Monika Kryemadhi: Të dielën zgjedhim mes jetesës në Shqipëri ose kthimit në azilkërkues

176
Sigal

Lëvizja Socialiste për Integrim, këtë të enjte, zhvilloi mitingun përmbyllës të fushatës elektorale në sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranë.

Mitingu ishte fantastik nga pjesmarrja, ndonëse binte shi pa pushim.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, u shpreh se të dielën shqiptarët duhet të zgjedhin mes jetesës në Shqipëri apo kthimit të gjithë në azilkërkues.

Pjesë nga fjalët e Monika Kryemadhit: 

Të dashur miq, ne sot jemi në ditën e fundit të mitingjeve, sepse nesër që është dita e fundit e fushatës dhe pasnesër janë ditët më të rëndësishme për të gjithë strukturat organizative të LSI-së. Sepse këto dy ditë janë ditët më të rëndësishme për të punuar çdo sekondë me qytetarët për t’i mësuar si të votojnë, që mos ta bëjnë fletën e pavlefshme, por të drejtohen që në orët e para të mëngjesit drejt kutive të votimit dhe të mos bëhen pre e provokimeve të bandave të Rilindjes, patronazhistëve të Edi Ramës dhe fuksave të Erion Veliajt.

Ne do të ndërtojmë një Shqipëri që nuk i lë vetëm shqiptarët përballë fatkeqësive, ashtu siç ndodhi me Rilindjen me tërmetin e 26 nëntorit dhe me pandeminë. Ne do të kujdesemi për qytetarin, ashtu siç kujdeset nëna për fëmijën e saj. Ne do të kujdesemi për çdo familje shqiptare, ashtu siç kujdesemi për familjen e LSI-së dhe për njëri tjetrin. Ne do të kujdesemi për të rinjtë dhe të rejat shqiptarë, në mënyrë të tillë që ata të jetojnë dinjitozë në vendin e tyre pranë prindërve të tyre, pranë gjyshërve të tyre.

LSI do të ndërtojë një Shqipëri ku biznesi nuk diskriminohet dhe nuk falimentohet për shkak të bindjeve politike, ose për shkak të makutërisë së administratës grabitëse të Rilindjes, ne do të krijojmë një klimë biznesi, ku ai të lulëzojë me ndershmëri dhe jo duke pasur një konkurrencë të padrejtë, për shkak se qeveritarët duan të ndihmojnë oligarkët që s’janë kthyer në gjë tjetër veçse në shtojzovalle, që marrin valle sa nga njëra anë në anën tjetër, vetëm e vetëm për të ruajtur koncesionet dhe paratë që iu grabisin çdo ditë shqiptarëve.

25 prilli do të jetë referendumi mbarë popullor i ndryshimit dhe i shpresës, sepse është e vetmja zgjidhje, për t’i dhënë zgjidhje njëherë e përgjithmonë trancizionit, këtij tranzicioni që po i merr shpirtin Shqipërisë dhe shqiptarëve. Prandaj vota juaj ka rëndësi në 25 prill për të shkuar për numrin 6, për LSI-në, për të rinjtë dhe të rejat.

25 prilli do t’iu kthejë qytetarëve sovranitetin e tyre, pasi qytetarët shqiptarë do të jenë ata që do të vendosin për të ardhmen e Shqipërisë. Vetëm vota e shqiptarëve është ajo që bën ndryshimin, vetëm vota e shqiptarëve është ajo që i imponohet politikës, ndërkombëtarëve dhe kujdotjetër që do të bëjë harakiri me Shqipërinë.
Qeveritë dhe qeveritarët janë kalimtarë, ju e dini shumë mirë që keni parë shumë kryeministra, ministra, kryebashkiakë, pafund njerëz që kanë ardhur në pushtet dhe e kanë shpërdoruar atë. Por, ju në datën 25 prill do ti jepni fund përdorimit të pushtetit nga individët dhe do ta ktheni tek populli me votën tuaj, sepse vetëm vota juaj është pushteti, qeveria, institucioni më i fortë.

Ju në 25 prill, sidomos qyteti i Tiranës do të jetë ajo sfidë e cila jam e bindur që jo 11 mandate siç tha Floida Kërpaçi, por do të jetë më shumë se 11 sepse besoj, besoj të ekipi i mrekullueshëm i LSI i listës së Tiranës. Besoj tek Floida, tek Klajda, Erisa, Silva, Eriona Bixha, zysh Nora Malaj që është dashuria e grupit parlamentar të LSI. Besoj të Briseida Shehaj, Etion Joka, besoj te Bleri tek Aldi, te Denisi, tek të gjithë ju. Besoj tek puna juaj e përditshme, te dashuria që keni ju për njerëzit, forca e madhe që keni ju për të ndryshuar Tiranën, këtë Tiranë e betonizuar, këtë Tiranë që shkatërroi stadiumin ‘Qemal Stafa’, ku janë rritur me qindra e qindra sportistë e futbollistë të Tiranës, të Partizanit, Dinamos, e të gjithë ekipeve të futbollit. Ai shkatërroi memorien e sportit tonë, ai shkatërroi memorien kombëtare, historike të artit shqiptar. Ai shkatërroi Teatrin Kombëtar, sepse e urren artin shqiptar, sepse ai urren çdo gjë të kuqe, çdo gjë shqiptare dhe ne në 25 prill do të shkatërrojmë Rilindjen, sektin anti-shqiptar që kërkon të tjetërsojë shqiptarët me popuj të tjerë që vijnë nga fundi i botës.