Opozita shqiptare/ Kryengritja e radhës do jetë më 12 mars. Belind Këlliçi: Kuvendi është shndërruar në “mburojë të korrupsionit”

Opozita zbulon datën e protestës së ardhshme: Kryengritja e radhës! 

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi se protesta e radhës e opozitës do të zhvillohet më 12 mars. Lajmin ai e bëri të ditur gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD.Data e protestës përkon me ditën kur Kuvendi pritet të shqyrtojë dy raportet lidhur me çështjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Sipas opozitës, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar arrestimin e saj në lidhje me dyshime për abuzime me tendera.

Sigal

Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ndjek një politikë që, sipas tij, dëmton interesat kombëtare dhe orientimin europian të vendit. Ai deklaroi se qeveria po e largon Shqipërinë nga Brukseli dhe po e afron me Beogradin.“Rama nxori mburojën e Beogradit përpara dhe na thotë se nuk na duhet Brukseli, por Beogradi, duke u kthyer në skenarë anti-shqiptarë. Nuk ka komb në botë që do të duronte një njeri si ky”, tha Berisha.Sipas tij, zhvillimet e fundit në marrëdhëniet rajonale dhe bashkëpunimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiç përbëjnë, në vlerësimin e tij, një rrezik për të ardhmen e vendit.Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 12 mars, të cilën ai e cilësoi si “kryengritjen e radhës”.

 

Pas një mungese tre mujore për shkak të përjashtimit, deputeti i opozitës, Belind Këlliçi, ka mbajtur një fjalim të ashpër në seancën parlamentare, duke akuzuar drejtuesin e seancës dhe mazhorancën për sjellje “absurde” dhe “të turpshme”. Në fjalën e tij, deputeti akuzoi drejtuesin e seancës për radikalizim. Ai e lidhi këtë sjellje me nismën e Partisë Socialiste për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit dhe për të përgjysmuar kohën e fjalës së deputetëve.Sipas Këlliçit Kuvendi është shndërruar në një “mburojë të korrupsionit”.Belind Këlliçi: Duke qenë se rikthehem pas tre muajsh, mendova se kishe reflektuar edhe i kishe marrë parasysh  të gjitha shqetësimet e partnerëve, edhe takimet që ke bërë, se je nga të paktët politikanë që je pritur edhe në Amerikë. Por mesa duket, largimi i ministres së Jashtme, si pjesë e klubit të anglishtfolësve në PS, të ka detyruar të radikalizohesh nga ndonjë merak i brendshëm që mund të kesh.

E nise me zotin Balliu, tre muaj edhe ai i përjashtuar, i hoqe fjalën. E tentove, me zonjën Zhupa, e vazhdove me kreun e grupit parlamentar të PD-së. Nuk e kuptoj këtë qasje tënden. Është absurde. Kjo shkon paralel edhe me nismën e Partisë Socialiste për të ndryshuar sërish në mënyrë të njëanshme rregulloren dhe për të përgjysmuar minutat e deputetëve, nga 10 në 5.

Niko, shkëputu nga, qasja që ka marrë ky Kuvend për t’u bërë mburojë, ta them sinqerisht, për t’u bërë mburojë e korrupsionit. Unë jam përjashtuar me vendimmarrjen tuaj dhe të Komisionit të Etikës drejtuar nga Ulsi Manja, sepse kam kërkuar pikërisht të zbatohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për masën e sigurisë për zëvendëskryeministren dhe të vinte në rend ditën, se është çështje prioritare. Këtë e kërkon Brukseli, këtë e kërkojnë shqiptarët, këtë e kërkon integrimi evropian i vendit. Por është absurde që pas tre muajsh të vish në parlament dhe situata të jetë më e agravuar. Është absurde që t’i privosh deputetët e opozitës nga e drejta edhe për replikë, edhe për fjalë, dhe t’u ndërhysh në fjalë madje…

Është e turpshme, kjo mënyrë drejtimi e seancës. Kur nuk keni asnjë fyerje, asnjë etiketim, as nga deputetët e opozitës, dhe për më tepër, çohet kreu i grupit parlamentar të PS-së, fyen kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, fyen deputetët e opozitës, i flet edhe në emër të besimit, dhe ndërkohë i tërhiqet vëmendja kreut të grupit parlamentar të PD-së. Kjo është, kjo është e paimagjinueshme, sinqerisht.Lini edhe provokimet, lini edhe këto tentativa për të ndezur konflikt brenda opozitës. Ju garantoj që është mirë për ju të qëndroni në lartësinë e detyrës tuaj.