Pas deputetëve lënë mandatet edhe 300 kandidatë të listës

758
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Deputetët dhe 300 kandidatët e Listës të Opozitës firmosën dorëzimin e mandatit të deputetit. Parlamenti duhet të shpërndahet

1.200 policë angazhohen sot për të “mbrojtur” parlamentin nga protesta. As Ramiz Alia nuk kishte dislokuar kaq ushtarë në Tiranë, në 1991-shin

Sot, asnjë deputet, asnjë kandidat për deputet nga partitë parlamentare të opozitës nuk ka më mandat deputeti. Mazhoranca e shpërfilli protestën e 16 shkurtit, ambasadorët e injoruan, madje edhe e dënuan për dhunën që u përdor ( i tërë dëmin material nga dhuna e protestuesve ishte xhami i thyer tek porta e kryeministrisë dhe kërpudha tek oborri), mirëpo opozita dje mori vendimin: Të firmoset dokumenti i dorëzimit të mandateve të deputetëve. Këshilli Kombëtar i PD-së u mblodh dje pasdite dhe unanimisht mori vendimin për djegien e mandateve, si dhe vendosi hapat për protestën e sotme në orën 10.00 para Parlamentit. Ka shumë zëra brenda opozitës që kërkojnë që sot opozita të futet në parlament dhe aty në mënyrë paqësore dhe simbolike të çlirojë parlamentin nga inkriminimi dhe korrupsioni, duke mos pranuar asnjë deputet që ka rekorde kriminale apo mbi deputetin të rëndojnë edhe akuza për korrupsion. Madje, disa zëra të tjerë kërkojnë që opozita të fillojë grevën e urisë, pikërisht, aty, në sallën e Parlamentit, derisa sa kryeministri të shpërndajë këtë parlament dhe të zhvillohen zgjedhje të reja nga një qeveri tranzitore e PS-së pa Edi Ramën kryeministër.

Lulzim Basha: Jemi qytetarë të thjeshtë

Kreu i PD-së, foli përpara simpatizantëve të partisë, pas vendimit të Këshillit Kombëtar të PD-së, për djegien e mandateve parlamentare. Basha: ‘Kam nderim dhe privilegjin të ju bëj të ditur vendimin unanim të Këshillit Kombëtar të PD-së për djegien e mandateve parlamentare me efekt të menjëhershëm. Në këtë 20 shkurt të 2019, 28 vite pas rrëzimit të simbolit të diktaturës më të errët shqiptarët të bashkuar si asnjëherë do të kenë në krahun e tyre Partinë Demokratike, njerëzit tanë do të jenë në krahë të qytetarëve si qytetarë të thjeshtë për të vendosur që kurrë më në Shqipëri mos vendoset një regjim tjetër diktatorial”, tha Basha.

Ambasadorët në Tiranë, dënojnë dorëzimin e mandateve, kërkojnë anulimin e seancës parlamentare

Faktori ndërkombëtar po shfrytëzon çdo hapësirë për të shmangur një skenar të mundshëm dhune gjatë protestës së opozitës ditën e enjte. Ambasadorët e akredituar në Tiranë përgjatë ditëve të fundit nuk janë mjaftuar vetëm me apelin për opozitën që të shmangë aktet e dhunës në protestë, por kanë pasur kërkesa specifike edhe për shumicën qeverisëse. Mësohet se diplomatët i kanë kërkuar kryeministrit Rama të anulojë mbledhjen e parlamentit për sot, për të shmangur çdo tension, apo akt dhune.

Frika e ambasadorëve për një skenar maqedonas në parlamentin shqiptar

Sipas ambasadorëve anulimi i parlamentit do të ulte tensionet e do të ishte një prej rrugëve për të shmangur skenarët e përplasjes. Dje, ambasadorja e Gjermanisë u takua me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, ndërsa ambasadori i BE-së u takua me kryetarin e PD-së Lulzim Basha, duke u ushtruar presion, që të heqin dorë nga dorëzimi i mandateve dhe që nesër në protesta të mos përdoret dhunë kundër institucioneve. Ambasadorët në Tiranë, i tremben skenarit maqedonas, ku u ushtrua dhunë në parlament në prillin e 2017-s. Vete kryeministri Rama foli pak ditë më parë se opozita synon të zbatojë skenarin maqedonas. Në prill të vitit 2017 parlamenti i vendit fqinj u përfshi nga një dhunë e paprecedentë nga mbështetësit ekstremistë të VMRO – DPMNE. Dyert e kuvendit u hapën nga deputetët e partisë së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski e për pasojë turma që ndodhej jashtë, vërshoi në ambientet e brendshme, duke goditur egërsisht deputetët e LSDM si dhe ata shqiptarë.

Ambasadorja gjermane: Dorëzimi i mandateve, i gabuar

Ambasadorja gjermane në Tiranë Susanne Schütz e ka vlerësuar si një rrugë të gabuar bojkotin e opozitës dhe dorëzimin e mandateve. Ambasadorja gjermane thotë gjithashtu se dhuna është e papranueshme dhe bën thirrje për një protestë paqësore.

