Ndryshimet Kushtetuese, PD hedh propozimin e ri: Sistem mazhoritar

256
Sigal

Partia Demokratike paralajmëron se nuk do të njohë ndryshime të njëanshme kushtetuese për hapjen e listave, për aq kohë sa ato do të bëhen pa konsultimin e opozitës reale.

Në një intervistë për “ABC News”, Oerd Bylykbashi deklaron se përpara formulës së komplikuar nga shumica, nëse do të kemi një debat real për një sistem të ri demokratët mbështesin sistemin mazhoritar.

“Listat e hapura nuk janë ndryshim sistemi, listat e hapura në një kontekst të caktuar mund të jenë problematike, por në një kontekst tjetër mund të jenë shumë efikase.

Sigurisht që ka më mirë sesa listat e hapura është sistemi mazhoritar, i drejtpërdrejtë që i jep mundësinë zgjedhësve të përcaktojë realisht se kush janë deputetët. Ndërkohë listat e hapura pa demokratizim të partive mund të përfundojnë në të njëjtën situatë si më parë”, tha Bylykbashi.

Eksperti zgjedhor i demokratëve, kundërshton kryeministrin Rama kur bëhet fjalë për heqjen e koalicioneve zgjedhore, në rast se hapen listat e kandidatëve për deputetë.

“Koalicionet që janë sot në Kod, pra koalicioni me listë të përbërë ku secila parti del në mënyrë të veçantë në fletën e votimit dhe u jep mundësi zgjedhësit të përzgjedhë veç e veç partitë, jo mbi bazën e marrëveshjes së partive, por mbi bazën e votës së zgjedhësve”, u shpreh ai.

Por a do të paraqesë Partia Demokratike një propozim konkret në mbledhjen e Këshillit Politik?

“Ajo që ne gjendemi dhe ne kontestojmë është praktika e faktit të kryer, pra kanë bërë fakt të kryer një deformim të sistemit aktual dhe mbi bazën e këtij deformimi duan që të bëhet diskutimi i mëtejshëm. Ne themi që të diskutojmë të gjitha opsionet e mundshme për të gjetur sistemin më të mirë për shqiptarët, nëse mazhoritari më i miri për shqiptarët , le të jetë mazhoritari”, tha ai.

Partia Socialiste dhe opozita parlamentare kanë dakordësuar që në 30 korrik të kalojnë në Kuvend ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave, ndërkohë që PD dhe aleatët e saj kundërshtojnë çdo vendim të njëanshëm.