Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla në një takim me fermerë dhe agrobiznese në Elbasan deklaroi se do të rishikohet skema e mbështetjes me subvencione direkte për fermerët.
“E dimë shumë mirë që skema e mbështetjes direkte është tema që ju prek më shumë.
Kemi marrë nga ju mesazhe— komente, ide, kritika dhe sugjerime: për kriteret, mënyrën e ndarjes së fondeve, dhe ndjesinë që disa kategori fermerësh ndihen më pak të mbuluar.
Ndaj sot dua ta them shumë qartë: Do ta rishikojmë skemën kombëtare të mbështetjes. Ne kemi për qëllim të ndërtojmë një marrëdhënie të drejtpërdrejt mes Qeverisë dhe gjithsecilit prej jush. Pikërisht duke ju referuar atyre komenteve, ideve, kritikave që përmenda me lart,
Së bashku me ekipin do të jemi në 12 qarqet e vendit për të diskutuar për nevojat, ndryshimet dhe për t’u përshtatur me realitetin në terren.”
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla tha se përveç pagesave direkte, një pjesë shumë e rëndësishme e buxhetit shkon në skemën e investimeve.
“Vetëm në thirrjen e fundit patëm më shumë se 800 aplikime të cilat do të vazhdojnë të zbatohen edhe në vitin 2026, duke injektuar së paku 2 miliard lekë në sektor.
Përveç skemave të mbështetjes dhe granteve, kemi dhe instrumente financiare për ata që duan të bëjnë investime më të mëdha”.
Salla tha se Qeveria Shqiptare do të vijojë mbështetjen për sektorin edhe nëpërmjet Garancisë Sovrane. Fondet e vëna në dispozicion u japin fermerëve dhe agrobizneseve mundësinë të marrin kredi duke mbuluar deri në 70% të kolateralit dhe me 2% interes.
Gjatë këtyre muajve, kërkesa për akses në financa ka qenë jashtëzakonisht e lartë nga ana e fermerëve.
Deri tani, rreth 300 prej jush kanë nisur procesin e aplikimit në banka, dhe një pjesë e mirë tashmë e ka përfituar kredinë.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural shpjegoi edhe sesi do të funksionojë skema e re për kompensimin e TVSH.
“Fermerët që shesin prodhimet e tyre bujqësore tek grumbulluesit, përpunuesit ose agroturizëm do të kompensohen në masën 10% të vlerës së faturës. Kjo faturë do të lëshohet nga blerësi i produkteve të tyre.
Ju i grumbulloni këto fatura, i dorëzoni në tatime çdo 6 muaj dhe shteti ju kthen 10% të vlerës së faturave direkt në llogarinë tuaj bankare.
Ky mekanizëm i ri për NE, por që aplikohet edhe në vendet e BE, do të forcojë formalizimin me qëllim përfitimin e fondeve të BE për modernizimin e sektorit bujqësor.
Kjo është shkalla më e lartë e kompensimit që ofrohet në vendet e Rajonit.
Qeveria Shqiptare ka venë në fokus fermerin në disa dimensione, dua të theksoj se pensionet rurale nga 11,500 lek sot, do të shkojnë në një shumë prej 18,000 lek deri në vitin 2030.
Duke u nisur nga janari 2026, pensionet do të rriten çdo muaj pa llogaritur këtu indeksimi vjetor që do të vijojë normalisht vit pas viti”.



















