“Nëse takimi do ishte bërë në 2017-ën”, Presidenti Meta: Sot do të kishim Kushtetuesen, negociatat do të ishin hapur

287
Sigal

Presidenti Ilir Meta në deklaratën e tij për mediat në lidhje me zhvillimet e fundit politike dhe vendimin e BE-së ka theksuar se nëse takimi do të ishte zhvilluar më parë vendi nuk do të kishte ngelur pa gjykatë Kushtetuese.

Meta në një bashkëbisedim me gazetarët është shprehur se nëse një gjë e tillë do të kishte ndodhur, as opozita nuk do ta kishte braktisur Parlamentin, si dhe do të ishin çelur negociatat e Shqipërisë me BE.

Ndër të tjera ai ka theksuar se një kusht i tillë nuk duhet të ishte vendosur nga BE.

“Nuk kemi çfarë te negociojmë, duhet të bashkëpunojmë.

Kjo një shkresë e 9 nëntorit e vitit 2017 nga presidenti për BE-në dhe Euralius, për të parandaluar problemet e KED-së, me hedhjen e shortit, me parandalimin e atyre gjërave që ndodhën këto tre vite.

Nëse nuk do të ishte minuar ky takim më herët, Shqipëria asnjë sekondë s’do të kishte mbetur pa Gjykatë Kushtetuese funksionale. Madje, opozita s’do të kishte pasur asnjë lloj pretendimi për t’u larguar nga Parlamenti, pasi do ta kishte rrugën për të shkuar në Kushtetuese, por edhe negociatat do të ishin çelur me kohë. E kam thënë dhe më parë që ne po lëmë nam me Gjykatën Kushtetuese, pasi ka qenë kusht ngritja e saj.

Nuk dua të kthehem pas, pasi nuk kemi kohë për të humbur, por dua urgjentisht që të gjitha institucionet të lexojnë me vëmendje raportin e Venecias. unë do ua dërgoj të gjithëve edhe vlerësimet e mia, si dhe i mirëpres të gjithë të më sjellin zyrtarisht se çfarë sugjerojnë ata nga rekomandimet e Venecias, që duhet t’i përmbush unë.

Do t’i përmbush me shpejtësinë më të madhe. Kjo është fryma e bashkëpunimit, e seriozitetit. Nuk duhej kurrsesi të vendosej ky kusht nga BE, por u vendos se nuk ka asnjë vend të botës pa Gjykatë Kushtetuese.

Jam i sigurt që ne do të jemi një shtet serioz dhe i besueshëm, së pari nga qytetarët tanë që të mos largohen më nga vendi, si dhe nga investitorët. Ky është momenti i fundit për të ringritur besimin te shteti ligjor dhe përgjegjshmëria e çdo individi dhe institucioni”, është shprehur Meta.