Mos luani me Vlorën, zotërinj politikanë!

559
Sigal

Përkujtimi i 100-vjetorit të Pavarësisë, Kryeministri bën thirrje për ndryshimin e historisë

Në këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare po ndodhin ca gjëra të papara dhe të padëgjuara. Ndërsa është folur me të drejtë për një rishikim dhe rishkrim të historisë, Kryeministri i vendit dje i pataksi shqiptarët, ndërsa shqiptoi një nga frazat më të çuditshmet: Të ndryshojë historia, tha Berisha. Se si mund të ndryshojë historia, këtë nuk e di mbase edhe ai që e shqiptoi këtë frazë. Sepse historia nuk ndryshon. Historia është bërë njëherë, por ajo mund të pasurohet, duke ndërfutur fakte dhe dokumente të retushuara, të anashkaluar apo të lëna qëllimisht në harresë. Historia nuk ribëhet. Ajo është vulosur njëherë e përgjithmonë. Por me këtë qëndrim që po mbahet ndaj historisë, dalin ca të vërteta të hidhura që tingëllojnë edhe më të hidhura në këtë përvjetor jubilar të Pavarësisë.

Vlora si pretekst

Pretekst është Vlora. Ka disa që nuk e duan Vlorën, pavarësisht se ajo qëndron në kurorën e historisë sonë kombëtare. Përfytyrojeni Shqipërinë pa Vlorën! Është e pamundur!. Sa do që të përpiqen politikanët momentalë dhe historianët e sotëm, një fakt nuk mund ta ndryshojnë dot: Flamuri i Pavarësisë u ngrit në Vlorë më 28 Nëntor 1912 dhe pikë! Mjafton të kujtojmë një fakt: Në 50-vjetorin e Pavarësisë shteti diktatorial i kohës e shpalli me vendim të posaçëm Vlorën për 5 ditë Kryeqytet. Për 5 ditë qeveria e asaj kohe dhe udhëheqja e vendit u zhvendosën në Vlorë dhe ky fakt në të vërtetë, pavarësisht nga përdorimi politik, i ka bërë nder qeverisë së asaj kohe. Shqiptarët e tanishëm prisnin që jo vetëm 28-a të mos vihej në dyshim, por me që ishte 100-vjetori, Vlora mund të shpallej për 10 ditë kryeqytet i vendit. Kjo nuk ndodhi. Qeveria ka menduar që festën ta zhvendosë në Tiranë, ndërsa Kryeministri i vendit më shumë flet për Ahmet Zogun se për Ismail Qemalin. Pastaj flet për ndryshim të historisë! E si të mos dyshosh në këto qëndrime, kur pikërisht më 17 Nëntor, ditën e çlirimit të Tiranës, do të sillen eshtrat e ish-mbretit Ahmet Zogu. Mund të jetë rastësi, por një qëndrim konstant kundër Luftës Antifashiste dhe dëshmorëve të asaj lufte, nge shumë pikëpyetje. Përfytyroni: Më 17 nëntor të këtij viti pushtetarët tanë të nderuar nuk do të vendosin kurora me lule tek monumenti që simbolizon luftën për çlirimin e kryeqytetit të vendit, por do të përulen para atij që e braktisi atë luftë. Kështu dhe puna e Vlorës këtë vit. Ishte pikërisht kjo datë, 28-a e famshshme, një moment i madh reflektimi dhe rektifikimi, kur në Vlorën e Ismail Qemalit të mblidheshin baballarët e Kombit, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, ata të Kosovës, deputetët shqiptarë të Maqedonisë, përfaqësuesit e Çamërisë dhe të Malit të Zi. Me sa merret vesh, nuk ka një program të tillë. Madje janë “harruar” të ftohen personalitete të shquara të historisë. Lojërat që po bëhen me Vlorën aktualisht janë sa të turpshme, aq dhe amorale. Festa e 100-vjetorit ka kuptim vetëm në Vlorë dhe askund tjetër. Kryeministri Berisha ishte para pak ditësh në Prizren për të përkujtuar Lidhjen e famshme që mban emrin e atij qyteti. Si mund të përkujtohej Lidhja e Prizrenit në Prishtinë apo në Korçë? Ja pse i rikthehemi Vlorës. Pushteti mund të bëjë çudira, për shembull ta festojë ditën e Shpalljes së Pavarësisë kudo, por kjo nuk i ndryshon asgjë realitetit historik. Vlora atje ka qenë dhe do të mbetet, por do të kujtohet fakti se në një ditë të shënuar sikurse është 100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, ajo u anashkalua, u harrua. Ndaj me të drejtë kundër këtyre sjelljeve arbitrare me historinë dhe posaçërisht me Vlorën, janë ngritur personalitetet e shquara të kombit. Dritëro Agolli është një ndër ata. Prof. Servet Pëllumbi në një intervistë të para pak ditëve në “Telegraf” kur u pyet lidhur me lojën që po bëhet me 28 Nëntorin dhe me Vlorën u shpreh kështu: “Kësaj here mund ta sosë durimin popullor…! Përgjegjësinë për këtë ta mbajë kryeministri që ka arritur në stadin e talljes me popullin!” Që nuk është një akt patriotik ky me 28 nëntorin, duket që larg. Atëherë, çfarë emri t’i vëmë? Lexuesi le të gjykojë e vendosë vetë si ta quajë. Kam besim se do ta quajë me emrin e vërtetë dhe do t’i japë atë që meriton kujtdo që tallet me historinë, traditat dhe ndjenjat e tij të lavdishme.

Berisha: “Historia të ndryshojë, të thuhet e vërteta”

Kryeministri i vendit Sali Berisha deklaroi se, historianë dhe studiues po punojnë që në këtë 100 vjetor të pavarësisë, historia të mos jetë e shkruar siç ka qenë më parë, por të thotë të vërteta të mëdha. Këto deklarata numri 1, i qeverisë i bëri në promovimin e librit të gazetarit Ilir Ikonomi, “Pavarësia, udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit”. “Ismail Qemali është një piedestal i kombit dhe ka shumë arsye që shqiptarët të ndjehen krenarë. Ka patur rëndësi të jashtëzakonshme sepse në këtë 100 vjetor, historianë studiues, publicistë, do bëjnë që historia e këtij vendi të mos jetë e shkruar siç ka qenë më parë dhe ne e kemi patur jetike këtë. Të mos ketë asgjë të deformuar në Shqipëri.Poparaqiten njëri pas tjetri monumentet e të vërtetave historike shqiptare”, deklaroi Berisha. Kryeministri deklaroi se qëndrimi është se çfarë duhet të bëjnë shqiptarët me të vërtetën, duke theksuar se është e vështirë të gjesh një histori tjetër që një komb të ngrihet nga hiri.