Panariti: Programi i LSI, i bazuar në shqetësimet dhe prombelet e qytetarëve dhe vendit

635
Panariti takime-seri me qytetarët në Maliq dhe Pogradec, shpalos programin e LSI
Panariti: Me 26 qershor, kur të shpallemi forcë e parë, do të administrojmë bashkë me ju
Panariti: LSI forcë e parë, pasi ka programin më të mirë për bujqësinë, arsimin, punësimin dhe zhvillimin e vendit
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Z.Edmond Panariti, njëkohësisht edhe kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun Korçë, përgjatë dy ditëve, zhvilloi një seri aktivitetesh e takimesh, ku shpalosi programin politik dhe mundësitë që kjo parti iu krijon qytetarëve shqiptarë.

Takimet nisën me anëtarë, simpatizantë, si dhe me fermerë të Njësive Administrative Pirg dhe Pojan, Bashkia Maliq, ku ishin të pranishëm veç Z.Panariti, edhe kandidatën për deputetë, Piro Kapurani, Anila Hoxha dhe Petrika Mele. 

Gjatë bashkëbisedimit me banodët e këtyre njësive Administrative, Z.Panariti kërkoi mbështetjen e të gjithë banorëve, për ta nxjerrë LSI-në forcë të parë. “Nëse e mbani mend, në të gjitha rastet e fatkeqësive natyrore, si përmbytje, dëmtime nga moti i keq etj, ne jemi gjendur gjithmonë, në kohë rekord, pranë njerëzve, pranë halleve të tyre. Ndaj dhe sot ne kërkojmë mbështetjen tuaj, që LSI të jetë në pushtet, për të qenë promotori i mbështetjes tuaj dhe zhvillimit të vendit”, tha Panariti, duke shtuar se, “Lsi ka një program të detajuar për bujqësinë, për arsimin, për punësimin dhe për zhvillimin ekonomik të vendit, me qëllim, që fëmijët tanë të jenë ata që do ta ndërtojnë këtë vend, duke u arsimuar mirë, duke pasur mundësi punësimi, duke kthyer vëmendjen tek bujqësië”. 

Ndër të tjera, Ministri Panariti tha se, “LSI-së, i duhet vota e të gjithë shqiptarëve, që të jetë forcë e parë pas zgjedhjeve të 25 qershorit dhe që nga data 26, ne të nisim menaxhimin e pushtetit me votuesit tanë”.

Më pas, takimet e Z.Panariti kanë vijuar në rrethin e Pogradecit dhe konkretisht në Njësinë Administrative Buçimas, përfshirë edhe fshatin Vërdovë, si dhe në lagje e zona të ndryshme të qytetit. Ministri Panariti shoqërohej nga Kryetari i LSI Pogradec dhe njëkohësisht kandidat për deputet, Genti Çala, kandidatja Aida Musollari dhe Kryetari i LSI për Njësinë Buçimas, Roshi Tollozhina.

“Më lejoni t’ju falenderoj që jeni ketu. Jemi në një bashkëbisedim të përhershëm dhe kjo tregon që fryma e bashkëbisedimit, bashkëpunimit dhe kohezionit, është ajo që na mban bashkë e që na projekton edhe të ardhmen, drejt arritjeve të reja. Meqë ndodhem këtu në Njësinë Administrative Buçimas, dua t’ju bëj të ditur, se LSI ka një program të qartë për bujqësinë, e cila do të jetë motorri kryesor i zhvillimit të ekonomisë së vendit. Për këtë arsye, bujqësia do të financohet nga LSI, 5 herë më shumë nga ç’është financuar deri tani”, theksoi Panariti, duke vijuar më tej se, “do të jemi në krah të fermerëve, për mbështetje direkt për të, por edhe për pikat e grumbullimit dhe gjithë zinxhirin. Përveç kësaj, ne duhet dhe do ta çlirojmë fermerin nga barra fiskale, pasi është një nga shqetësimet që më ngrenë sistematikisht në të gjitha takimet që bëj”. 

Profesor Panariti në fjalën e tij, theksoi se, zhvillimi i bashkive tona nuk duhet të bëhet vetëm duke rregulluar qendrat e qyteteve, por duke i kushtuar vëmendje fshatrave dhe periferive, duke investuar në ujësjellësa, infrastrukturë, shkolla dhe qendra shëndetsore.

Në Buçimas, takimi u hap nga Kryetari i LSI për Njësinë Administrative, Z. Roshi Tollozhina, i cili falenderoi mbështetësit e LSI ndër vite dhe pohoi se, puna me njerëzit duke i kontaktuar drejtpërsëdrejti është në thelb të fushatës sonë, me qëllim që t’ju bëjmë të ditur atyre programin e detajuar të LSI për shumë sektorë, por veçanarisht, për bujqësinë dhe për arsimin, i cili lidhet direkt me të ardhmen e fëmijëve. 

Ndërsa Genti Çala tha se, LSI është forcë e vazhdimësisë duke qënë bindëse me ndihmën e saj ndaj njerëzve të thjeshtë. 

Gjatë takimeve ne lagje të ndryshme të qytetit të Pogradecit, me banorë dhe simpatizantë, Z.Panariti e vendosi theksin te programi i LSI për një infrastrukturë më të mirë, për më shumë vende pune, si dhe për arsimimin e mirë të fëmijëve, “pasi LSI ka në programin e saj, të detajuara, të gjitha nevojat e popullsisë, të gjitha shqetësimet, të gjitha nevojat, sepse programi jonë është bazuar në ato çfarë ju keni ngritur si shqetësime gjithmonë”.
Sigal