Nard Ndoka, ish- ministër
Rama ka ndërtuar një strategji, për të përdorur grupet kriminale e trafikantët e drogës për të ndikuar në zgjedhjet e 25 prillit 2021
Gjykata Kushtetuese duhet të rrëzojë sa më parë 30 Qershorin e 2019-s
Gazeta Telegraf
Nard Ndoka, ish -ministër dhe kryetar i PDK-së, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se kryeministri Rama, ka një strategji për të përdorur grupet kriminale e trafikantët e drogës për të ndikuar zgjedhjet e 25 prillit, ndërkohë që drejtësia e re do të “çlirohet” nga darët e ‘Rilindjes’, vetëm kur të largohet Rama nga pushteti. Zoti Ndoka thotë se prova e parë e Gjykatës Kushtetuese, që të dëshmojë që është e pavarur, duhet të rrëzojë 30 qershorin e 2019. Zoti Ndoka thotë se ende opozita e Bashkuar nuk e ka vendosur sesi do të përfaqësohet në 25 prill 2021.
Çlirimi nga darët e “Rilindjes” e të Edi Ramës do të kthejë në normalitet komplet sistemin e drejtësisë
-Zoti Ndoka, edhe pse OKB-ja në raportin e publikuar ditët e fundit dha alarmin se Shqipëria është shndërruar në vendin e Origjinës së hashashit për Europën, zyrtarët bashkëpunojnë me krimin që këto para të ndikojnë në fushatën elektorale të 25 prillit, asnjë institucion shtetëror dhe Drejtësia nuk reaguan. Përse?
– Rama ka ndërtuar një strategji, për të përdorur grupet kriminale e trafikantët e drogës për të ndikuar në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Është një fenomen i njohur, ku Rama në fakt është kapur me “presh në dorë”, duke bashkëpunuar me krimin për të blerë votat, në vitin 2017, ku dosjet ndodhen në Prokurori e Gjykatë. Opozita e ka bërë publike fenomenin edhe të sotshëm dhe do të vazhdojë të kontrolloje terrenin në çdo cep. Presidenti i Republikës foli publikisht për këtë rrezik, në bazë të informacioneve që ai ka për këtë fenomen.
Prova e parë e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese, do të jetë gjykimi mbi zgjedhjet moniste bashkiake, të organizuara në kushtet e grushtit të shtetit nga mazhoranca e Edi Rama
– Tashmë Gjykata Kushtetuese u plotësua me 6 anëtarë, sa të funksionojë? A duhet të jemi optimistë se do rivihet rendi kushtetues? Do gjykohen ankimimet për 30 qershorin dhe ligje të tjera të miratuara nga parlamenti monist, që janë cilësuar nga opozita si antikushtetuese?
– Mungesa e Gjykatës Kushtetuese ka krijuar një kauzë institucionale të thellë, qindra ankesa e padi pa përgjigje, zgjedhje moniste bashkiake, përplasje mes Presidentit e Kuvendit. Prova e parë e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese, do të jetë gjykimi mbi zgjedhjet moniste bashkiake, të organizuara në kushtet e grushtit të shtetit nga mazhoranca dhe Edi Rama.
-A ka mundësi që edhe kjo Gjykatë Kushtetuese të zhgënjejë pritshmëritë e shqiptarëve, siç po zhgënjen SPAK, meqë kryeministri Rama kontrollon Parlamentiin, KED dhe anëtarët e përzgjedhur nga ata për Gjykatën Kushtetuese, do të tregojnë zell politik?
– Në fakt ne kemi patur një Gjykatë Kushtetuese profesionale dhe të pavarur, por “Rilindja” e shembi qëllimisht për të vepruar si juntë me pushtetin. Është ajo Gjykatë Kushtetuese, që i ka dhënë të drejtë Edi Ramës kur ai ishte në opozitë, rasti i marrëveshjes së detit me Greqinë dhe shumë vendime të tjera. Unë kam besim se SPAK dhe Gjykata Kushtetuese do të kenë një hapësirë dhe siguri më të madhe pas zgjedhjeve të 25 Prillit. Çlirimi nga darët e “Rilindjes” e të Edi Ramës, do të kthejë në normalitet komplet sistemin e drejtësisë.
– Zoti Ndoka, pse ende opozita e Bashkuar nuk ka bërë të qartë si do të garojë në 25 prill? Me lista të njehsuara? Me 2 lista? Apo secila parti me lista të ndara?
– Jemi në kohë për të vendosur për formën dhe mënyrën e kandidimit. Opozita e ka vlerësuar maksimalisht këtë proces dhe këtë fazë të vendimarrjes, me pyetësore, sondazhe, histori dhe strategji. Besoj shumë shpejt do të kemi një marrëveshje institucionale e publike të Opozitës së Bashkuar.
– Vendimi i SPAK që të mos dënojë asnjë deputet, ministër dhe kryeministrin Rama, që u dëshmua në ‘dosjen 184’ se kryen krim elektoral, a do të ketë influencë në procesin Zgjedhor të 25 prillit? A është mesazhi ky: “vidhni, blini vota, terrorizoni elektoratin, se pas zgjedhjeve askush nuk ju prek dhe dënon?”
– Nuk besoj se ka politikan që do guxojë të fusë duart në proces zgjedhor. Edi Rama është person nën hetim dhe një ditë do përgjigjet. Kodi Zgjedhor ka vendosur disa garanci në fakt, identifikimi elektronik i votuesve ul në mënyrë të ndjeshme mundësitë e manipulimit, pjesa më e madhe e manipulimit bëhej në emër të atyre që nuk votonin dhe të atyre qe janë jashtë deri edhe tek emrat e atyre që kanë vdekur, ky fenomen merr fund. Hapja e kutive dhe rinumërimi i votave me short, është një siguri, kontroll dhe certifikim i procesit. Pra, mundësitë e abuzimit janë minimizuar, por sërish Rama mbetet një rrezik real për manipulim në forma të tjera, nga blerja e votave në mënyre direkte, duke u mbështetur tek krimi. Ky do të jetë edhe fokusimi i Opozitës, garantimi i procesit duke monitoruar procesin, kontrolluar dhe siguruar atë.
Rama mbetet një rrezik real për manipulim në forma të tjera, nga blerja e votave në mënyrë direkte, duke u mbështetur tek krimi
– Zoti Ndoka, si e cilësoni vendimin e qeverisë së Ramës, që të vendosë orën policore edhe në mbrëmjen e Festës së Krishtlindjes, ndërkohë që kurba e infektimit me Covid-19 ka rënë. Mali i Zi, sapo mori vendim që të heqë orën policore?
– Komiteti ateist i “Rilindjes”, duhet të anullojë menjëherë urdhërin për mbylljen e lëvizjes më datë 24 Dhjetor, natën e Krishtlindjes! Komunistët i shembën Kishat, në ’67, por nuk mundën të shembin besimin në Zot tek shqiptarët. Bijtë e tyre, sërish në 2020, urdhëruan mbylljen e Kishave, me pretekse provakative. Në këtë kohë pandemie dhe braktisjes së shtetit, qytetarët kanë më shumë nevojë se kurrë t’i luten Zotit! Ndryshoni urdhërat tuaj abuziv të ndalimit për të shkuar tek shtëpia e Zotit! Reflektoni sot, sepse nesër një ndëshkim më i madh ju pret!
– Faleminderit!






















