Përparim Halili: Rama, shqiptarëve: Votoni “Rilindjen”, por ata e telendisin: “Njerëzit po vrasin veten për koren e bukës

484
Duket qartazi, që “Rilindja” sorosiane e instaluar prej kupolës së re e të vjetër të PS, po demaskohet përditë publikisht, në komunikimin e kryeministrit dhe kreut të Rilindjes me publikun në “FB”. Çfarë thonë shqiptarët për këto 3 vite e gjysmë? “Rilindja” erdhi në pushtet, me vota që i siguroi me premtime, të cilat jo vetëm nuk po i realizon, por edhe po shton abuzimet me koncesione klienteliste e korruptive, me shëndetësi të premtuar falas por që po rrjep shqiptarët. Me sektor nafte që po tallet me shqiptarët duke i lënë edhe pa paga mujore. Me tregje ushqimesh monopoliste vendas e importi, me taksa të shumta e të larta. Me administratë të tejmbushur me drejtues e nëpunës analfabetë, me ministra që shpërfillin shqiptarët e që vjedhin me tenderë të shumtë në miliarda lekë. Me importe plehrash të botës. Me mjekësi që vdes njerëz nga mungesa e ilaçeve dhe ilaçet e skaduara. Me fonde publike që përdoren për lukse zyrash, makinash, udhëtimesh me avionë, për mitingje e lyerje fasadash të zyrave. Për të gjithë këto zullume me bazë krimin ekonomik-financiar të inskenuar e të realizuar prej kupolës së PS, shqiptarët akuzojnë përditë, denoncojnë dhe kërkojnë shpëtim! Këto zullume, shqiptarët po ia përplasin përditë në fytyrë me fakte, kreut të partisë e të qeverisë së “Rilindjes”. kjo ndodhi edhe në komunikimin e djeshëm të kryeministrit Rama, me shqiptarët në “FB”. Kreu i “Rilindjes” u deklaroi shqiptarëve, se “ka ende shume për të bërë”. Por ata që komunikuan me kryeministrin, i thanë: Nuk është bërë asgjë dhe faktet, janë fakte që tregojnë se qeveria edhe ka dështuar edhe ka mashtruar në premtimet e veta, sidomos në punësimin dhe luftën kundër korrupsionit! Qytetarët janë të lodhur me komikllëkun e krenarisë së shtirur e false të kryeministrit Rama, I cili del e trumbeton përditë se gjoja shqiptarët janë të lumtur nën udhëheqjen e “rilindjes” së tij! Ja si shprehen shqiptarët publikisht në komunikimin me të: lerini batutat dhe llafet, por hapni vende pune zoti Rama, sepse shumë shqiptarë në mjerim po vrasin veten për koren e bukës, ndërkohë që ti dhe ministrat e tu pasuroheni me korrupsion me miliarda lekë. Boll me numra e shifra për jetë të lumtur për ekonomi të rritur si në vendet e BE, kur shqiptarët vuajnë për një kore bukë më keq se në vendet e Botës së Tretë!
Sigal