Nishani në Berlin: Harmonia fetare, shtylla e ndërtesës së shtetit shqiptar

464
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë si i Ftuar Nderi dhe folës kryesor në mbrëmjen e Takimit të 20-të Ndërkombëtar të Berlinit, që po organizohet nën kujdesin e Presidentit dhe një grupi deputetësh të Bundestagut gjerman si dhe Fondacionit gjerman për Vlerat Themelore dhe Mirëkuptimin mes Kombeve. Presidenti Nishani në mesazhin drejtuar deputetëve gjermanë dhe të pranishmëve e politikanëve nga 50 vende të ndryshme të botës, përfshirë dhe Shqipërinë dhe vende të Ballkanit Perëndimor, u ndal në vlerat e përbashkëta që duhet të udhëheqin liderët e sotëm, në marrjen e përgjegjësive dhe vendimeve për një shoqëri njerëzore më të paqtë e më solidare në përballimin e sfidave aktuale. Mesazhi i Presidentit Nishani u fokusua në nevojën e ruajtjes së vlerave të përbashkëta morale e shoqërore si dhe në promovimin e harmonisë fetare në Shqipëri dhe rolit e kontributit të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Në ditët e sotme përgjegjësia bëhet edhe më imperative, pasi sfidat e identifikuara globale, por edhe kërcënimet e grupeve radikale e terroriste, kanë bërë që asnjë vend apo rajon, sado i fuqishëm e i begatë qoftë, nuk mund të jetë imun ndaj kërcënimet terroriste me sfond fetar dhe vendet që i sponsorizojnë ato. Për këtë arsye, vendet dhe shoqëritë tona kanë nevojë për një udhëheqje që ofron bashkëjetesë dhe harmoni, por edhe për udhëheqës të cilët marrin përgjegjësi për të reaguar e përballuar të bashkuar dhe me vendosmëri sfidat dhe kërcënimet globale. Zgjidhje tjetër nuk ka. Në këtë kontekst edhe Shqipëria, vendim im, pavarësisht nga potenciali i ekonomik apo ushtarak, është rreshtuar pa hezitim në aleancat e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe ruajtjes së paqes dhe sigurisë në botë. Shqipëria po jep kontributin e saj me trupa dhe ekspertë ushtarakë e civilë në misione paqeruajtëse në vende të ndryshme të Botës, por edhe në luftën kundra të ashtuquajturit Kalifatit të Sirisë dhe Irakut, ISIS/ISIL. Dhe sigurisht që do të vijojë ta bëjë një gjë të tillë sa herë të nevojitet. Aktet barbare e mizore të ISIS-it në Irak dhe Siri, përbëjnë kërcënim për vlerat morale të mbarë njerëzimit.
Për këtë arsye është në interesin tonë të përbashkët të garantojmë paqen dhe sigurinë në botë. Shqipëria është një vend i vogël për nga përmasat e saj gjeografike, por ka në themel të saj një shoqëri multifetare, ku tre besimet kryesore, feja islame, ortodokse dhe ajo katolike bashkëjetojnë prej shekujsh në paqe e harmoni të plotë. Këto modele bashkëjetese dhe harmonie fetare janë shtylla të qëndrueshme të ndërtesës së vetë shtetit shqiptar. Pa asnjë paragjykim fetar, drejtuesit më të lartë dhe të të gjitha niveleve të institucioneve dhe administratës shqiptare tradicionalisht vijnë nga të gjitha besimet, duke ruajtur kështu me kujdes, ekuilibrat e shoqërisë shqiptare. Prej disa vitesh, Shqipëria është anëtare e Aleancës më të fuqishme politike dhe ushtarake të globit, NATO-s, si dhe po vijon me vendosmëri procesin e reformave për t’u anëtarësuar në organizatën më të madhe rajonale në botë, në Bashkimin Evropian duke e konsideruar këtë si një objektiv strategjik dhe parësor. Aktualisht Shqipëria është anëtare e të gjitha organizatave rajonale të Evropës Juglindore dhe të Ballkanit Perëndimor, duke u kushtuar një vëmendje të veçantë e të madhe marrëdhënieve me vendet fqinje, por edhe me rajonet e tjera të botës. 
Gjithashtu mbështetja e Pavarësisë së Kosovës nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (108 vende anëtare të OKB-së) dëshmoi se ishte një vendim i drejtë në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit. Një vendim që nuk drejtohej kundër ndonjë vendi apo etnie tjetër, por rivendosja në vend e një të drejte të mohuar e popullsisë shqiptare të Kosovës. Sot Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime për çështje të ndryshme dhe, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë arritur marrëveshje të rëndësishme, që ndikojnë jo vetëm në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe qytetarëve të tyre, por edhe të të gjithë rajonit. Për të pasur një botë më të sigurt e më të paqtë, më të zhvilluar e më solidare duhet që të mos reshtim së bashkëpunuari, pa paragjykime dhe me besim në Zot. Vetëm kështu do të mund të garantojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë dhe brezat që do të vijnë”, u shpreh Nishani.
Sigal