Drejtori i kabinetit të Presidentit, Profesor Edmond Panariti, në një intervistë për ABC New, ka ngritur shqetësimin për numrin e ulët të testimeve për pandeminë. “Shqipëria është e fundit në Europë. Një person pozitiv i pa diagnostikuar për një javë mund të infektojë një lagje të tërë, nuk mund të justifikohet që përgjigja të vijë pas një jave, ndërkohë që shtyn edhe procesin e fillimit të trajtimit. Situata po përshkallëzohet, rastet janë në rritje, prandaj është koha për të ndërhyrë dhe të bashkëpunohet mirë. Presidenti e ka prioritet absolut, pasi është një cështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare, siguria shëndetësore është siguri kombëtare. Fakti që po i çojmë njerëzit në Turqi, tregon se në fazat finale jemi të pamundur. Sa më herët të bëhet trajtimi është më i ulët është probabiliteti që të kemi fatalitete”,- tha Panariti.
Një koment ai e kishte edhe për masat që ka marrë qeveria për kufizimin e lëvizjes. “Fillimisht u treguam më fanatikë se vendet e tjera, tani kur të tjerët janë mbyllur ne vijojmë të jemi hapur. Kërkohet një bashkëpunim, koordinim mes presidentit, qeverisë, shkencëtarëve për të bërë më të mirën, duhet të ndryshohet protokolli i trajtimit” përfundoi Panariti.



















