Përgjaket fushata elektorale në Elbasan

261
Sigal

Bota e krimit ‘masakron’ Elbasanin tre ditë para zgjedhjeve. Flet dëshmitari: E pashë me sytë e mi, vrasja ndodhi në prezencë të policisë. Qytetarët lajmëruan organet e rendit kur panë furgona me persona të armatosur brenda të cilave kishte karta ID dhe fletë votimi. Kush është ‘dora e zezë’ që menaxhon për interesat e rilindjes në sinkron me grupet kriminale.

Masakra në Elbasan, dëshmitari: E pashë me sytë e mi, vrasja ndodhi në sytë e policisë

 

Pjerin Xhuvani, një politikan lokal i afruar së fundmi me Partinë Socialiste mbeti i vrarë dhe katër persona u plagosën, në një përplasje të armatosur që dyshohet se lidhet me fushatën e tensionuar zgjedhore. Policia arreston një ish-punonjës të Forcave Speciale si autor të dyshuar të vrasjes.   

Të mërkurën rreth orës 14:00 në lagjen 5 Maji në Elbasan, gjatë një konflikti mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosen katër persona të tjerë, mes tyre dhe një police. Personat e plagosur janë Emiljan Prenga 39 vjeç,  Pavlo Vuksani  50 vjeç, Eltjon Bodinaku 32 vjeç, dhëndri i Pjerin Xhuvanit, dhe Xhensila Sota  27 vjeçe police.

Autori i vrasjes është  Arbër Paplekaj, ish-efektiv i RENEA-s i cili qëlloi mbi Pjerin Xhuvanin, më pas u vetëdorëzua në polici. Ai tha se ka qëlluar për vetëmbrojte.

“Jam Arbër Pepkola, kam qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes, pash rrezikshmëri të lartë, pasi isha i rrezikuar dhe hapa zjarr,”- ka thënë ai dhe ka dorëzuar armën. Më pas ai është prangosur dhe është dërguar në qeli.

Paplekaj ishte shoqëruesi i drejtuesit politik të Elbasanit Gazmend Bardhi.“Shkuam për t’i ndaluar se morëm një denoncim që një makinë shpërndante para. Shkuam për t’i ndaluar, por ata qëlluan me armë zjarri ndaj nesh. Unë qëllova për vetëmbrojtje”, ka deklaruar Paplekaj para policisë.Janë shoqëruar në Drejtoritë Vendore të Policisë Elbasan dhe Tiranë, disa persona të dyshuar se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen.

Disa qytetarë kishin vërejtur praninë e disa furgonave në qytet dhe kanë lajmëruar policinë, pasi personat ishin të armatosur.Sipas PD furgonët po shpërndanin para dhe kishin karta ID dhe fleta votimit. Nga informacionet e deri tanishme dihet se kanë qëlluar vetëm dy armë.

Masakra në Elbasan, dëshmitari

Një dëshmitar okular i tha BIRN se kishte parë një grumbullim me njerëz dhe një debat me fjalë mes personave në dy makina të ndaluara në mes të rrugës. Dëshmitari tha se nuk kishte mundur të dëgjonte përse po përplaseshin personat, por tha se e pranishme në vendngjarje kishte qenë edhe policia.Në një moment gjatë konfliktit janë përdorur armët, nga breshëria e së cilave mbeti i vrarë Xhuvani dhe u plagosën dhëndri i tij, një punonjëse e policisë dhe dy persona të tjerë. Dy prej të plagosurve janë dërguar në Tiranë në gjendje të rëndë.

 Kush është Pjerin Xhuvani

Pjerin Xhuvani, ish-kreu i LSI i vrarë të mërkurën në Elbasan, ishte një figurë e përfolur në skenën politike shqiptare.Ai u përmend në 2015 për rolin e tij në mbulimin e Kostandin Xhuvanit, djalit të aktores së mirënjohur Luiza Xhuvani.

Në cilësinë e drejtorit të Spitalit Psikiatrik Elbasan, ai lëshoi një vërtetim që sikur  Xhuvani ishte i shtruar ditën kur kishte patur një përplasje me armë në Gjirokastër.

Dokumenti shërbeu si alibi dhe e shpëtoi Kostandin Xhuvanin nga procedimi penal, duke e lejuar të kryente vrasjen e katërfishtë muaj më vonë.

Në të njëjtin vit ai do të arrestohej me akuza për abuzim me fondin e ilaçeve të rimbursueshme si kreu rajonal i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Xhuvani do të lirohej, por pas akuzave, LSI-ja e përjashtoi nga radhët e saj.

Dy vjet më vonë, në 2017, ai do të shfaqej në krah të kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizit, rivalit politik të LSI-së.

Më së fundmi,emri i tij u lakua nga PD që e dononcoi Xhuvanin më parë nga Partia Demokratike si një nga personat e përfshirë në konfliktin e ndodhur në qendër të Elbasanit Ditën e Verës më 14 mars mes militantëve të PS dhe PD, ndërsa qytetin e vizitonin Rama dhe Basha.Përplasja me armë dyshohet se lidhet me fushatën zgjedhore, në qarkun ku tensioni ka qenë i lartë prej më shumë se një muaji.