Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi reagoi lidhur me miratimin me konsensus të Rezolutës për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e cilësuar si një moment i rëndësishëm bashkimi politik dhe mbështetjeje për aspiratën europiane të vendit.Peleshi nënvizoi se konsensusi ndërmjet forcave të mazhorancës dhe opozitës mbi Rezolutën për anëtarësimin në BE ishte një ngjarje pozitive dhe shumë e rëndësishme për momentin ku ndodhet vendi ynë.Sipas tij, “Shqipëria ka një karakteristikë unike ndër vendet aspirante, madje edhe ndër vendet anëtare të BE-së: të gjitha partitë politike, në mazhorancë apo opozitë, parlamentare apo joparlamentare, të mëdha apo të vogla, kanë në program si prioritet absolut anëtarësimin në BE. Pra, në Shqipëri nuk ka forca politike (apo shoqërore) euroskeptike”.Kreu i Kuvendit theksoi faktin se miratimi konsensual i rezolutës ishte rasti për ta mbështetur jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, njëzëri, aspiratën tonë të përbashkët për anëtarësim.Nga ana tjetër, sipas tij “ky konsensus duhet të mbështetet edhe nga opinioni mediatik, i cili, duam apo nuk duam, modelon opinionin e gjerë publik”.“Në diskursin publik ekziston një frymë kritike ndaj polarizimit politik, me të drejtë, por është e padrejtë të analizohet “kush humbi” kur arrihet (fatkeqësisht jo aq shpesh) një konsensus”, theksoi Peleshi.Peleshi shtoi më tej se konsensusi për çështjet e mëdha kombëtare, që shkojnë përtej përfitimeve afatshkurtra politike, nuk dobëson askënd; përkundrazi, forcon si mazhorancën, ashtu edhe opozitën.“Mbi të gjitha, forcon Shqipërinë tonë”, theksoi ai.




















