Përplasja e Ramës me fisin e Kajës në Bulqizë

2038
Sigal

INTERVISTA/ Pas incidentit flet kreu i Partisë Socialiste të Bulqizës Artur Kala: Ardit Kaja nuk ishte në mbledhje, por ndodhej në Bulqizë

 

Zoti Kala, a e kishit parashikuar atë që ndodhi në takimin e Partisë Socialiste të Bulqizës?

Të them të drejtën, nuk e kishim menduar se gjendja do të arrinte në ato përmasa, por gjithsesi ndonjë reagim edhe mund të kemi pritur. Natyrisht, e kishim menduar se mund të kishte ndonjë reagim të lehtë, për qejfmbetje, apo nga dëshira e deputetit, Kaja për të përfaqësuar PS-në edhe  në zgjedhjet e sivjetme.

A pati sharje dhe përleshje me grushte?

Jo. Nuk pati asgjë të tillë dhe incidenti në fjalë u zhvillua vetëm brenda disa minutash, ku ndërhyrja e kryetarit Edi Rama ishte energjike dhe korrekte, duke mbyllur gjithçka, shumë shpejt.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja ndodhi kështu. Në kohën kur e mori fjalën kandidati ynë, Shkëlqim Cani, në sallë pati disa fishkëllima dhe duartrokitje, duke përmendur emrin e deputetit Ardit Kaja. Kjo tërhoqi vëmendjen e të pranishëmve të tjerë dhe ne i bëmë thirrje që ata të pushonin. Më tej, disa prej tyre, vazhduan dhe pas ndërhyrjes së kryetarit Rama, gjithçka u mbyll.

Cilët ishin ata persona, që bërtisnin për Ardit Kajën?

Ishin pjesë të farefisit dhe lidhjeve shoqërore të Ardit Kajës.

Konkretisht, çfarë lidhjesh ka Ardit Kaja me ta?

Lidhje të afërta familjare dhe miqësore. Këtu mund të përmend edhe vëllain, nipin, apo ish shoferin e Ardit Kajës. Si edhe njerëz të tjerë, apo të njohur të tyre.

Sa vetë ishin gjithsej ata që kundërshtonin?

Mund të themi, rreth 10-20 vetë. Por salla ishte e mbushur plot dhe ta përbënin një pjesë shumë të vogël të të pranishëmve. Madje, njerëzit e tjerë kërkuan që ata të dilnin jashtë, për të mos bërë zhurmë në sallë. Pastaj, ndërhyri kryetari, Edi Rama dhe kaq ishte e gjitha.

Çfarë i tha Rama, atyre që po fishkëllenin dhe që po kundërshtonin?

Zoti Edi Rama i tha atyre që të pushonin. Pastaj, iu drejtua një nipi të Arditit duke i thënë që të dilte jashtë duke tërhequr edhe të tjerët, pa krijuar zhurma të panevojshme. Dhe ashtu ndodhi. Pas pak minutash ata u larguan dhe punimet tona vazhduan përsëri pa asnjë ndryshim të axhendës së tyre.

A i tha zoti Rama të pranishëmve, se Kaja nuk do të jetë kandidat?

Këtë gjë kryetari Rama ia ka sqaruar me kohë zotit Kaja. Por kjo që ndodhi ishte një incident që u krijua nga dëshira e Kajës për të përfaqësuar Partinë Socialiste në këto zgjedhje.

Po ju si kryetar kë do të mbështesni në të ardhmen, Kajën, apo Canin?

Unë do të mbështes zotin Shkëlqim Cani, i cili është kandidati jonë zyrtar. Ai është një profesor dhe njeri me vlera e virtyte të larta, njerëzore e profesionale.

Të pranishmit thanë se Cani dukej pak i tronditur pas ngjarjes, ju si mendoni?

Shkëlqim Cani është pjesë e elitës së vërtetë intelektuale dhe ai nuk dëshiron asnjë lloj incidenti. Prandaj, ndofta mund të ketë shfaqur ndopak shqetësim për atë që ndodhi dhe që në fund të fundit ishte e papëlqyeshme.

Po në të ardhmen, si do të veproni për të bashkuar të gjithë socialistët në mbështetje të kandidatit tuaj?

Unë do të përpiqem me të gjitha forcat për të mbrojtur dhe forcuar unitetin e të gjithë socialistëve të zonës sonë. Madje edhe me zotin Kaja dhe njerëzit e tij, do të bisedoj për të rakorduar qëndrimet tona, në mbështetje të punës së përgjithshme të Partisë Socialiste. Nuk duhet të harrojmë se edhe Ardit Kaja është një socialist i devotshëm dhe besnik, i cili e respekton vizionin dhe projektin e partisë sonë.

Përderisa mund të jetë i tillë, përse e ka larguar Rama?

Sepse mund të nevojitet për ndonjë kontribut tjetër, ku mund të japë akoma më shumë nga vetja e tij.

A mund të kuptohet ky sherr, si një “kazan” që po zien brenda PS-së, duke pritur shpërthimin?

