ky Kryeministër është i gatshëm që të kthejë organizatat e rendit në skuadra partiake”, tha ai.