Përloti sot Parlamentin, elegjia e ish-studentes së “La Sapienza”-s që u duartrokit nga të gjithë

453
Nën kujdesin e kryetarit të kuvendit, Gramoz Ruçi parlamenti i parë rural ka mbyllur sot sesionin e parë pas tre ditësh, një platformë që në fokus ka zhvillimin rural për zgjidhjen e problematikave të ndryshme që hasin fermerët.
Por ndërsa të pranishmit kanë sjellë problematika të ndryshme duke kërkuar bashkëpunim dhe ndihmë për fshatin, ajo që ka bërë të gjithë të ulin kokat dhe të përloten ka qenë Rigerta Loku, një vajzë nga Mirdita, e cila pas diplomimit në “La Sapienza” ka ngritur bashkë me bashkëshortin e saj një fermë dhish.
Me tone të larta, të mprehta e herë-herë vajtuese, duke qarë e bërtitur për ndihmë për fshatin, Rigerta përveç historisë së saj tregoi edhe historinë për Kristinën. Ishte një shembull se në çfarë gjendje është fshati sot dhe për çfarë ka nevojë. Jo pak herë, politikanë e parlamentarë kanë ulur kokat por edhe e kanë duatrokitur.
Rigerta Loku ka mbaruar studimet 7 vjet më parë në “La Sapienza-s” në Romë dhe u kthye në Rubik. Ajo studioi shkenca politike në universitetin prestigjoz të dhe u specializua për marrëdhënie ndërkombëtare; dy diploma që i jepnin sigurinë se mund të ndërtonte një karrierë në qytetin e saj të lindjes në Veri të Shqipërisë por pasi nuk gjeti punë, me bashkëshortin e saj, Leonard Tusha vendosën të ndërtojnë fermën e tyre në fshatin Prosek, 6.5 kilometra larg qytetit të Rrëshenit.
NJË PJESË E FJALIMIT TË RIGERTA LOKUT
“Ejani ta shikoni, ejani në fshat se nuk vend ku ka hahet më mirë se në fshatrat tanë. Në doni bukë, kripë, ushqime e zemër bio ejani në fshat. Në doni qetësi e dashni ejani në fshat por do t’ju lutesha gjithsecilit prej jush mos të vijë me një makinë të vogël por të vijë me një fuoristradë sepse fshatrat, sidomos ato fshatra që nuk janë në akset rrugore kryesorë nuk shkon dot makina. E atje ku nuk shkon makina, nuk shkon asgjë, e as jeta. Fshatrat sidomos ata të strukurit nuk kanë rrugë, rrugë si arterie gjaku që e ushqejnë dhe i japin jetë. Jepini ujë dhe rrugë fshatit dhe i keni dhënë zhvillim. Nuk po kërkojmë asgjë tjetër: Ujë dhe rrugë. Unë kam ardhur këtu që të tregoj pse jo Gertën por kam ardhur këtu të sjell edhe Kristinën. Kristina është një bashkëfshatare e imja. Besoj se gjithsecili prej jush, sidomos ata që janë fshatarë e kanë nga një Kristinë në fshat. Ajo ka rrudha fisnike të përzhitura nga dielli, duar të çara e të ashpra si brusketat e restoranteve në qendrat urbane, sy të qeshur e të ëmbël ka Kristina. Ngrihet para diellit e ulet shumë pas tij. Oh, ngrihet në mëngjes, mjel lopën, çel pulat, pastron vathin. Ngrihet dhe çon fëmijët në shkollë, ndoshta me furgonin që nuk vjen kurrë, ajo i përcjell më këmbë. Shet qumështin në shishet e coca-colës të lara me kujdes sepse ky është fshati. Shet ato 20 kokrra vezë, 3-4 kile rrush, domate jeshile, ato që kanë mbetur nga kopshti i mbjellë me lakra të zeza dhe presh që t’i ketë si rezervë për dimër. Shet ashtu Kristina e ulur në rrugë dhe po t’i thoni Kristinës ju se çfarë do Kristinë të të japë shteti ty, ajo me shumë modesti do të thotë: unë dua ujë edhe rrugë. Se ka dinjitet Kristina, nuk i kërkon asgjë tjetër shtetit të saj veçse ujë dhe rrugë. E unë do t’i shtoja kërkesave të Kristinës, ujë, rrugë, shkolla dhe qendra shëndetësore efikase, e miq e shokë. E nëse ju e pyesni përsëri Kristinën kë do të votoje, do të thotë do votoja që më sillte rrugën. Por Kristina e shkretë, që kur ishte bijë në fshatin e të atit dhe deri tani sot që është grua në fshatin e të shoqit, Kristina votoi e rivotoi ata që rrugën nuk ia sollën kurrë. E nëse do të pyesni ku është burri i Kristinës…Ai ka punuar ca kohë në kantieret e Rilindjes Urbane por presim që fshati të rilindë, atë presim ne. Kur fshatari t’i kthehet fshatit të tij, atëherë politika ka bërë diçka madhështore për fshatin.
Sigal