Partia që merr pushtetin në Shqipëri votohet nga mbi 60 vjeçarët, OSBE: Në tre zgjedhje, të rinjtë nuk votojnë

Në tre vite pjesëmarrja e të rinjve në zgjedhje ka qenë në nivele të ulëta. Sipas të dhënave të OSBE mosha mbi 60 vjeçare duket se është vendim marrëse në partinë që merr pushtetin. Për këtë kërkohet një strategji informimi për të dërguar të rinjtë drejt kutisë

Të enjten, ndërsa ishte dita ndërkombëtare e zgjedhjeve kryekomisioneri Ilirian Celibashi pati një dëgjesë me grupet e interesit ku spikati mendimi i përfaqësuesit të OSBE në qëndrimin e tij që vuri theksin te angazhimi dhe informimi i të rinjve për të shprehur të drejtën e votës. Për këtë ai solli në vëmendje se në tre zgjedhjet e fundit pjesëmarrjen më të madhe e kanë pasur të moshuarit “Ka një trend të vazhdueshëm të pjesëmarrjes së ulët të votuesve së rinj. Në zgjedhjet e 2021 pjesëmarrja më e ulët është shënuar në grupmoshat 18-24 vjeç. Probleme janë evidentuar në vendosjen e qendrave të votimit në territore të vështira dhe ku nuk ka akses për personat me aftësi të kufizuara fizike. 60% e qëndrave të votimit nuk ishin lehtësisht të aksesueshme nga zgjedhësit me aftësi të kufizuara. Për ata që kishin probleme me shikimin, u konstatuan problematika edhe në votimin elektronik pasi pajisjet e votimit nuk ishin plotësisht të përshtatura për përdorim nga personat me problem në shikim” – u tha ndër të tjera në takim. Kryekomisioneri Celibashi tha se i ka dërguar kuvendit një listë me çështjet që duhen shtruar në ligj. “Në letrën që i dërguam partive politike, ku kemi bërë një listë të çështjeve që në krye të herës kemi thënë se ndryshimet e mundshme të kodit zgjedhor do duhen të adresojnë edhe çështjen e personave që për asye objektive nuk votojnë dot’’, tha Celibashi.

Sigal