PD:Rama s’i ka bërë llogaritë mirë me qytetarët, sidomos me tropojanët

488
Sigal

TROPOJË – “Edi Rama nuk i ka bërë llogaritë mirë me qytetarët dhe sidomos me qytetarët e Tropojës që po i dhunon duke i larguar nga puna, dhe duke futur edhe persona me precedent penal. Policia e shtetit dhunon të drejtat dhe liritë themelore të njerëzve duke i mbajtur në dhomat e izolimit vetëm për një arsye sepse këta janë mbështetës së Partisë Demokratike”,- tha Kreu i departamentit për të drejtat e njeriut në PD , Ervin Salianji gjatë një proteste në Tropojë me banorë të zonës.

Banorë të Tropojës kanë protestuar për situatën ekonomike, por edhe për atë që ata e kanë quajtur ndërprerje arbitrare të energjisë elektrike.

Ndërsa qytetarë të ndryshëm kanë deklaruar problemet e tyre të ndryshme si problemet me ndërprerjen e energjisë, apo pensionet, deputeti i PD,  Besnik Duzha deklaroi se Tropoja është në ditët më te zeza që ka kaluar ndonjëherë.
 
“Qindra familje janë larguar nga skema e ndihmës ekonomike me pretekste qesharake se ka një televizor apo një frigorifer në shtëpi. Shumë pensionistë e u është bllokuar apo heq pensioni me arsyen se gjoja do t’u verifikohet, kur ka pensionistë që kanë dalë prej 20 vitesh në pension. Asnjë investim nuk ka në Tropojë dhe e gjej momentin ti bëj thirrje Edi Ramës që të heqë zullumin nga Tropoja, të largojnë forcat e policisë. Të merret me nevojat e Tropojës, me hallet e Tropojës sepse Tropoja është në ditët më te zeza që ka kaluar ndonjëherë”,- tha deputeti i Partisë Demokratike, Besnik Duzha