Reagon OSBE: Kjo cenon demokracinë

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar për vendimin e opozitës për djegien e mandateve. Sipas saj, ky veprim minon procesin demokratik të vendit dhe për pasojë kjo reflekton pengesë në reformat thelbësore. “Vendimi i deputetëve të opozitës për t’u dorëhequr nga Kuvendi minon procesin demokratik ligjvënës dhe përbën një heqje dorë nga përgjegjësia e tyre për të përfaqësuar qytetarët që i kanë votuar. Reformat thelbësore dhe gjerësisht të mbështetura po vonohen.

Kryetari i Parlamentit Ruçi, anulon seancën e sotme parlamentare: Të mos nxijmë imazhin e vendit

Është detyra jonë t’i krijojmë hapësira kohore reflektimi dhe mundësi rikthimi në rrugën institucionale. Në këto kushte, duke pasur parasysh apelin e partnerëve tanë strategjikë, duke pasur parasysh raportet e organeve ligjzbatuese dhe të inteligjencës dhe të ruajtjes së integritetit të sallës së Kuvendit, ftojë kolegët deputetë që të mirëkuptojmë për mos zhvillimin e seancës plenare të datë 21 shkurt, pra ditën e enjte në orën 10. Përgjegjësia ime si kryetari i Kuvendit por edhe si qytetar i këtij vendi, nuk më lejojnë t’u jap mundësi keqbërësve, të cilët mund të përfitojnë nga kultura dhe dinjiteti i qytetarëve për të sulmuar institucionet e shtetit dhe për të nxirë për herë të dytë, imazhin e Shqipërisë. Le të na shërbejë të gjithëve këto ditë për të na ndihmuar të reflektojmë dhe të bëhemi më të matur dhe më bashkëpunues, duke rivendosur platformat dhe ambiciet tona politike në shërbim të gjithë shqiptarëve”.

Policia blindon Kuvendin me 1.200 policë . Garda: Gazetarët të vijnë me maska

Prej të shtunës, Policia e Shtetit ka punuar për të hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e protestës së paralajmëruar të opozitës, e cila pritet të nisë sot rreth orës 10:00 para Parlamentit. 1200 forca policie pritet që të angazhohen në mbarëvajtjen e kësaj proteste. Shpërndarja e uniformave blu pritet të jetë e ngjashme me protestën e së shtunës. Përballë protestuesve me një kordon që do të jetë përgjatë gjithë rrethimit të Parlamentit do të jenë punonjësit e rendit dhe ata Shqiponja, ndërsa forcat e FNSH do të jenë në gatishmëri në bulevardin “Zhan Dark” dhe brenda rrethimit të xhamisë së Namazgjasë. Në gatishmëri pranë godinës së Parlamentit do të jenë edhe Garda e Republikës, e cila në rast se nga ana e protestuesve do të ketë tentativa për të hyrë në Parlament dhe për të bërë akte dhune do të përdorë gaz lotsjellës. Për këtë arsye nesër do të ketë kontroll të rreptë për këdo që do të futet në ambientet e brendshme të Parlamentit. Të gjithë duhet të jenë të pajisur me mjete identifikimi. Që të mos shkaktohen probleme nga gazi, Garda ka kërkuar që gazetarët dhe punonjësit të marrin masa për tu ruajtur nga gazi. As Ramiz Alia nuk kishte dislokuar në 1991 kaq mijëra ushtarë për të mbrojtur parlamentin nga protestat e qytetarëve, që atëherë kërkonin rrëzimin e regjimit.

Garda rrethon Parlamentin me tela me gjemba

Mbrëmë, Garda e Republikës e shndërron Parlamentin në një garnizon ushtarak, derisa e rrethon me tela me gjemba, nga frika e madhe që kanë nga protesta e sotme e qytetarëve

Opozita e Bashkuar: S’ka skenar dhune, shqiptarët nuk kërcënohen

Opozita e bashkuar ka dalë me një reagim të përbashkët pas deklaratave të kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe policisë lidhur me protestën e nesërme dhe skenarët e dhunës. Opozita deklaron se nëse ka një skenar dhune, ai gjendet në zyrën e kryeministrit Edi Rama dhe se mes protestuesve nuk ka kriminelë. Opozita thotë se koha e kërcënimit të shqiptarëve ka ikur dhe se Rama nuk e ndryshon dot agjendën e popullit. DEKLARATA E OPOZITËS SË BASHKUAR: Opozita e Bashkuar dënon më forcë deklaratën e Policisë Politike dhe të Ministrit të fundit të Brendshëm të diktaturës komuniste për nxitjen e dhunës nga opozita në protestën e së enjtes para Kuvendit të Shqipërisë. Nëse ka një skenar dhune apo sulmi ndaj institucioneve, ky skenar gjendet në zyrën e Edi Ramës. Të tilla thirrje nga Policia Politike e Edi Ramës janë të dala boje. Protesta e 16 Shkurtit provoi se mes protestuesve nuk ka kriminelë. Opozita e Bashkuar njofton bandën në krye të qeverisë, Kuvendit dhe të Policisë se koha e kërcënimit të shqiptarëve ka ikur! Edi Rama mund të ndryshojë agjendën e Parlamentit “339”, mund të arratiset vetë nga Tirana, por është i pafuqishëm të ndryshojë agjendën e popullit! Sovrani do të ushtrojë nesër të drejtat e tij, në orën 10.00 para Parlamentit, i cili nuk duhet të mbetet peng i krimit dhe korrupsionit, por t’u kthehet sa më shpejt Shqipërisë dhe shqiptarëve.

