Monika Kryemadhi: LSI plan konkret për luftën kundër varfërisë

668
Me të drejtë, media jonë i bën jehonë “diktaturës së krimit të organizuar dhe drogës”, sikurse dhe jo rrallë herë i bën fresk edhe “diktaturës së arrogancës” së Kryeministrit, e cila po instalohet frikshëm në Shqipëri. Ky zotëri që urren të varfrit, së fundmi me një të rënë të lapsit ka nxjerrë nga skema e ndihmës ekonomike, “lëmoshës ekonomike” mbi 20 mijë familje të varfra shqiptare. Madje për disa raste flagrante thotë e “ka fajin sistemi”, se tashmë nuk ka më kujt t’ia lërë fajin dhe ja lë teknologjisë. Varfëria mbi të gjitha është mungesa e parasë për të mbijetuar me dinjitet dhe integritet dhe për të plotësuar nevojat më bazike. Nuk ka asgjë më të kushtueshme për një shoqëri sesa varfëria e qytetarëve të saj sepse ajo mbjell injorancë, kriminalitet dhe prapambetje! Por mbi të gjitha sa më të varfër të jenë shqiptarët, aq më kollaj blihen në zgjedhjet e ardhshme, që janë duke trokitur. Qeveria do t’i hedhë “hi syve” shqiptarëve, që gjoja po reformon sistemin social, kur sipas të gjitha statistikave ndërkombëtare, ne jemi të fundit në Evropë për buxhetimin dhe mbështetjen sociale në raport me popullsinë. A mund të më thotë dikush për çfarë sistemi të ri, digjital apo informatik pikëzimi flasim ne, kur aktualisht 80 mijë familje marrin më pak se 1 euro në ditë, ndërkohë që pragu i varfërisë ekstreme sipas standardeve të Bankës Botërore është 2 $ për person në ditë. Mesa duket Kryeministri të babëzitur nuk po i del e keqja me varfanjakët dhe të vobektët që i çoi në “litarin e qelisë” për një faturë elektrike, ndërsa miqtë e tij grabitin asetet publike dhe boshatisin “arkat e shtetit” me qindra milion euro koncesione. Ne besojmë se mund ti japim fund varfërisë absolute për çdo shqiptar vetëm nëse: Fondi i Ndihmës Ekonomike do të shkojë në rreth 2 % të GDP-së. Kjo do të thotë se mbi 80 mijë familje me mesatarisht 4 anëtarë do t’iu jepet nga qeveria rreth 240 $ në muaj për çdo familje, pra 2 $ në ditë për çdo anëtar të saj në mënyrë të tillë për të kaluar pragun e varfërisë absolute. Për ne si forcë progresiste dhe europianiste e së majtës, “shpëtimi nga varfëria absolute” e mbi 14% e popullsisë është financiarisht e mundur dhe realisht një objektiv i realizueshëm. Mjaftojmë që të kursejmë 2 koncesione abuzive në shëndetësi dhe kjo skemë do të jetë mjaft efikase. Sipas planit tonë, kjo skemë e ndihmës ekonomike do të jetë e mundur maksimumi për 2 vjet për këto familje, sepse ne besojmë se gjatë kësaj periudhe atyre do t’u jepet një shans për t’u futur në tregun e punës përmes edukimit, kualifikimeve dhe trajnimeve, të cilat do të jenë kushtëzuese për përfitimet e skemës.
Sigal