Në asnjë mënyrë. Zoti Edi Rama është një personalitet i jashtëzakonshëm dhe shumë i nderuar, jo vetëm në degën e partisë sonë, por në të gjithë  zonën. Këtu Rama shihet si shpëtimtari i vërtetë i situatës, sepse ashtu siç e shohin, e gjithë Shqipëria po lëngon nën thundrën e Sali Berishës. Dhe kjo sëmundje që ka lidhje me emrin e Kryeministrit shqiptar, kërkon një ilaç, të fortë. Dhe këtë e ka marrë përsipër programi i Partisë Socialiste, e cila ka treguar kurdoherë se i mban të gjitha premtimet e dhëna. Në këtë kuptim, Edi Rama në Bulqizë, është njeriu më i nderuar dhe i respektuar. Por ju, si gazetar duhet ta dini se në partitë me demokraci të zhvilluar ndodhin edhe situata të tilla. Ndërsa në Partinë Demokratike nuk ndodh asgjë. Sepse po të kundërshtojë dikush, atëherë Berisha organizon inkuizicionin për ta larguar nga të gjitha strukturat dhe punët. Kurse PS-ja është e hapur ndaj debatit dhe e inkurajon debatin. Kështu që edhe me Ardit Kajën do të bisedojmë e do të organizohemi për fitoren e kandidatëve tanë kudo që të kemi mundësi të japim kontributin tonë.

PS incidentit në Bulqizë, Rama nxjerr nga salla 10 simpatizantë, Shkëlqim Cani ndërpreu fjalën deri sa të vendosej qetësia

 Socialistët e Bulqizës: Ata që bërtisnin ishin të paguarit e Berishës

Pa u mbyllur akoma kapitujt e sherreve të Partisë Socialiste në Kukës, mbrëmë në darkë, është hapur një vatër e re në Bulqizë. Këtë radhë, ashtu si edhe në Kukës, shkaku ishte mospranimi i një pjese të militantëve socialistë për ndryshimin e emrit të kandidatit të Bulqizës. Ngjarja është zhvilluar brenda një periudhe të shkurtër kohore, ku disa të afërm të deputetit Ardit Kaja kanë pezulluar për disa minuta mbledhjen duke thirrur: Ardit Kaja, Ardit Kaja! Kjo ka ndodhur sidomos në momentet kur pranë mikrofonit ka mbërritur për të folur, kandidati aktual i Partisë Socialiste, Shkëlqim Cani.

Incidenti

Incidenti i mbrëmshëm ndodhi gjatë një takimi të Partisë Socialiste në Bulqizë, ku disa kushërinj të deputetit Ardit Kaja kanë fishkëllyer dhe kanë përmendur emrin e tij, kur në sallë është ngritur për të folur kandidati Shkëlqim Cani. Mësohet se gjatë ditës së djeshme, deputeti Kaja nuk ka qenë i pranishëm në sallë, por ai është parë në Bulqizë duke biseduar me disa prej miqve dhe të afërmve të tij. Aktiviteti të nisur rreth orës 18:00 në Pallatin e Sportit, simpatizantë të PS-së kanë ndërprerë fjalën e Shkëlqim Canit duke brohoritur emrin e ish-deputetit Ardit Kaja. Turma e simpatizantëve nuk ka lejuar ligjërimin e zotit Cani për 10 minuta, ndërkohë mësohet se, është dashur ndërhyrja e kreut socialist për të qetësuar situatën. Kryetari Rama teksa u ka kërkuar simpatizantëve të largohen nga salla ku po zhvillohej takimi i është drejtuar me fjalët: “Bërtisni te mitingu i Berishës dhe jo tek i PS-së”. Më pas Rama u ka thënë: Kajën e mora në punë, por asnjë prej nesh nuk mund të jetë i përjetshëm, në detyrat që bën”. Me këtë rast, ai i ka sqaruar të pranishëmve se koha e Arditës Kajës, brenda selisë rozë, mund të ketë mbaruar.

Vazhdimi

Një pjesë e simpatizantëve kanë dalë jashtë, ndërkohë që aktiviteti ka rinisur sërish ku fjalën e ka marrë Kryesocialisti Rama. Gjatë fjalimit të tij Rama ka deklaruar se Ardit Kaja nuk do të jetë kandidat për deputet i PS-së. Lidhur me këtë ngjarje, disa prej të pranishëmve në takim u shprehën se “Berisha ka paguar disa individë që të prishnin mbledhjen e Partisë Socialiste. Por kryetari i kësaj partie në Bulqizë u shpreh se, ky ishte një incident i shkurtër dhe brenda pak çastesh gjendja u stabilizua. Më pas të pranishmit dëgjuan alternativat që afron kandidati Shkëlqim Cani, i cili synon tre prioritet kryesore të cilat janë, rruga e Arbrit, Statusi i minatorit dhe heqja e licencave abuzive si edhe dhe koncensionet.

 

Unë e mora në punë, por nuk jemi të përjetshëm

Tre pikat ishin objektivat e Shkëlqim Canit

1-Rruga e Arbrit që nuk e bëri Berisha

2-Statusin e minatorit

3-Do heqim licencat abuzive dhe koncensionet