OSBE/ODIHR ‘nxin’ zgjedhjet: Raporti do ndikojë te negociatat

233
Sigal

Teksa pritet raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit, drejtuesja e misionit, Ambasadorja Urszula Gacek në intervistën për DW shprehet se ka pasur shit-blerje votash në zgjedhje, por më shqetësues cilëson keqpërdorimin e burimeve të administratës nga ana e qeverisë. E pyetur nëse këto zgjedhje e plotësojnë kushtin për të qenë të lira e demokratike, Gacek shprehet se në raportin përfundimtar nuk do të ndikohen nga presionet për një raport pozitiv, që të plotësohet kushti i negociatave

Ambasadorja, Urszula Gacek ka dhënë detaje rreth gjetjeve të OSBE/ODIHR në zgjedhjet e 25 prillit. Ende pa u publikuar raporti përfundimtar, në një intervistë për DW, Gacek ka nxjerrë në pah shqetësimin për shitblerjen e votës, por sipas saj edhe më i madh është shqetësimi për përdorimin e administratës dhe resurseve shtetërore nga partia në pushtet për fushatën elektorale.

“Ne kemi pasur një shqetësim më të madh sesa shit-blerja e votës: keqpërdorimin e burimeve të administratës shtetërore, qëndrimin e turbullt ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit. Lidhur me shit -blerjen e votës, është një dukuri për të cilën në zgjedhjet e mëparshme janë bërë rekomandime sesi të trajtohet. Duhet vënë në dukje që shit-blerja e votës nuk i përket një partie të veçantë. Nëse i referohemi informacioneve të besueshme, kemi 33 hetime për shit-blerje votash, që janë hapur para ditës së votimit. Pra nuk ka vetëm një fajtor. Dëmi që sjell shit-blerja e votës në perceptimin dhe besueshmërinë tek sistemi zgjedhor është i dyfishtë”.

Për përdorimin e administratës dhe investimeve shtetërore në fushatë, ambasadorja Gacek solli si shembull inspektimet dhe inaugurimet që kryeministri Edi Rama dhe ministrat bënin gjatë fushatës elektorale.

“Kur një forcë politike është në pushtet, ka gjithmonë një sërë avantazhesh natyrore, pasi mund ta tregojë veten më shumë. Nga ndjekja e fushatës në 12 qarqet e Shqipërisë me vëzhguesit tanë ndërkombëtarë kemi konstatuar që të gjithë aktorët politikë mbanin fjalime. Nisur nga përmbajtja e tyre, askush nuk mund të hedhë poshtë që biznesi i qeverisë vazhdoi p.sh. kur dikush shkon hap spitale apo përuron shkolla. Ka pasur vizita inspektuese, të shpeshta nga ministra në objekte të caktuara dhe përdorur ato për fushatë elektorale. Media shqiptare, nga vëzhgimet tona, e ka parë këtë si pjesë të fushatës zgjedhore të partisë në pushtet. Por kur ke logon e partisë në maskën anti-Covid, nëse je duke mbajtur fjalim dhe thua “Më votoni”, atëherë kjo nuk është e lejueshme, e kapërcen kufirin e së lejueshmes. Pra, është fakt që partia në pushtet ka disa avantazhe”.

Sa i përket dyshimeve për shit-blerjen e votave drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR Urszula Gacek u shpreh se po pritet me vëmendje shqyrtimi animimeve për rinumërim.

“Ne po ndjekim numërimin e votave për të parë, nëse njerëzit mendojnë që shifrat janë një reflektim i ndershëm i realitetit në kutitë e votimit. Do të shikojmë me shumë vëmendje çdo ankim apo rinumërim në ditët në vijim”.

Por a mund të shihen këto zgjedhje si një ndikim pozitiv që Këshilli Europian të vendosë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndër-Ministrore, lidhur me hapjen e Negociatave të Anëtarësimit të Shqipërisë në BE? Ja se çfarë thotë ambasadorja…

“BE ditët e fundit doli me një deklaratë lidhur me këto zgjedhje parlamentare, ku përmend raportin tonë paraprak. Kjo është shumë e kënaqshme për misionin tonë pasi ajo që kemi bërë i jep komunitetit ndërkombëtar një informacion të besueshëm për të marrë vendime të mëdha strategjike. Ndërkohë që ne jemi në Shqipëri për të dhënë një vlerësim të bazuar në të dhëna dhe të paanshëm. Ne nuk mund të ndikohemi nga presioni prej asnjë pale, p.sh. që mund të thotë, se për Shqipërinë duhet të jepen këto apo ato konkluzione, se duhet të hapen negociatat e anëtarësimit”.

Në konferencën për shtyp një ditë pas zgjedhjeve parlamentare,  vëzhguesit e OSBE/ODIHR prezantuan rezultatet paraprake të 25 Prillit, ku dhe komentuan fenomenin e shit-blerjes së votës, apo skandalin me publikimin e të dhënave personale nga Partia Socialiste, që sipas OSBE paraqet kërcënim serioz për qytetarët dhe duhej hetuar menjëherë nga instancat përkatëse për të vënë përgjegjësit para drejtësisë.