Sigal

Para 3 vjetësh parlamenti votoi heqjen e imunitetit të deputetëve, duke marrë shkak nga dhuna që ushtruan në parlament 2 deputetë socialistë ndaj një deputeti të opozitës, brenda në sallën e Kuvendit. Nga pikëpamja ligjore, deputetët, ministrat nuk kanë më imunitet në rastet kur prokurori ngre ndaj tyre padi penale për vepra penale.

Precedenti çështja “Tahiri”

Në tetor 2017 prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi Parlamentit autorizimin të ngrite padi penale ndaj deputetit dhe ish-ministrit Tahiri për akuza të bashkëpunimit me trafikantë ndërkombëtarë të drogës, në kohën kur ishte ministër i Brendshëm. Siç dihet, Komisioni Parlamentar për hetimin e çështjes “Tahiri” i kërkoi prokurorisë prova dhe praktikisht ky komision parlamentar u bë edhe gjykatë, ndërsa në seancë plenare maxhoranca socialiste e rrëzoi këtë kërkesë të prokurorisë, duke i dhënë imunitet politik deputetit Tahiri.

Projektligji i qeverisë për imunitetin e deputetëve

Qeveria aktuale shpeshherë është akuzuar për korrupsion dhe bashkëpunim me krimin, sidomos në kultivimin dhe trafikimin e hashashit në Shqipëri. Njëkohësisht, shumë koncesione të qeverisë janë denoncuar nga opozita për mungesë transparente dhe u janë dhënë klientëve të qeverisë si edhe bizneseve të deputetëve dhe njerëzve të afërme të tyre. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka aktivizuar sërish një propozim të qeverisë, i cili parashikon që autorizimi për arrestimin e deputetëve do të jepet vetëm pasi Parlamenti të shqyrtojë paraprakisht provat e prokurorisë ndaj tyre. Në këtë mënyrë, maxhoranca synon të legjitimojë shkeljen e rëndë kushtetuese, të cilën realizoi gjatë shqyrtimit të kërkesës për autorizimin për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm dhe ish-deputetit Saimir Tahiri, në tetor 2017. Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, e denoncoi këtë lëvizje anti-kushtetuese dhe anti-Reformës në Drejtësi gjatë një dalje publike mesditën e së Shtunës.

Projektligji rrëzon edhe reformën në drejtësi

Po çfarë synon ky amendim i Kushtetutës dhe përse i duhet qeverisë ta aplikojë këtë normë, e cila bie tërësisht në kundërshtim me frymën e shtetit ligjor? Në bazë të parashikimeve aktuale kushtetuese, në rastet kur organi i hetimit vlerëson se një deputet duhet arrestuar, prokuroria i kërkon paraprakisht autorizimin Parlamentit. Ky i fundit shqyrton kërkesën vetëm për të vlerësuar nëse në kërkesën e prokurorisë ka synime të natyrës politike. Ky parashikim kushtetues, në fakt është një lloj garancie për deputetët e opozitës, të cilët të mbrohen nga autoriteti i maxhorancës politike. Pra, ky ka qenë qëllimi i ligjvënësit, kur ka parashikuar në Kushtetutë që arrestimi i deputetit të paraprihet nga marrja e autorizimit nga Parlamenti. Kjo normë kushtetuese në fuqi nuk parashikon në asnjë germë të saj që Parlamenti të marrë rolin e gjykatës dhe të vlerësojë provat e prokurorisë. Sipas parashikimeve kushtetuese dhe në Kodin e Procedurës Penale, provat e prokurorisë vlerësohen vetëm nga gjykata. Por, përtej këtyre parashikimeve kushtetuese dhe ligjore, maxhoranca vendosi të merrte rolin e gjykatës, kur shqyrtoi kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimit për arrestimin e Saimir Tahirit. Shumëkujt i kujtohen seancat groteske të zhvilluara në Komisionin e Imuniteteve dhe Mandateve, kur deputetët e maxhorancës morën në shqyrtim provat e deriatëhershme të Prokurorisë për Krime të Rënda dhe vendosën, po si gjykatë, që ato fakte të paraqitura nuk përbënin shkak për arrestimin e Saimir Tahirit. Rasti “Tahiri” shënoi një regres domethënës në jetën politike dhe në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Partnerët ndërkombëtar që asistuan në Reformën në Drejtësi, synonin që pikërisht politikanët e lartë të humbnin çdo mbrojtje politike, në rastet kur ata përballeshin me akuza penale, sidomos të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Megjithatë, edhe kur ky aspekt i Reformës në Drejtësi, ndër të paktët elementë të mirëpritur nga i gjithë faktori politik në Shqipëri, u shkel nga maxhoranca, partnerët e rëndësishëm ndërkombëtarë me seli në Tiranë nuk folën asnjë fjalë. Kjo sjellje anti-kushtetuese dhe anti-ligjore e maxhorancës, jo vetëm që nuk u kalua pa vëmendjen e duhur nga Bashkimi Evropian, por përkundrazi, shërbeu si një prej shkaqeve që Shqipërisë t’i shtyhej me një vit afati për diskutimin mbi hapjen ose jo të negociatave me Bashkimin Evropian. Por, pavarësisht këtij konteksti politik dhe diplomatik, maxhoranca ka vendosur që ta çojë deri në fund nismën e saj. Ajo po synon që precedentin negativ me rastin “Tahiri”, tashmë ta legjitimojë, duke vendosur që të shndërrojë Parlamentin me ligj në gjykatë, në rastet kur kërkohet autorizimi për arrestimin e deputetëve. Pasi kontrollon me forcë pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ, pas diktatit që ka vendosur mbi sistemin e drejtësisë, tashmë Edi Rama dhe qeveria e tij synon të konsolidojnë, për çdo të papritur, kontrollin mbi provat e prokurorisë në rastet kur kërkohet arrestimi i deputetëve dhe ministrave.

Jakup B. GJOÇA