OSBE reagon për kthimin e “anti-shpifjes” nga Presidenti: Një mundësi që ligjet të jenë me standarde ndërkombëtare

480
Sigal

Zyra e OSBE në Vjenë për Lirinë e Mediave ka reaguar sot për paketën e ligjeve “anti-shpifje”, e cila nuk u dekretua nga Presidenti Ilir Meta. Në një deklaratë për mediat, kreu i zyrës së OSBE për mediat, Harlem Désir deklaron se është njohur me argumentet ligjore të kreut të shtetit dhe se është gati të punojë me qeverinë “Rama” për përmirësimin e ligjit.

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, mori sot nga Zyra e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Ilir Meta dokumente shpjeguese mbi arsyet e kthimit në Parlament të ligjeve për Media audiovizuale dhe Ligjin për Komunikimi Elektronik në Republikën e Shqipërisë. Në funksion të ekzaminimit të ri të ligjeve nga Parlamenti, Përfaqësuesi konfirmon se ai është i gatshëm të vazhdojë të punojë me autoritetet e Shqipërisë për të përmirësuar ligjet, veçanërisht në çështjen e nivelit të gjobave dhe respektimin e parimit të proporcionalitetit si të parashikuara në të drejtën ndërkombëtare”,- thuhet në deklaratën për media të OSBE-së.

Deklarata e Harlem Désir konfirmon qëndrimin e mbajtur dhe më herët nga ana e organizatat shqiptare të mediave dhe ato ndërkombëtare, të cilat kanë kritikuar paketën ligjore të miratuar nga ana e qeverisë.

Deklarata e OSBE që i referohet përfaqësuesit Harlem Désir thekson se “në legjislacionin e ri nuk duhet të pengohet liria e shprehjes dhe liria e mediave. Ai shpreson që leximi i ri të lejojë sqarime të mëtejshme për përmirësim të ligjeve dhe të sigurojë respektimin e plotë të tyre me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së”.

OSBE i jep të drejtë kreu të shtetit në argumentet e kthimit të paketës ligjore, ndërkohë që qeveria pretendon se OSBE i ka dhënë dakordësinë për miratimin e këtij ligji. Fakti që OSBE thotë se rikthimi i ligjeve është një mundësi që ato të jenë me standarde ndërkombëtare, do të thotë se paketa që ka miratuar aktualisht qeveria nuk i ka këto standarde.