PDIU apel qytetarëve në jug të vendit të bëhen pjesë e votimeve

486
Partia për Drejtësi, Integrim e Unitet përmes një njoftimi për shtyp theksoi se në Jug të vendit zgjedhjet po krijojnë përplasje etnike e fetare dhe shkak për këtë po bëhet edhe angazhimi i segmenteve shtetërore greke. PDIU i bën thirrje votuesve, të votojnë kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane në Konispol, Shuaip Beqirin, kandidatin e bashkimit, e pajtimit, e bashkëpunimit midis komuniteteve, midis shteteve. Siç është bërë e ditur në disa bashki të Jugut të Shqipërisë, vijon njoftimi, falë angazhimit të disa segmenteve shtetërore greke, por dhe të drejtuesve qendrorë dhe vendorë të PBDNJ-së, ballafaqimi për zgjedhjet lokale po merr karakter përplasjeje dhe përçarjeje midis dy shteteve, midis etnive të ndryshme, feve të ndryshme, që popullojnë atë zonë të bukur të Shqipërisë. Kjo është bërë më e dukshme veçanërisht në betejën për bashkinë e Konispolit. E gjitha kjo është e dënueshme moralisht, e palejueshme kushtetutshmërisht dhe ligjërisht.
“Në këto zgjedhje, në respekt të traditës së miqësisë, së bashkëjetesës, të fqinjësisë së mirë, PDIU garon si pjesë e Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe në Konispol ka kandiduar mjekun Shuaip Beqiri. Ne kemi dhënë vazhdimisht argumenta për drejtësinë e pjesëmarrjes sonë në këtë aleancë politike dhe faktet që vijnë nga terreni në bashkitë e reja të jugut, në Konispol, Finiq, Sarandë, janë konfirmim i drejtësisë së zgjedhjes sonë”, thuhet më tej. Sipas PDIU-së, është krejtësisht e qartë se Partia Demokratike po bashkëpunon qartë dhe hapur me PBDNJ-në dhe ky bashkëpunim nuk ka prapavijë vetëm pragmatike, por është vijim i politikave të vjetra bashkëpunuese mes këtyre partive. “Kështu në Konispol kandidati i PD-së, Ismail Myrtaj po bashkëpunon me kandidatin e PBDNJ-së, Anastas Guda që u etiketua nga kryeministri i vendit si “përçarës i komunitetit”. Kandidati i Finiqit nga PD-ja u tërhoq duke i lënë fushë të lirë kandidatit të PBDNJ-së. Në këmbim, PBDNJ-ja ka bërë thirrje të hapur që në Sarandë të mbështetet kandidati i PD-së, Kreshnik Bozho.
Në rrethana të tilla, PDIU i bën thirrje votuesve të vet në përgjithësi, komunitetit çam në veçanti që banon në ato zona, dhe sidomos votuesve të rinj, të kuptojnë lojën përçarëse që po luhet në kurriz të tyre. Ata duhet të dalin masivisht në votime, duke votuar kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane, dhe në Konispol Shuaip Beqirin, kandidatin e bashkimit, e pajtimit, e bashkëpunimit midis komuniteteve, midis shteteve. Asnjë votë nuk duhet të shkojë për plangprishësit, renegatët, apo përçarësit pavarësisht se nga cili komunitet vijnë”, citohet njoftimi i PDIU-së. PDIU, përmes njoftimit deklaroin se është bartësja kryesore e frymës kombëtariste, por dhe të fqinjësisë së mirë me shtetet afër nesh. Vetëm në një klimë marrëdhëniesh miqësore me fqinjët, mund të zgjidhet çështja çame. “Është frymë europianiste heqja e kufijve midis vendeve fqinje të Ballkanit, ndaj PDIU është pjesë e Aleancës për Shqipërinë Europiane. Ne duam heqjen e kufijve midis Shqipërisë dhe rajonit, kurse ata që janë kundër nesh duan të ngrenë kufij të rinj dhe konflikte të rinj brenda atdheut që ne e duam shumë”, përfundon njoftimi i PDIU-së.
Sigal