‘Nuk keni parë gjë akoma’, erdhi edhe radha e ndërkombëtarëve!

111
Sigal

Duket se ashtu si shqiptarët që gjatë këtyre 8 viteve e mësuan mirë se çfarë donte të thoshte Edi Rama me “nuk keni parë gjë akoma”, radha iu erdhi ndërkombëtarëve.

Të martën (22 qershor) si kurrë më parë përfaqësuesit e SHBA dhe BE në Tiranë u shfaqën të alarmuar, për atë që po ndodh me institucionet e Reformës në Drejtësi.

Në fakt bëhet fjalë për një çështje konkrete siç është ajo e kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj, e cila e kaloi vetingun edhe pse për 3 vite rresht, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ka qenë kundër. Situata e saj tashmë dihet, por ajo që bie në sy është se ndërkombëtarët po shfaqen të alarmuar pasi Reforma në Drejtësi dhe drejtuesit e institucioneve të saj, po iu ikën nga kontrolli.

Madje edhe më keq; duket sikur më në fund një lakmues si “çështja Imeraj” bëri që ata të kuptonin më në fund atë që ka paralajmëruar me kohë dhe sistematikisht një pjesë e medias dhe opozitës:

Edi Rama dhe shumica e tij në parlament hap pas hapi, komision pas komisioni, ligj pas ligji dhe emërim pas emërimi, gjatë 3 viteve të fundit ka mundur që të fusë njerëzit e tij në institucionet kyçe të Drejtësisë së re.

Një ditë më pas këtë të mërkurë (23 qershor 2013) ambasadorja Kim “sajoi” një aktivitet me drejtuesit e drejtësisë dhe mbajti një fjalim alarmant. Në fjalën e saj dukej sikur “iu lutej” krerëve të drejtësisë së re që të vazhdojnë përpara me reformën, “të mos bëjnë sikur…”, të mendojnë për brezat e ardhshëm…

Dje dhe sot, Yuri Kim u detyrua të flasë publikisht për një ngecje të përparimit të reformës, për rikthim të modeleve të vjetra dhe metodave të së kaluarës kur politika dhe qeveria ndërhyn, pengon dhe menaxhon drejtësinë.

Ambasadorja duke qenë se njësoj si paraardhësi, Donald Lu, ka bërë garantin dhe gardianin e Reformës, duket se po gjendet përpara një fakti të kryer: Institucionet dhe njerëzit që prodhoi kjo reformë nuk janë edhe aq “besnikë pa kushte” ndaj SHBA-BE.

Ndaj ditën e sotme iu “qau hallin” për vështirësi, ndërhyrje e të tjera dhe iu dha mesazhin se duhet që të rikthehen nga “prehri i Ramës” te ai i ndërkombëtarëve, edhe pse për një kohë të gjatë ka qenë i njëjti prehër!

Sot që ndihen të sfiduar kërkojnë edhe ndihmën e medias, e cila ka qenë në fakt ajo që ka bërtitur: Kujdes, Rama po i kap institucionet e Reformës, KLP, KLGJ, KED, ato të vetingut etj.

Në gjithë këtë situatë ka vetëm një zgjidhje, të kapet demi nga brirët. Dhe demi që iu fut me kokë Reformës në Drejtësi (edhe me ndihmën apo neglizhencën e ndërkombëtarëve) ka vetëm një emër: Edi Rama!