“Nuk largohem nga LDK-ja”, Vjosa Osmani: Nuk futem në listën e partisë nëse në zgjedhje kërkon koalicion me partitë zhvatëse

254

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në emisionin DESKU të KTV-së, tha se nuk do të largohet nga LDK-ja, edhe pas zhvillimeve të fundit në parti pas situatës me mocionin e mosbesimit.

Osmani tha se për humbjen potenciale të votave nga LDK-ja si pasojë e mocionit, partia është dashur ta mendojë këtë çështje para mocionit.

“Pas pandemisë, duhet të dilet dhe të kërkohet besimi i zgjedhësve. Unë s’do të isha në krye të një liste që një ekip merr besimin qytetar, dhe një tjetër ekip vendos. Vetëm kur ekipi është i njëjtë, atëherë garoj. Unë s’do ta përsëris gabimin e njëjtë. Kam hyrë në garë zgjedhore me besimin e plotë se kur ne dalim para qytetarëve dhe ua japim atyre besën se s’do të përzihemi me njerëz që e kanë katandisur vendin deri në këtë masë. Që ne do ta mbajmë fjalën… Unë vërtet kam besuar kështu. Tani, si ka rrjedhur situata, nëse pas pak muajsh mbahen zgjedhjet dhe e kemi një ekip tjetër në vijë të frontit për të marrë besimin, dhe një ekip tjetër që fare nuk del para qytetarëve, por pastaj dëshiron ta devijojë atë vullnet, natyrisht se nuk pranoj. Por kjo s’më shkëput nga LDK-ja. Por beteja për ta bërë ekipin e njëjtë tani është edhe më e ashpër”, u shpreh nënkryetarja e LDK-së.

Osmani: S’hyj në listë të LDK-së nëse në zgjedhje partia ime kërkon koalicion me partitë zhvatëse

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh nënkryetare e LDK-së, ka thënë se nuk do të hynte në listën garuese me LDK-në, nëse kjo parti do të kërkonte të bënte koalicion me partitë e PAN-it.

Në emisionin DESKU të KTV-së, Osmani ishte e prerë se vijat e kuqe i ka për të gjitha partitë që e kanë zhvatur Kosovën.

“Nëse dëshironi të kërkoni besimin për të hyrë në koalicion me parti që e kanë zhvatur Kosovën, unë nuk i hyjë asaj liste. Por ju dilni dhe matuni para qytetarëve sepse s’mund të fshiheni më prapa meje”, theksoi Osmani.

Vjosa Osmani, nënkryetare e LDK-së, tha se ngutia e partisë së saj për të proceduar me mocionin e mosbesimit të Qeverisë nuk mund të arsyetohet me dialogun si argument.

Ajo tha se tarifa tashmë nuk ekziston, por ka trajtim të barabartë në aspektin tregtar mes Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë pikë, Osmani, në emisionin DESKU të KTV-së, tha se është dashur të jetë zë i përbashkët i partnerëve qeveritarë.

“Kur ne dhe VV ishim bashkë në opozitë, dhe kur i dërgonim bashkë letrat, kishin më shumë efekt. Jam në kontakt të vazhdueshëm me Francën dhe Gjermaninë. U bë thirrja nga shtetet e BE-së që të mbahet qeveria funksionale. Por, çka ndodhi më vonë, ishte një keqpërdorim i plotë i një deklarate të SHBA-së, e cila thjesht e përshëndeste vendimin tonë si Kuvend për thirrje të seancës. E përkthyen si përkrahje për një votë pro mocionit. SHBA-ja kurrë s’ka kërkuar të votohet pro mocionit, kurse shtetet e BE-së e kanë bërë të qartë që të mos votohet mocioni ose të shtyhet. Pse nuk ishte e mjaftueshme një thirrje e tillë, unë s’e kuptoj. Sepse në kohën kur Kosova ballafaqohej me rrezikun e ndryshimit të kufijve, dhe humbjes më të madhe që LDK-ja do të pësonte, jo në vota, por në aspektin e projektit të saj ‘Kosova shtet i pavarur sovran dhe në kufijtë aktualë’, kush ishte personi që mbronte kufijtë tanë? Ishte kanelarja Merkel! Pse tani zëri i saj u bë tejet i parëndësishëm?”, pyeti Osmani.

Ajo tha se ka shumë gjëra për të cilat në këtë moment, për shkak të konfidencialitetit s’mund t’i thotë, por tha se “do të dalin në shesh dezinformatat që i janë dërguar SHBA-së nga një rrjet i organizuar nëpër parti politike”.

“Do të dalin edhe qëllimet e vërteta të njerëzve prapa krejt kësaj situate. Do të dalë edhe e vërteta që këtë qëndrim që e mbaj, s’e mbaj për vota, por unë, mes reputacionit dhe mes pozitës partiake dhe ndërgjegjes sime, gjithnjë e kam zgjedhur ndërgjegjen. Shpresoj që këtë ta kuptojë secili”, u shpreh ajo.

Ajo thotë se përkrahja e Gjermanisë dhe e SHBA-së është për popullin e Kosovës, jo për liderë të caktuar.

“Fakti se është injoruar demarshi i Francës dhe i Gjermanisë ndaj LDK-së, nuk është pritur mirë nga këto dy vende. Natyrisht se ata punojnë me secilën qeveri”, tha Osmani.

Për periudhën pas mocionit, Osmani tha se këto çështje do të përfundojnë në Kushtetuese.