Opozita: Learin e vranë 4 xhelatë të droguar me uniformë, ja si manipulohen provat

137
Sigal

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hedhur sot sërish akuza të forta në drejtim të krerëve të Policisë së Shtetit, drejtuesit të AMP-së Ardi Veliu dhe ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, lidhur me vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti. “Filmimet faktuan se Ardi Veliu, ky mashtrues i paskrupullt gënjeu shqiptarët kur tha se Kurti po qëndronte para një objekti për të krijuar përshtypjen se po përgatitej për akt delinkuent, kur ai po ecte i vetmuar, siç duket nga kamerat. Po ecte i vetmuar duke folur në telefon me mikun apo familjarët e tij. Mashtrim i paskrupullt i policisë u hodh poshtë se sipas tyre patrulla prej 2 policësh e ndaloi. Pranë tij në barbarinë e ushtruar në rrugë ishin të paktën katër policë e banditë me uniformë”, u shpreh kryedemokrati. Referuar pamjeve të kamerave të sigurisë dhe dëshmive të familjarëve e mikut të Learit, i cili rrëfeu në media se 32-vjeçari u dhunua barbarisht në makinën e patrullës së policisë, Berisha akuzoi institucionet shtetërore për tentativë manipulimi të provave dhe përdhosjen e viktimës. Ndër të tjera kreu i selisë blu shtoi se 32-vjeçarin e vrau dhuna e të paktën katër policëve, ndërsa shtoi se mes tyre kishte edhe efektivë të droguar. “O Noku më mbytën! Ishte klithma para se të jepte shpirt sipas dëshmitarit të pranishëm në vendngjarje e mikut të Lear Kurtit. Investigimet serioze të rrjeteve televizive hodhën poshtë si trillime të turpshme pretendimet e Ramës dhe Çuçit të tij të familjes. Hodhën poshtë trillimet, manipulimet e inskenimet e një krimineli të pashoq në radhët e policisë, Ardi Veliu i cili për të mbrojtur padronët e tij vrau për së dyti Kurtin. Investigimet e TV faktuan se mbi Leart Kurtin një bandë prej katër policësh, mes tyre të droguar, u vërsulën në rrugë me një egërsi çnjerëzore”,- tha Berisha. Lideri i opozitës nënvizoi më tej faktin se në trupin e të riut janë konstatuar hematoma të shkaktuara sipas tij nga “xhelatë me uniformë”. “Të dhënat faktuan se trupi i tij kishte hematoma. Ekspertë mjeko-ligjorë denoncuan kryerjen e autopsisë nga një bandë që donte të fshihte të vërtetën. Tashmë nuk ka asnjë dyshim se Kurtit i morën shpirtin xhelatë me uniformë dhe pasi i morën shpirtin e dërguan në spital. Pastaj i bënë autopsi pa asnjë prani të familjarëve apo të avokatit të tij”,- deklaroi ai.