300 kandidatë për deputetë të partive parlamentare opozitare firmosin dorëheqjen

Gazeta “Telegraf” u interesua pranë partive parlamentare të opozitës, dhe mësoi që të gjithë kandidatët për deputetë, të listave të partive parlamentare kanë firmosur dokumentin e dorëzimit të mandatit. Kështu në listën e PD-së janë 140 kandidatë, po 140 kandidatë janë edhe në listën e LSI-së, gjithashtu, edhe kandidatët e PBDNJ-it që kanë firmosur të gjithë dokumentin e dorëzimit të mandatit të deputetit. Kështu, që asnjë kandidat i partive parlamentare opozitare të regjistruar në listat zgjedhore parlamentare të 2017-s nuk do të marrë mandat deputeti.

Deputetët e PD-së firmosin dokumentin e dorëzimit të mandatit

Menjëherë pas vendimit të Këshillit Kombëtar të PD-së deputetët firmosën dokumentin e dorëzimit të mandatit të deputetit. I pari ishte kryetari i PD-së Lulzim Basha. “Me vullnet të lirë deklaroj: Unë, Lulzim Basha, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, duke vlerësuar si të pamundur vijimin e punës në Kuvendin e Shqipërisë, në mbështetje të shkronjës ‘b’, pika 2, e nenit 71 të Kushtetutës, jap dorëheqjen e parevokueshme nga mandati si deputet në Kuvendin e Shqipërisë”.

Kryemadhi dorëzon e para mandatin e deputetit

Pas deputetëve të PD dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kanë firmosur dorëheqjen nga mandati i tyre. kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi e cila ka firmosur e para heqjen dorë nga mandati i marrë si ligjvënëse nga radhët e LSI-së.

Ja arsyet e dorëzimit të mandatit të deputetit

Duke pasur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare, ku ndodhet vendi për shkak: të asgjësimit të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës; të kapjes së kësaj qeverie në flagrancë duke vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë, siç dëshmojnë edhe dosjet gjyqësore të publikuara nga mediat ndërkombëtare; të kapjes së kësaj qeverie në afera flagrante korruptive dhe kriminale; të eliminimit të parlamentit si një forum i demokracisë; të paralizës së shtetit, shtypjes sistematike dhe dhunimit të të drejtave themelore të njeriut dhe lirive të shqiptarëve duke përfshirë të drejtën e jetës, shëndetit dhe pronës. Duke mbajtur në konsideratë se për këto shkaqe është krijuar një situatë e paprecedentë e krizës ekonomike, emigracionit masiv kombëtar dhe gjendjes katastrofale e mjerimit social; Duke mbështetur plotësisht vendimin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentar. Unë…, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, duke e vlerësuar si të pamundur vijimin e punës në Kuvendin e Shqipërisë, në mbështetje të shkronjës ‘b’, pika 2, e nenit 71 të Kushtetutës, jap dorëheqjen e pa revokueshme nga mandati si deputet në Kuvendin e Shqipërisë”, thuhet në letrën e dorëheqjes. Opozita vendosi të djegë mandatet si e vetmja rrugë e mbetur për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme që do t’i hapnin rrugë vendit drejt integrimit evropian.

Flasin për gazetën “Telegraf”

Cila do të jetë rruga politike e Opozitës pas dorëzimit të Mandateve të deputetëve, nëse Kryeministri nuk dorëhiqet dhe nuk bën zgjedhje të reja?

Nard Ndoka, deputet, kryetar i PDK-së: Protestë deri në fund

Ne do të vazhdojnë protestat deri në rrëzimin e kësaj qeverie, largimin e Edi Ramës si kryeministër dhe zgjedhje të parakohshme me një qeveri tjetër socialiste, që të përgatitë zgjedhje të reja. Nuk ka rrugë tjetër për opozitën.

Agron Duka: Opozita të negociojë edhe me kancelaritë e Evropës

Ky është një proces që, në gjykimin tim, do të zgjasë, jo vetëm për pasojë të arrogancës dhe indiferencën që po shfaq mazhoranca përballë aktit të opozitës, por edhe për pasojë të pjesës teknike që kërkon ky dorëzim i mandateve. Megjithatë, në gjykimin tim, opozita nuk duhet të mjaftohet vetëm me presionin e protestave, por duhet të shihet mundësia e një turi ndërkombëtarë takimesh, në të cilat të çojë shqetësimin e saj, por edhe të qytetarëve shqiptarë që kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, pranë kancelarive perëndimore. Kjo rrugë mund të jetë një mundësi e mirë për të përshpejtuar arritjen e kushteve të nevojshme për të detyruar mazhorancën të ulet në bisedime me opozitën.