Pavarësia/ Berisha: Ditëlindja moderne e një kombi! Frymëzim për çdo shqiptar

27
Sigal

Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka zhvilluar pasditen e kësaj të marte (28 nëntor) një takim me departamentin ‘Brain Gain’ në nderim të ditës së pavarësisë së vendit.

Gjatë fjalës së tij Berisha, është shprehur se Pavarësia është ditëlindja moderne dhe identiteti i çdo kombi, teksa shton se dita e sotme është frymëzim për çdo shqiptar.

Berisha: Pavarësia është ditëlindja moderne e një kombi. Është ditë frymëzimi sepse në kushtet kur Ismail Qemali dhe etërit e tjerë të pavarësisë, shpallën në Vlorë, pavarësinë e Shqipërisë, ai ishte një akt i guximit, vizionit të jashtëzakonshëm.

Ishte një akt kur nga të gjithë fuqitë e mëdha, përveç njëra, të gjithë ishin kundër. Askush nuk donte përveç Austro-Hungarisë dhe kontit Bertold, një shtet të pavarur në trojet e tij.

Qeverinë e Ismail Qemalit nuk e njohën gjer në gusht të vitit 1913.

Por nëse ky burrë i madh, vizionar, nuk do të ngrihej me një guxim mbi kohën, së bashku me Isa Boletinin dhe elitën tjetër të kombit, të shpallte në Vlorë pavarësinë, gushti i 1913 do të kishte vendosur shpërbërjen, copëtimin përfundimtar të kombit shqiptar.

Ismail Qemali i vendosi fuqitë e botës, që nuk donin një shtet shqiptar, para faktit të kryer, se shteti shqiptar ekzistonte, se Shqipëria ekzistonte si shtet sovran dhe i pavarur.

Në këtë kontekst po të shkojmë pas në ato kohëra dhe të mendojmë këtë akt, ky akt kalon në një legjendë të vërtetë.

Por ky akt u bë vendimtar për fatin e kombit, asokohe të ndarë dhe të pushtuar pothuajse në 2/3 e trojeve të tij. Ky akt ka qenë përcaktues për Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Pa pavarësi të Shqipërisë nuk do të mund të kishte kurrë, pavarësi të Kosovës.

Pa pavarësi të Shqipërisë, shqiptarët kudo që jetojnë në vendet e tjera në Ballkan nuk do të mund të ishin ata që janë sot.