Ndarja e Vokrrit, Presidenti Meta: Frymëzim për gjeneratat e reja në rrugën e suksesit

578
Sigal

Mëngjesin e së shtunës Fadil Vokrri, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka ndërroi jetë në moshën 58-vjeçare, pas një ataku kardiak. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta nëpërmjet një mesazhi ngushëllimi shpreh dhimbjen e tij për largimin e parakohshëm të legjendës.

Kreu i Shtetit, shkruan se Fadil Vokrri me talentin dhe suksesin e tij frymëzoi shumë fëmijë shqiptarë kudo për të ecur në shembullin e tij. ”Jam i bindur se personaliteti i jashtëzakonshëm që ai krijoi në fushën e blertë do vazhdojë të frymëzojë gjeneratat më të reja në rrugën e suksesit”.

Ndërsa pak ditë më parë, Presidenti Meta firmosi dhënien e shtetësisë shqiptare për Vokrrin me kërkesë të F.SH.F për kontributin e tij të veçantë në mbështetje të futbollit tonë e sidomos ekipeve kombëtare.

Mesazhi i plotë i Presidentit Ilir Meta

Ndarja e parakohshme nga jeta e legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, është një lajm shokues për të gjithë shqiptarët që e kanë ndjekur e adhuruar shkëlqimin e talentit të tij si sulmues e golashënues i Prishtinës, por edhe ekipeve të njohura europiane të Partizanit të Beogradit, Fenerbahçe e madje edhe të përfaqësueses së ish-Jugosllavisë.

Fadil Vokrri me talentin dhe suksesin e tij frymëzoi shumë fëmijë shqiptarë kudo për të ecur në shembullin e tij.

Me personalitetin e tij ndërkombëtar ndihmoi integrimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. Pak ditë më parë pata kënaqesinë të firmosja dhënien e shtetësisë shqiptare për Fadil Vokrrin me kërkesë të F.SH.F për kontributin e tij të veçantë në mbështetje të futbollit tonë e sidomos ekipeve kombëtare.

Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Fadil Vokrrit, Federatës së Futbollit të Kosovës, mbarë botës shqiptare të futbollit, jam i bindur se personaliteti i jashtëzakonshëm që ai krijoi në fushën e blertë do vazhdojë të frymëzojë gjeneratat më të reja në rrugën e suksesit!