Organet e drejtësisë, Manja: Kandidoni për KLGJ. Deri tani 3 emra

488
Sigal

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit është organi që pas reformës në drejtësi zëvendëson Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Tashmë procesi i aplikimeve është drejt fundit dhe ai skadon të hënën, më 16 janar.

Dosjet e kandidatëve dorëzohen në Kuvend dhe ish-anëtari i komisionit të reformës në drejtësi, Ulsi Manja nxiti kandidatët që të bëjnë para dhe t’i dorëzojnë ato sa më shpejt.

“Ftoj komunitetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nxis elementë me integritet të lartë moral dhe profesional, që të bëhen pjesë e kësaj gare, pasi edhe procedurat e seleksionimit për ata që do të bëhen pjesë e garës në këto dy organe të drejtësisë do të jenë tepër korrekte dhe strikte”, deklaroi Manja.

Por përtej tonit të qetë të Manjës, duket se tek mazhoranca ekziston një shqetësim. Burime nga Kuvendi thanë për Top Channel se deri të premten, numri i aplikimeve për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit ishte më i vogël se numri i anëtarëve, i cili është 5.

Mësohet se deri të premten kanë depozituar aplikimet vetëm 3 persona. Burime nga maxhoranca gjithësesi pohuan se kjo deri diku është normale dhe se në kushtet e garës kandidatët masin forcat deri në minutën e fundit dhe se numri i atyre që kanë mbledhur firma është më i madh sesa pesë.

Por për këtë duhet të presim të hënën dhe mbylljen e afatit, për të parë nëse reforma në drejtësi ndeshet apo jo me problemin madhor: atë të mungesës së njerëzve të rinj për organet e reja të drejtësisë.