Monika Kryemadhi: Protesta e Teatrit demaskoi grabitjen e Edi Ramës

228

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e ftuar në emisionin “Tempora” në “Ora News” deklaroi se protesta e artistëve për teatrin demaskoi mënyrën sesi Edi Rama vjedh shqiptarët.

“Grupi organizator i protestës së Teatrit, që për hir të së vërtetës kanë qenë një motivim i jashtëzakonshëm për të gjithë ne, bënë demaskimin e parë të grabitjes që bën Edi Rama duke grabitur pronën publike dhe duke shkelur çdo lloj ligji dhe çdo lloj rutine ligjore. Dhe ajo që dua të them e që vjen pastaj në atë që është shumë e rëndësishme është që sot ne kërkojmë t’i kalojmë gjërat në individuale duke thënë që konflikti është individual, jo nuk është i tillë. Konflikti është ligji përballë anti-ligjit, sepse nëse kanë rreth 1 vit e gjysmë, nuk mendoj që asnjëri qoftë Kastriot Çipi, qoftë Robert Budina, qoftë Neritan Liçaj apo edhe zonjat që janë aty, që e kanë kohën e tepërt apo nuk kanë punë të tjerë për të bërë. Por ata nuk janë ndalur asnjë ditë në punën e tyre për të demaskuar këtë mega-vjedhje apo mega-grabitje”,- tha Monika Kryemadhi.

Kryetarja e LSI shtoi se protesta e artistëve “tregon se si është kalbur i gjithë sistemi që nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, që nga Instituti i Ndërtimit e të gjitha me radhë, që në zyrat e Hipotekave se si është manipuluar me certifikatat e pronësisë. Kur bëhen këto manipulime për një institucion kaq të rëndësishëm, imagjinoni se ç’mund të ndodhë me certifikatat e pronësisë të qytetarëve të thjeshtë”.