Demagogjia llogaridhënies e Taulant Ballës me fshatarët në Elbasan dhe emigrantët në Romë

591
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, u ndodh për llogaridhënie në njësinë administrative të Shirgjan, kur në drekë, Taulant Balla jep haber, që u takua në Romë të Italisë edhe me emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë aty. Shumë e pabesueshme, që deri afër drekës Taulant Balla të takohet me fshatarët në një nga fshatrat më të largëta të Elbasanit dhe në drekë, të takohet në Romë me emigrantë. Thua, që Taulant Balla ka çarter dhe brenda orës shkon nga fshati Shirgjan i Elbasanit në Romë? Fshatarët në Shirgjan i ankohen deputetit të qeverisë, se nuk kanë rrugën, fshatrat akoma nuk kanë ujësjellës për ujin e pijshëm, mungon qendra shëndetësore, shkolla nuk ka kushte mësimore, fshatarët nuk kanë asnjë mundësi që të shesin produktet e tyre, toka punohet si në Mesjetë, ku parmendën e tërheq kaun me gomarin… Mirëpo, deputeti Taulant Balla, thua se nuk dëgjoi çfarë i thanë, ndërkohë, që u foli fshatarëve të Shirgjanit për ….prokurorin e Përgjithshëm, që e kaloi në veting. Emigrantët shqiptarë në Romë, e pyetën deputetin e qeverisë Taulant Ballën, përse në 2017-n, PS nuk e mbajti premtimin që u dha në 2013-n, për t’iu dhënë të drejtën e votimit në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri edhe emigrantëve, këtu ku jetojnë. Kryetari i Asamblesë të PS Taulant Balla, bëri sikur nuk e dëgjoi ankesën e emigrantëve dhe as guxoi dot t’u premtonte emigrantëve të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare të ardhshme, sepse dihet, partia në qeverisje, nuk e do kurrë votën e emigrantëve, qoftë sepse nuk mundet ta manipulojë, por emigrantët nuk mund të gënjehen kaq lehtë nga propaganda e qeverisjes dhe me votën e tyre do të “dënonin” keqqeverisjen. Por kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, u foli emigrantëve shqiptarë në Romë, sa sukses ka reforma në drejtësi, meqë filloi vetingun, prandaj edhe Shqipëria e meriton hapjen e negociatave…Emigrantët shqiptarë në Romë i kujtuan deputetit Balla, që vetingu ka pezulluar Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë…Por deputeti Taulant Balla i siguroi emigrantët shqiptarë, që nuk është problem pse nuk ka më Gjykatë Kushtetuese për disa muaj, sepse shteti funksionon në të mirë të shqiptarëve.