Ministrja Gjosha: Rekomandimi pozitiv, shtysa për reformat shtetndërtuese të Shqipërisë

457
Sigal

Gazeta Telegraf/

Ministrja e
Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, në takimin e
11 të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri.

 

Ministrja Gjosha: Kalendarizimi
i procesit të integrimit dhe caktimi i një date për çeljen e negociatave
inkurajim për qytetarët shqiptarë

 

Ministrja e integrimit
Europian, znj. Klajda Gjosha, mori pjesë në takimin e 11 të Komitetit
Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri. Ky Komitet   mblidhet në një moment shumë të rëndësishëm
për Shqipërinë, vetëm dy ditë përpara publikimit të raportit të  Komisionit Europian.

Në fjalën e hapjes, Ministrja
e Integrimit Europian u shpreh se muajt paraardhës kanë qenë vendimtarë, për
një hap të madh që Shqipëria është e vendosur të hedhë me procesin e integrimit
në Bashkimin Europian.

Ministrja theksoi, se me
miratimin e reformës në drejtësi, Shqipëria tregoi maturinë, por edhe
gatishmërinë për të kaluar në fazën tjetër të procesit që është hapja e
negociatave.

Ministrja u
shpreh se rëndësia e zbatimit sa më të shpejtë të reformës në drejtësi për
shkak të ndikimit mbi sundimin e ligjit në ekonomi, luftën kundër korrupsionit
është thelbësore për të ardhmen e vendit.

Duke u ndalur tek 5
prioritetet, ministrja Gjosha bëri një përmbledhje të arritjeve të shënuara
deri tani, duke nënvizuar se reforma në drejtësi do t’i japë zgjidhje
përfundimtare çështjeve të mbetura ende pa u zgjidhur në lidhje me luftën
kundër korrupsionit,krimit të organizuar, apo të drejtës së pronës.

Ministrja Gjosha u shpreh se
qeveria shqiptare ndan plotësisht pikëpamjen e shprehur nga Parlamenti Europian
se politika e zgjerimit duhet të mbetet e besueshme dhe konstruktive.

“Në këtë kontekst unë mendoj
se mbështetja që vendet anëtare duhet t’i japin Shqipërisë i shërben jo vetëm
asaj, por do të ishte mesazhi më i mirë për Europën sot, për situatën që ajo po
kalon. Parlamenti Europian, luan një rol  të rëndësishëm për procesin e
zgjerimit dhe ne besojmë se ai është dhe duhet të vijojë të mbetet
promotor dhe shtysë  për vendet anëtare, në mënyrë që Shqipëria të
përparojë më tej”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja Gjosha tha se
kalendarizimi i procesit të zgjerimit, duke nisur me rekomandimin pozitiv
dhe caktimin e një date për hapjen e negociatave do të përcillte një inkurajim
të rëndësishëm për të ruajtur fokusin në reformat e nevojshme dhe besimin e
qytetarëve shqiptare. 

“Sigurisht që angazhimi
ynë,  është maksimal për të thelluar reformat duke i bërë  ato më
gjithëpërfshirëse, duke arritur në rezultate gjithnjë e më të  prekshme.
Shqipëria e konsideron procesin e integrimit si mekanizmin më të mirë që vendi
të arrijë ato standarde që meritojnë qytetarët tanë dhe për ne kjo rrugë nuk ka
me kthim pas”, u shpreh Ministrja Gjosha në fjalën e saj.

Ministrja Gjosha
shprehu angazhimin e mazhorancës për të ruajtur një dialog politik të
qëndrueshëm dhe konstruktiv mes palëvë veçanërisht në lidhje me procesin e
integrimit në mënyrë që axhenda e reformave të përmbushet nëpërmjet konsendusit
dhe kompromisit.