Mogherini: Viti 2018 unik për Shqipërinë, presim hapa konkretë. Bushati: Të vendosur për reformat

497
Përfaqësuesja e Lartë e BE, Federica Mogherini i ka bërë thirrje Shqipërisë të zbatojë reformën në drejtësi dhe vetingun, duke ofruar njëkohësisht dhe mbështetjen e BE për këto reforma të rëndësishme. Nga Brukseli ku ka dhënë një konferencë për mediat pas takimit me ministrin Ditmir Bushati, Mogherini tha, se Shqipëria duhet të plotësojë kushtet për anëtarësimin në BE. Ajo deklaroi se viti 2018 do të ofrojë mundësi unike për rajonin, por edhe për Shqipërinë. “Besoj te rruga e Shqipërisë drejt BE. Shqipëria duhet të plotësojë kushtet për negociatat, një sistem drejtësie jo të korruptuar. Shqiptarët do ta mbështesin këtë reformë, sepse është punuar fort për të. BE do ta mbështesë Shqipërinë për zbatimin e reformës në drejtësi. Pritshmëritë janë të mëdha për zbatimin e vetingut, ne do jemi në krahun tuaj për këtë çështje. Kemi diskutuar për rrugën e shtetit ligjor dhe krimin e organizuar. Shqipëria duhet të jetë këmbëngulëse për të luftuar krimin. Presim që viti 2018 të ofrojë një mundësi unike për rajonin dhe për Shqipërinë. Presim hapa konkretë për Shqipërinë në vitin e ardhshëm, procesi i integrimit është i pakthyeshëm”, u shpreh Mogherini. Nga ana tjetër ministri i Jashtëm Bushati deklaroi se Shqipëria do të vijojë me zbatimin e reformave të rëndësishme në vend. Bushati tha se viti 2018 do të jetë vendimtar për Shqipërinë, duke shtuar se hapja e bisedimeve do të sigurojë më tej një sens orientimi. Ai theksoi se qeveria do të vijojë luftën kundër krimit.
Sigal