PD: 10 ditë nga pushtimi me armë i Rinasit, asnjë autor, asnjë përgjegjës…

417
Partia Demokratike, me anë të kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se “goditja më e rëndë e sigurisë kombëtare, pushtimi me armë e me maska i aeroportit të vetëm ndërkombëtar, është shoqëruar me heshtjen e plotë të Edi Ramës”.
“Asnjë cicërimë prej tij, edhe pse ngjarja në mesditën e 30 qershorit në Rinas, konfirmoi rënien totale të shtetit, të çdo standardi sigurie në vend. U përpoq me metoda bizantine të gjente fajtorë e përgjegjës jashtë vetes, por dështoi pasi faktet e bëra publike nga opozita, nga mediat dhe nga zyrtarët e Aeroportit, tregojnë se policia ka qënë vetëm disa metra larg grabitjes dhe nuk ka reaguar. Drejtori i Kufirit në Ministrinë e Brendshme e ka konfirmuar vetë se policët kanë qënë fare pranë vendit ku ndodhi grabitja, por sipas tij nuk kanë pasur fushëpamje. Pra, në fushën e hapur të pistës së avionëve, policët nuk kanë arritur të dallojnë persona me maska dhe të armatosur që grabisin disa thasë me euro dhe ikin pa u hyrë ferrë në këmbë”, tha Alibeaj.
Ai shtoi se “këto rrethana, kalimi i 10 ditëve pa gjetur asnjë autor, ngjarje të rënda të përsëritura në këtë aks që është një nyje strategjike, dëshmojnë rënien e shtetit, rënien e çdo standardi të sigurisë në këto 3 vite. Arsyeja kryesore pse krimi arriti në këtë nivel të paimagjinueshëm, ka të bëjë me rënien e ligjit në këto 3 vite, me sundimin e bandave, me krimin e veshur me pushtet dhe pushtetin e veshur me krim, me drogën që ka mbuluar çdo pëllëmbë të vendit, me trafikun e armëve, me inkriminimin e pikave kyçe të policisë, me faktin se kriminelë të njohur ulen në zyrën e ministrit të Brendshëm për ndërmjetësime private, me faktin se kriminelë, trafikantë, vrasës e përdhunues me Edi Ramën u bënë deputetë, kryetarë bashkie e shefa të zyrave publike”.
Sigal