Nju Jork, Bushati takon Zannier; diskutohet roli i OSBE-së në Shqipëri

413
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati zhvilloi në Nju Jork një takim me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier. Sipas një njoftimi të MPJ, ministri Bushati dhe zoti Zannier u ndalën tek bashkëpunimi i Shqipërisë me organizatën dhe rolin e pranisë së saj në Shqipëri, në mbështetje të reformave dhe procesit integrues të vendit tonë në BE. 
“Palët shprehën nevojën për një bashkëpunim më të strukturuar mes Shqipërisë dhe organizatës, për të rritur efikasitetin e veprimtarisë së saj në funksion të përballimit të sfidave që ka përpara Shqipëria”, thuhet në njoftimin zyrtar.  Gjithashtu, ministri Bushati dhe Zannier diskutuan për zhvillimet më të fundit në vend, të fokusuara në fushën e sigurisë. 
Në vijim të takimeve në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ministri Bushati bisedoi kokë më kokë edhe me zotin Frans Timmermans, zëvendës president i parë i Komisionit Evropian. Gjatë takimit, ministri Bushati shprehu vlerësimin për rolin e Komisionit Evropian në mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë. Ai e vuri theksin edhe tek progresi i arritur nga Shqipëria në procesin e reformave dhe siguroi për angazhimin dhe vullnetin e plotë të qeverisë për të konsoliduar këtë progres, i konstatuar sipas tij edhe në raportet e KE-së.
“Ministri Bushati vuri në dukje se në fokus të përpjekjeve të qeverisë janë reformat që lidhen me sundimin e ligjit, ajo në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, saktësohet në njoftimin për shtyp. 
Nga ana tjetër, zoti Timmermans vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në përmbushjen e reformave që lidhen me pesë prioritetet kyçe, duke shprehur besimin se ajo do të vijojë kursin e nisur. Ai nënvizoi edhe rëndësinë që ka reforma në drejtësi për avancimin e vendit në rrugëtimin evropian.
Sigal