“Në Gjermani Rama u kthye thjesht në një bufon qesharak”, Vasili: “Ballkani i Hapur” merr shuplakë nga Kancelari Scholz, nuk duhet të vazhdojë më asnjë hap

153
Sigal

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili deklaron se nisma “Ballkani i Hapur” është përbuzur nga kancelari gjerman Scholz.

Teksa komenton vizitën e kryeministrit Edi Rama në Gjermani, Vasili shkruan se ai u kthye thjesht në një bufon qesharak duke folur për Ballkanin e Hapur përballë një qëndrimi gjerman konsistent dhe të pandryshuar, që mbështet vetëm Procesin e Berlinit.

Sipas Vasilit, pozicioni i Ramës është sot më i rënduar se kurrë, sepse ai kapur peng nga Serbia, që është aleate e fortë e Rusisë agresore, vazhdon të mbështesë Vuçiçin dhe Ballkanin e Hapur.

Ai bën thirrje për daljen nga Ballkani i Hapur teksa sjell dhe njëherë amendamentet e propozuara për këtë qëllim nga LSI

Postimi i plotë:

Ballkani i hapur i Ramës merr shuplakë nga Kancelari Scholz!

Ballkani i Hapur kjo nismë e errët serboruse është përbuzur nga Kancelari gjerman Scholz.

Kancelari gjerman ashtu si edhe Merkel më parë ka pasur një qëndrim të palëkundur që mbështet vetëm procesin e Berlinit.
Në Gjermani Rama u kthye thjesht në një bufon qesharak duke folur për Ballkanin e Hapur përballë një qëndrimi gjerman konsistent dhe te pandryshuar, qe mbështet vetëm Procesin e Berlinit.

Ballkani i Hapur është një nismë, që i shërben vetëm Vuçiçit dhe interesave të Serbisë kjo është kaq e qartë sot.

Pozicioni i Ramës është sot më i rënduar se kurrë, sepse ai kapur peng nga Serbia, që është aleate e fortë e Rusisë agresore, vazhdon të mbështesë Vuçiçin dhe Ballkanin e Hapur.

Politika antikombëtare e Ramës dhe në dëm të sovranitetit dhe interesave të shqiptarëve është kaq e qartë pas vajtjes së tij të fundit në Gjermani.

Rilindja dhe pupacët e saj në qeveri e parlament është momenti të mbyllin gojën dhe të heqin dorë përfundimisht nga mbështetja e turpshme e Ballkanit të Hapur.

Para pak javësh kur Parlamenti po shqyrtonte një Rezolutë për luftën në Ukrainë propozova një amendament të qartë për daljen nga Ballkani i Hapur.

Deputetët rilindas në mënyrë të turpshme e hodhën poshtë Amendamentin duke mbështetur Vuçiçin, aleatin besnik të Putinit, të atij Vuçiçi, që refuzoi sanksionet ndaj Rusisë duke u vendosur në mbështetje të saj dhe të agresionit kundër Ukrainës.

Ballkani i Hapur ky aksion politik serborus anti Kosovë nuk duhet të vazhdojë më asnjë hap më tej.
Po ju sjell edhe një herë tekstin e Amendamentit për daljen nga Ballkani i Hapur.

AMENDAMENT:

Duke vlerësuar më shumë shqetësim se:

-Serbia është vendosur qartë dhe publikisht kundër sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Europian dhe SHBA ndaj Rusisë si agresore ndaj Ukraines.

-Në Serbi janë mbajtur demonstrime të gjera publike në mbështetje të agresionit të Rusisë në Ukrainë, po kështu edhe mjaft media janë vendosur në mbështetje të hapur të këtij agresioni.

-Ballkani i Hapur është provuar gjerësisht si një veprim politik dhe shtetëror me pasoja tepër negative për interesat ekonomike të Shqipërisë dhe të individëve e veçanërisht të fermerëve shqiptarë.

-Ballkani i hapur ka pasur një qëndrim të hapur agresiv, te njëanshëm dhe diskriminues ndaj Kosovës duke minuar procesin e njohjes së saj dhe duke i shërbyer objektivit të Serbisë për mosnjohjen e pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës.
-Ballkani i Hapur është demonstruar qartë si një veprim politik dhe shtetëror, që ka krijuar premisa për destabilizim dhe jo unifikim ndaj edhe nuk është mbështetur nga Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi.

-Ballkani i Hapur ka krijuar veprime politike të qëllimshme paralele , që kanë minuar në mënyrë tepër të rrezikshme proçesin e Integrimit në Bashkimin Europian, i cili përfaqëson njëherazi edhe garantuesin dhe mbështetësin më të madh politik dhe ekonomik të Ballkanit Perëndimor.

Duke u shfokusuar dhe devijuar në këtë mënyrë veprimin nga prioriteti madhor dhe i patjetërsueshëm i Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, i është hapur rruga realizimit të interesave të përbashkëta, të njohura botërisht, serbo-ruse në Ballkan.

– Ballkani i hapur e vendos Shqipërinë në krahë të Serbisë, e cila është vendosur në mbështetje të agresionit rus në Ukrainë dhe kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme për çdo shqiptar.

Kuvendi i kërkon Qeverisë shqiptare:

Daljen e menjëhershme të Shqipërisë nga Nisma e Ballkanit të Hapur.

Shfuqizimin e të gjitha marrëveshjeve, vendimeve të qeverisë dhe nismave ligjore të marra në kuadrin e Ballkanit te Hapur.
Ndalimin e çdo veprimtarie dhe instrumenti të ngritur në funksion dhe në zbatim të vendimeve dhe akteve, që lidhen me Ballkanin e Hapur.

Ti kërkohet Bashkimit Europian aplikimi i procedurave të përshpejtuara për hapjen e Negociatave për Anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.