Pazaret politike të KLGJ dhe EURALIUS

603
Av.Ledio Braho
Sigal

Av. Ledio Braho

1. Reforma në Drejtësi është “ Mbreti doli lakuriq” Me vendimmarrjen e KLGj për të mos marrë vendim mund të themi se “Mbreti doli lakuriq”. Reforma në Drejtësi, që mund të konsiderohet si “pëlhura magjike” e organeve të reja të drejtësisë, nëpërmjet vendimmarrjes absurde të KLGj, nxorri në pah që është vetëm një lavazh truri për shqiptarët se drejtësia e re është drejtësia e pakapur apo e pakorruptuar. Ndërkohë që Këshilli i Lartë Gjyqësor është një organ kolegjial kushtetues që duhet të sigurojë pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë dhe Euralius është vetëm një projekt i Bashkimit Europian, kësaj të fundit iu kërkua që të japë një opinion në lidhje me mandatin e ish gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe të një nga hartuesve të “pëlhurës magjike” të drejtësisë së sotme. Anëtarët e KLGj nuk arritën dot të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të konstatonin që vakanca e krijuar nga mbarimi i mandatit të ish gjyqtarit Dvorani tashmë është plotësuar me emërimin e tre gjyqtarëve të rinj në këtë gjykatë që vijnë nga radhët e juristëve të spikatur. E vetmja vakancë që është ende sot e lirë edhe pse e shpallur, është ajo që është krijuar nga ndërprerja e mandatit të ish gjyqtarit Zaganjori, vakancë që është shpallur më vonë në kohë pikërisht se mandati i tij ishte ende kushtetues në momentin e shkarkimit nga organet e vetingut. Kërkimi i një opinioni për një çështje kaq elementare që ka nevojë vetëm për analizë datash, është shmangie e pastër nga detyra që Kushtetuta i ngarkon KLGj-së. KLGJ shpërfilli Kushtetutën, për t’i shërbyer qëllimeve të mazhorancës Është e vërtetë që kjo çështje është ndër ato që janë nën juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese dhe që KLGj është një ndër ato organe që mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, por duke qenë se kjo e fundit është aktualisht jofunksionale, çdo kërkesë do të mbetej në pritje deri në emërimin e gjyqtarëve të tjerë të kësaj gjykate dhe po ashtu Dvorani do të ishte në konflikt të pastër interesi si kryetar i KED në procedurën që ndjek ky organ për renditjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe për më tepër që nuk dihet ende përbërja e shumicës së Gjykatës Kushtetuese që të garantojë qoftë dhe pas disa kohësh një vendim pro Dvoranit. Vendimmarrja e kësaj Gjykate që do të konstatonte për herë të dytë mbarimin e mandatit të Dvoranit si Gjyqtar i Gjykatës së Lartë e po ashtu edhe plotësimin e vakancës së mandatit të tij që nga marsi i vitit 2020 do të sillte pasoja për të gjitha vendimmarrjet e tij pas kësaj date si në Gjykatë të Lartë, por po ashtu edhe në KED. Në këto kushte, mosndjekja e kësaj procedure kushtetuese, nxjerr në pah dy elementë të rëndësishëm, së pari KLGj me shumë mundësi është në dijeni paraprakisht të ndonjë opinioni pro Dvorani të Euralius e në këtë mënyrë shmang dhe pasojat që do të sillte një vendim i Gjykatës Kushtetuese në disfavor të tij dhe së dyti Dvorani vijon qetësisht detyrën si anëtar i Gjykatës së Lartë dhe si Kryetar i KED-së. Vendimmarrja e KLGj për opinion nga Euralius është e tillë që ka njëkohësisht me vete bekimin e mazhorancës qoftë dhe të fshehur, bekimin e partnerëve ndërkombëtarë si dhe justifikimin ndaj qytetarëve shqiptarë për çdo vendimmarrje të tyren se ishte e bazuar në opinionin e servirur nga partnerët ndërkombëtarë – por patjetër që ka me vete dhe shkeljen e Kushtetutës.