Paloka: Sulmuesi militant i PS Meta: Ashpërsi ndaj përgjegjësve

499
TIRANE – Incidenti gjatë takimit elektoral të liderit demokrat Basha në Ersekë është bërë objekt diskutimi edhe në sallën e Kuvendit në seancën e kësaj të enjteje.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka çeli këtë seancë plenare me akuzat se i riu që qëlloi me karrige në drejtim të vendit ku ndodhej kryedemokrati Basha, është militant i Partisë Socialiste.
Në fjalën e tij, Paloka ka akuzuar direkt lidershipin e mazhorancës se ka paguar autorin e sulmit ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.
“Dje në Ersekë u sulmua fizikisht kreu i opozitës. Militanti që tentoi të godiste Bashën ishte paguar nga Rama dhe këtë e vërteton heshtja e kryeministrit. Ky militant është i lidhur me hallka të ndryshme të sistemit”, ka deklaruar Paloka.
Ai i ka cilësuar si të turpshme reagimet e mazhorancës se, autori i sulmit donte të godiste xhaxhain e tij, ndërsa ka folur për një valë dhune që ka nisur prej kohësh ndaj opozitës.
“Kohë më parë, një kriminel me emër kërcënoi kryetarin e opozitës. Për pushtet, mazhoranca është e gatshme ta çojë vendin në luftë civile”, ka thënë Paloka, duke shtuar se 21 Qershori do të jetë “dita e gjykimit”.
“Më 21 Qershor do t’i tregojmë kësaj mazhorance që vetëm në drejtimin e duhur nuk është. U bëjmë thirrje institucioneve dhe ndërkombëtarëve që të ndërhyjnë, sepse kjo mazhorancë nuk ka asnjë përgjegjësi dhe nuk mban asnjë përgjegjësi për qytetarët e saj”, ka shtuar Paloka.

Sigal

Shqetësim për ngjarjen në Ersekë ka shprehur edhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. “Ishte një ngjarje e rëndë, por policia ka ndaluar personin që kreu sulmin”, ka thënë ai.

“U quajt sherr midis vetë militantëve të Partisë Demokratike, ndërkohë që personazhi që ka kryer aktin është jo vetëm militant i Partisë Socialiste, por i lidhur në hallka të ndryshme të pushtetit. Pati reagime zyrtare të turpshme pro që tregojnë se kush janë ata që e kanë orkestruar. U tha se ai ka dashur të qëllojë xhaxhin e tij, akte të tilla tregojnë se kjo qeveri, kryetari i kësaj qeverie ka nisur një rrugë që vetëm në drejtimin e duhur nuk është. Me këto akte vënë përballë një realiteti që nuk i pëlqen e dinë qe në 21 qershor do të përballen me revoltën qytetarë dhe për këtë arsye po bëjnë çdo përpjekje edhe me dhunë”, u shpreh Paloka.
Menjëherë pas fjalës së Palokës, kryeparlamentari Ilir Meta kërkoi masa të ashpra ndaj përgjegjësve të këtij incidenti.
“Edhe unë do doja të bashkohesha me këtë shqetësim. Nuk dua të vë në diskutim që ka ndodhur një ngjarje e rëndë përderisa është konfirmuar nga partia Demokratike që organizoi mitingun. Besoj se të gjithë jeni dakord që të merren masat më të ashpra ndaj personave përgjegjës dhe çdo akt tjetër që cenon rregullat e një fushate të ndershme dhe që cenon të dëmtojë çdo qytetar aq më tepër kur bëhet fjalë për aktivitete të tilla”, tha kreu i Kuvendit Ilir Meta.
Mbrëmjen e së mërkurës 27-vjeçari Suel Liço, tashmë i arrestuar nga policia, goditi me karrige në drejtim të vendit ku Basha dhe përfaqësues të tjerë demokrat drejtonin mitingun, duke lënë të lënduar një të moshuar i cili u godit në kokë. Demokratët nuk nguruan ta cilësojnë një sulm të orkestruar nga aletatët në qeverisje Rama-Meta ndërsa Partia Socialiste përmes kandidatit të saj në Ersekë Arben Malo tha se i riu nuk është militant i majtë dhe se bëhej fjalë për sulm emocional ndaj xhaxhait të tij i cili, sipas Malos, në ato momente po mbante fjalim përkrah Bashës.