Partia Socialiste duket se ka nisur show-n e radhës, para zgjedhjeve parlamentare me komisionin e shumëpërfolur “Xhafaj”. Ditën e premte u zhvillua mbledhja e radhës e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion me pjesëmarrjen e vetëm deputetëve të mazhorancës, pasi opozita e ka bojkotuar këtë komision që në fillim.
Deputetët e PS-së, prezantuan projekt-idetë e tyre për komisionin “Xhafaj” dhe propozimet nuk dukeshin gjë tjetër veçse premtime të mirë menduara për t’u përdorur në fushatën e radhës. Pas 11 vitesh në pushtet, pas hetimit dhe burgosjes së disa ministrave, deputetëve, kryebashkiakëve dhe miliona eurove të vjedhura nga paratë publike, deputetët e mazhorancës deklaruan në komisionin “Xhafaj” se kishin vendosur të pastronin veten nga korrupsioni.
Teksa kanë marrë pushtetin me persona me të kaluar kriminale dhe madje disa prej tyre i kanë futur dhe në parlament në legjislaturat e kaluar, deputetët e mazhorancës deklaruan se ka ardhur koha që pastërtia e figurës të jetë kusht për të gjitha hallkat e shtetit.
Në një kohë ku po qeverisin vendin për tre mandate, dhe pritet që me shumë gjasa të marrin dhe një mandat të katërt, Braçe foli dhe për kufizim të qëndrimit të drejtuesve politikë në të gjithë nivelin politik të drejtimit të shtetit.
Gjithashtu, krejt papritur në komisionin e sotëm, rekomandimet e DASH-it dolën se nuk ishin thjeshtë “copy paste”, siç thotë kryeministri Rama. Madje deputetët e PS-së propozuan se ato rekomandime duhen marrë në konsideratë sidomos sa i takon prokurimeve publike, që sipas DASH janë gropa e zezë e kësaj qeverie.
Marrë të gjitha në konsideratë, gjithçka u propozua sot në komisionin “Xhafaj” duket tepër e bukur për të qenë e vërtetë. Gjithmonë nëse marrim parasysh se kemi të bëjmë me të njëjtit njerëz që për 11 vite nuk ka marrë kurrë përgjegjësi, por thjeshtë e ka shitur atë si personale duke “fundosur” shokët dhe kolegët e tyre, që siç thotë kryeministri “kanë ngrënë dardha pas shpine”.
Milva Ekonomi: Qëllimi i përgjithshëm do të jetë që përafrimi drejt Acquis të jetë një proces i monitoruar, duke zbatuar si vlerësimin e ndikimit rregullator, por edhe gjithëpërfshirjen e grupeve të interesit. Administrata publike duhet të jetë e aftë të ndjekë ndryshimet, që vijnë si rezultat i zbatimit të direktivave, ndaj duhet të përpiqemi për të krijuar klasën e ekspertëve sipas fushave teknike. Kuvendi duhet të rrisë rolin mbikqyrës kundrejt insitucioneve të pavarura duke pasur në vëmendje qeverisjen dhe qytetarët, por edhe performancën e monitoruar të qeverisë.
Evis Kushi: Sfida jonë për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve digjitale dhe garantimin e tyre është sfidë globale, ku Shqipëria nuk duhet të jetë e vetme, por pjesë e rrjeteve, zhvillimeve të teknologjisë, kërkimeve shkencore etj. Prandaj për vizionin tonë 2030 duhet të hartojmë një strategji më të qartë si të çojmë përpara investimet me më shumë efektivitet dhe qëndrueshmëri, si ta orientojmë kërkimin dhe inovacionin në këtë drejtim, si të shfrytëzojmë në maksimum potencialin e inteligjencës artificiale, si të rrisim kapacitetet e administratës publike etj.
Eduard Shalsi: Është e nevojshme që edhe shërbimet mbështetëse, teknologjia e informacionit të jenë në lartësinë e duhur. Doja ta riktheksoja edhe njëherë se nuk i përgjigjemi dot këtyre sfidave nëse nuk japim shembullin e një procesi përmirësimi brenda vetes tonë. Kemi nisur procesin e reformimit, ristrukturimit të rolit të mbështetjes nga brenda Kuvendit. Do duhet të provojmë që kapacitetet, burimet njerëzore, struktura e parlamentit, bëjnë të mundur që roli ynë është ai që përcakton Kushtetuta dhe presin njerëzit.



















