Nora Malaj: Të mos kemi frikë nga e shkuara për të ndërtuar një të ardhme të sigurt!

540
Në seancën e djeshme parlamentare dedikuar veprimtarisë përkujtimore me rastin e përkujtimit të 70- vjetorit të ekzekutimit të “grupit të deputetëve”, foli edhe deputetja e LSI-së, Nora Malaj. “Rëndësia e kësaj seance lidhet me atë, çfarë këta deputetë dhanë për të gjithë ne sot, me nevojën dhe domosdoshmërinë që t’i rikthehemi historisë, për të njohur të vërtetat, pa pasur frikë nga e kaluara, për ta pranuar atë ashtu siç ka ndodhur dhe për të vlerësuar çdo individ për atë çka bërë për vendin e tij, në emër të lirisë dhe të demokracisë, në emër të shenjtërisë së votës dhe idealeve për një jetë më të mirë, me të drejta dhe liri pa kufi. Në figurën e secilit prej tyre shoh të shfaqet bota e tyre shpirtërorë, si ikona të lëvizjeve masive dhe demokracisë së një vendi. Regjimet totalitare komuniste që sunduan në Evropën Qendrore dhe Lindore në shekullin e fundit dhe që janë ende në pushtet në disa vende në botë, kanë qenë, pa përjashtim, të karakterizuar nga shkeljet masive të të drejtave të njeriut. Ne si komb, akoma më shumë. Jeta dhe komunikimi ynë i përditshëm është i mbushur me jo pak të tillë, mure që shihen dhe mure që s’ka nevojë të ngrihen, mure të trashëguara dhe mure të imagjinuara. Kufiri, që dikur ndau botën, sot na ndan nga njëri-tjetri. Jeta, na ka mësuar se atje ku ka mure të ngritura, ka ndarje, atje ku ka ndarje ka zhgënjime, ka frikëra, pengje, varre. Nëse do ta shohim në këndvështrimin historik, do të vërejmë se ky gjyq, i këtyre martirëve të demokracisë, përbën “gongun” e tragjedisë së re shqiptare. Ajo që ishte më e frikshme, goditi për vdekje inteligjencën e sapoformuar. Gjyqi dënoi me varje: Shefqet Bejën, Sulo Klosin dhe Riza Alizotin. Me pushkatim: Selaudin Toton, Irfan Majunin, Enver Sazanin, Sheh Karbunarën dhe të birin, Hysenin, Selim Kokalarin, Beqir Çelën, Mehmet Prishtinën, Paolo Sagiotin, Tefik Deliallisin, Pertef Karagjozin. Të tjerët me burgime të rënda. Ky gjyq vendosi përfundimisht diktaturën e ashtuquajtur “të proletariatit” ku, meqenëse: Ç’thotë populli bënte Partia, Shqipëria u rrethua me klonet me gjemba, kultivoi burgje e kampe përqendrimi, zëvendësoi kisha e xhami me tunele e bunkerë, luftoi çdo kulturë e shfaqje të “huaj perëndimore”, duke përfunduar të sfilitur materialisht, shpirtërisht e mendërisht, në krijimin e pseudo “njeriut të ri”. Ta filloj nga Musine Kokalari, intelektualja e ndritur e shkolluar në perëndim që përfundoi e burgosur, e internuar dhe pastruese në Burrel për t’u varrosur pastaj me duart e lidhura me tela? Apo lista e gjatë e të gjithë deputetëve martirë, që sot janë edhe dëshmia e gjallë për të treguar se të ndërtosh të ardhmen, duhet të shkuarën ta shohësh drejt në sy, pa droje dhe me kurajën për të jetuar dhe ndërtuar një shoqëri më të mirë. Musine Kokalari do të kujtohet për kalvarin e saj njerëzor, por edhe si e para shkrimtare shqiptare, si veprimtare politike dhe për të drejtat e gruas, si intelektuale e kohës së vet. Do të kujtohet edhe për vlerat e veprës së vet modeste, por stilistikisht të kulluar; sikurse ka muzikantë që kujtohen për nokturne jo për simfoni; për etyde e impromptu për piano, jo për opera dhe oratorio. Sidoqoftë, ne kemi detyrim dhe përgjegjësinë t’i dokumentojmë ato krime, dhe të pastrojmë ndërgjegjen tonë të përbashkët shoqërore nga çdo hije e errët e së kaluarës, duke u mësuar brezave të rinj mbi të kaluarën e hidhur, në mënyrë që ajo të mos përsëritet kurrë më! Le ta fillojmë nga tribuna e këtij parlamenti, për të komunikuar më mirë, për të mbrojtur të drejtën e votës, për të vlerësuar fjalën dhe për të mbështetur aksionin. Për të kuptuar qartë se fatet e njerëzimit varen nga vet njerëzit. Le t’u jemi mirënjohës brezave dhe të kryejmë misionin human për ti dhënë njerëzimit atë që meriton, shkrimin e historisë, pa frikëra dhe me mesazhin se nuk është pushteti ai që të bën të korruptosh, por frika. Frika se mos humbet pushtetin, korrupton ata që e zotërojnë atë, dhe frika e fshikullimit të pushtetit, korrupton ata që janë të varur nga ai. Ndaj kur flasim dhe veprojmë në emër të popullit duhet jo vetëm ta duam popullin, po ta mbrojmë nga oligarkët, nga frikërat e njerëzve që kanë pushtet absolut dhe mbajtja peng në emër të varfërisë. Le të jemi pjesë e ndërtimit të një shoqërie me të mirë, pa frikëra, inate, mllefe ballkanike, që nesër historia mos të na gjykojë e ndëshkoj, por të na vlerësojë!” tha Nora Malaj.
Sigal